Studentët në protestë: Të hiqet provimi i TOEFL-it


Jonida Tashi

 

Studentët e Universitetit të Tiranës i kërkojnë Ministrisë së Arsimit që të heqë mbrojtjen e anglishtes si kusht për të përfunduar studimet e masterit. Studentët shprehen se të gjithë ata që kanë përfunduar studimet për Master Profesional në vitin akademik 2010-2011 nuk mund të marrin diplomën që u njeh këtë kualifikim, pa iu nënshtruar më parë provimit të zotërimit të gjuhës angleze. Për këtë arsye, por jo vetëm, dhjetëra studentë të Universitetit të Tiranës kanë protestuar dje paradite para godinës së Ministrisë së Arsimit, për të kundërshtuar tri nisma ligjore të marra nga ky dikaster, që janë: testi i TOEFL-it, heqja e pagesës së stazhit për profesionet e rregulluara, si dhe reforma financiare. Sikurse kanë pohuar edhe të rinjtë e universiteteve të tjera të vendit, dhe studentët e Universitetit të Tiranës e cilësojnë dhënien e provimit të TOEFL-it si të kushtueshëm për xhepat e tyre. Njëkohësisht, studentët shtojnë se ky kusht shtrëngon studentët me të ardhura të ngushta familjare, duke nxjerrë shuma të konsiderueshme për testimin sipas rregullave të këtyre teksteve. Nga ana tjetër, të rinjtë pretendojnë se vendosja e kriterit të detyrueshëm për t’iu nënshtruar TOEFL-it, ka të bëjë edhe me favorizime të subjekteve private të ndryshme. Sipas studentëve, duke e bërë anglishten të detyrueshme, diskriminohen gjuhët e tjera. Ata sugjerojnë mundësinë e zgjedhjes së një prej gjuhëve të huaja, që duan të japin në përfundim të ciklit të dytë të studimeve. Dy ditë më parë edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, bëri të ditur se do t’i kërkojë Ministrisë së Arsimit që të rishikojë nivelin e anglishtes për studimet master, pasi ai i vendosur është i vështirë për studentët. Drejtues të Universitetit të Tiranës thonë se janë dakord me vendosjen me ligj për mbrojtjen e anglishtes me testin e TOEFL-it, për nivelet Master dhe Doktoraturë, por jo që Ministria e Arsimit të caktojë nivelin C1, që është më i vështiri për studentët. Për këtë arsye, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u ka kërkuar dekanëve të sjellin propozimet për nivelin e TOEFL-it, të cilat më pas do t’i paraqiten Ministrisë së Arsimit. Për reformën financiare, studentët pohojnë se janë kundër saj, pasi, sipas tyre, në këtë mënyrë ndihmohet në rrënimin akademik dhe infrastrukturor të universiteteve publike e në rritjen e ndjeshme të tarifës së shkollimit për çdo student. Në përfundim të protestës të rinjtë kanë paralajmëruar se, nëse Ministria e Arsimit nuk do të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, protestat e studentëve do të përshkallëzohen. Sipas tyre, ligjet dhe projektligjet e hartuara nga Ministria e Arsimit po dëmtojnë gjithnjë e më shumë studentët.

 

Sipas studentëve, duke e bërë anglishten të detyrueshme, diskriminohen gjuhët e tjera. Ata sugjerojnë mundësinë e zgjedhjes së një prej gjuhëve të huaja, që duan të japin në përfundim të ciklit të dytë të studimeve.

 

Bashkëpunimi

Tafaj takohet me ambasadorin e Kuvajtit  

Ministri Tafaj zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit, ShTZ. Najeeb A. Al-Bader. Ambasadori përfaqëson shtetin e Kuvajtit nga shtatori i vitit 2011 dhe shprehu interes të veçantë për bashkëpunim në fushën e arsimit. Edhe ministri Tafaj shprehu gatishmërinë e mirë për të bashkëpunuar, duke filluar me shqyrtimin e mundësisë së nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për të konkretizuar dhe bashkërenduar bashkëpunimin në fushën e arsimit. Gjatë takimit, u diskutua për vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet universiteteve të të dy shteteve, si Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Shtetëror i Kuvajtit, shkëmbim nxënësish dhe studentësh, si dhe shkëmbim përvojash dhe idesh për arsimin profesional, për degët teknike dhe degët që promovojnë punën artizanale dhe gjenerojnë mundësi punësimi të reja në treg. Gjithashtu, ambasadori shprehu mbështetje për studentët shqiptarë që kanë interes për studimin e gjuhës arabe.

 

 

Mbrojtja në shtet, 66 euro testi TOEFL dhe 134.9 euro TOEIC

 

Universiteti i Tiranës është i vetmi nga institucionet e arsimit të lartë publik që ka fituar të drejtën e dhënies së certifikatave të gjuhës angleze, për dy teste të njohura ndërkombëtarisht TOEFL dhe TOEIC. Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me ETS Global kanë detajuar përmbajtjen dhe strukturën e testeve TOEFL IPT dhe TOEIC, si dhe tarifat që do të paguajnë kandidatët që do t’u nënshtrohen atyre. Kostoja e testit të TOEFL IPT do të jetë 66 euro, ndërsa testi do të ketë 140 pyetje. Ndërkohë që për TOEIC taksa do të jetë më e lartë, 134.9 euro, e po kështu edhe numri i pyetjeve. Në total testi i TOEIC, që do të jetë i ndarë në dy pjesë, do të ketë 200 pyetje, 100 për seksionin e parë dhe po 100 për të dytin. Lidhur me përmbajtjen, testi i TOEFL ITP mat nivelin e zotërimit të gjuhës angleze nga niveli mestar deri te niveli i avancuar.

Por, anglishtja mund të mbrohet nëpërmjet 4 testeve të tjera të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, që ofrohen edhe në qendra të tjera private, ku kostoja është edhe më e lartë. Lista e testeve të gjuhës angleze, të njohura ndërkombëtarisht, përfshin 6 teste që janë: Cambridge ESOL (University of Cambridge Examinations); IELTS (International English Language Testing system); TOEFL (Test of English as a Foreign Language); TOEIC (Test of English for International Communication); Michigan–Test; PTE General (Pearson Test of English General). Këto teste kanë referencë ndaj niveleve gjuhësore, të përcaktuara sipas Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët (KPERGJ); Shoqatës së Testuesve të Gjuhës në Europë (ALTE); Kuadrit Europian të Kualifikimeve (KEK).

 

Lista e testeve të gjuhës angleze

Lista e testeve të gjuhës angleze, të njohura ndërkombëtarisht, me të cilat mund të merret certifikata e njohjes, përfshin:

Cambridge ESOL – University of CambridgeExaminations

IELTS – International English Language Testing system

TOEFL – Test of English as a Foreign Language

TOEIC – Test of English for International Communication

Michigan – Test

PTE General – Pearson Test of English General


Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login