Provimi i shtetit, MASH nxjerr datat për Mjekësinë

Ministria e Arsimit nxjerr datat e zhvillimit të provimit të shtetit për gjashtë profesione të mjekësisë. Bëhet fjalë për 1500 studentë të diplomuar gjatë vitit akademik 2010-2011 në: Stomatologji, Farmaci, Mjekësi e përgjithshme, Mami, Infermieri dhe Fizioterapi, të cilët do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen testimit për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit. Ministria e Arsimit bën të ditur se sesioni i provimeve për profesionet e rregulluara fillon në datën 16 janar deri më 7 shkurt 2012. “Në këtë sesion provimi do të jepet në profesionet: Stomatologji më 16 dhe 17 janar, Farmaci, 18 dhe 25 janar, Mjekësi e përgjithshme më 26 janar, Mami më 27 janar, Infermieri 30 janar deri në 6 shkurt, Fizioterapi 7 shkurt”, – sqaron zëdhënësja e MASH, Brikena Kollçinaku. MASH sqaron se provimi do të zhvillohet dy herë në ditë, në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP). Kandidatët duhet të bëjnë kujdes që ditën e provimit të kenë me vete kartë identiteti, mandat arkëtimi të pagesës të shoqëruar me faturën e AKP, të publikuar në faqen zyrtare. AKP ka publikuar pasditen e djeshme në faqen e saj zyrtare www.akp.gov.al, listat e kandidatëve që do të futen në provim, duke ju bërë atyre apel që të verifikojnë emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën e orën e provimit. Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidatët duhet të kenë parasysh rregullat e mëposhtme: të jenë të pajisur me letërnjoftim ose pasaportë në provimin e shtetit; të jenë të pajisur me vërtetim regjistrimi dhe mandatin e pagesës së tarifës së provimeve të shtetit; të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit; ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve e mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi; ndalohet duhani, konsumimi i ushqimit dhe pijeve të ndryshme në mjediset e provimit; ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit. Provimi i shtetit do të jepet deri në 5 herë. Në rast se studentët e diplomuar nuk do t’i nënshtrohen provimit të shtetit edhe pse kanë një diplomë, ata nuk do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e tyre, pasi nuk do të kenë të plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke u privuar njëherë e përgjithmonë nga ushtrimi i profesionit të tyre në qendra të ndryshme profesionale. Për kandidatin që jep provimin për herë të parë, tarifa do të jetë 10 mijë lekë, për kandidatin që jep provimin për herë të dytë, 12 500 lekë, për kandidatin që jep provimin për herë të tretë, 15 000 lekë, për kandidatin që jep provimin për herë të katërt, 17 500 lekë, dhe për kandidatin që jep provimin për herë të pestë, 20 000 lekë.

 

Datat

Profesionet që do të japin provimin në këtë sesion, do të jenë:

Stomatologji 16-17 janar

Farmaci  18-25 janar

Mjekësi e përgjithshme 26 janar

Mami  27 janar

Infermieri  30 janar-6 shkurt

Fizioterapi 7 shkurt

 

Testimi elektronik, përgjigjet në kompjuter 

Pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Ato

synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin përkatës. Pyetjet e provimit të shtetit janë me alternativa dhe vetëm njëra prej tyre është përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar. Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat ndryshon ngjyrën e kuadratit. Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat, pastaj ta konfirmojë atë. Pas dhënies së përgjigjes, në monitor shfaqet njoftimi “Zgjidhni pyetje tjetër!”. Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit. Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve, e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara, si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara. Kur koha e provimit përfundon, automatikisht printohet një dokument vërtetimi, me foto, shoqëruar me informacionin e sipërpërmendur.

 

 

Vlerësimi, kalon kush merr 50% të pikëve totale

Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm), nëse merr 95-100% të pikëve.

Kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë), nëse merr 85-94% të pikëve.

Kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë), nëse merr 75-84% të pikëve.

Kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqëshëm), nëse merr 65-74% të pikëve.

Kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm), nëse merr 55-64% të pikëve.

Kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm), nëse merr 50-54% të pikëve.

Kandidati vlerësohet me notën 4 (jokalueshëm), nëse merr më pak se 50% të pikëve.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login