Bankat ulin normat e interesit të depozitave, por jo të kredive


Sabina Veizaj

 

Marrëdhënie të mira me bankën? Kredi apo depozitë? Për çfarëdo shume të mundshme të bëhet fjalë, në monedhën vendase apo të huaj nuk mund të fitosh nga kursimet në bankë po aq sa fitoje të paktën 4 muaj më parë. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë për rënie të normave të interesit të depozitave për çfarëdo shume të hollash dhe çfarëdo afati maturimi. Rezulton se edhe pse Banka Qendrore përdori për të katërtën herë radhazi brenda një kohe shumë të shkurtër stimulin monetar të uljes së normës bazë të interesit me qëllim uljen e interesit të kredive, kjo u reflektua vetëm në një kah, atë të uljes së interesit të depozitave. Bankat Tregtare, që prej vjeshtës së vitit që lamë pas kanë nisur uljen e interesit për të gjitha depozitat e reja. Pas prirjes rritëse deri në fund të muajit gusht, si pasojë e efektit sezonal veror, në sistemin bankar të vendit janë aplikuar ulje të lehta dhe të njëpasnjëshme të interesave të depozitave në lekë për të gjitha afatet e maturimit, në linjë me lehtësimin e kushteve monetare. Sipas BSH-së, ajo ka regjistruar rritje deri në muajin tetor, si pasojë e rritjes së normës referencë dhe e promocioneve verore për t’u ulur lehtësisht më pas. Norma mesatare e interesit për depozitat në lekë në muajt korrik – gusht arriti në 5.26%, duke u rritur me 0.55 pikë përqindje mbi mesataren e tremujorit të dytë të vitit 2011. Rritja erdhi si pasojë e ofertave të sezonit veror, por edhe si rrjedhojë e flukseve të reja hyrëse në depozitat afatgjata me normë më të lartë interesi . Në muajt në vijim ajo ka regjistruar ulje; në muajin nëntor, deri në nivelin 4.91%. Të dhënat paraprake tregojnë gjithashtu se interesi i depozitave ka vazhduar në rënie edhe në muajin dhjetor. Rëniet e normës mesatare të interesave kanë qenë të ndryshme, sipas afateve të maturimit. Ato janë aplikuar kryesisht në afatin e shkurtër për depozitat 1- dhe 3-mujore, ndërkohë që në afatin e gjatë bankat vijojnë të shfaqin konkurrencë për pozicionet e tregut. Interesi mesatar i ponderuar për depozitat e reja në euro shënoi 2.73% në muajt korrik – gusht, 0.43 pikë përqindje më lart se mesatarja e tremujorit të dytë të vitit 2011. Më pas ato janë ulur në tremujorin e fundit të vitit, duke shënuar mesatarisht 2.47%, në muajt tetor – nëntor.

Normat e interesit për kreditë e reja

Edhe pse qëllimi primar i BSH-së për uljen e normës bazë të interesit ishte ulja e normës së interesit për kreditë me qëllim rritjen e kreditimit në vend, kjo nuk ndodhi me kreditë e reja. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se periudha korrik-nëntor 2011 ka vazhduar të karakterizohet nga tendenca lehtësuese në çmimet e kredidhënies në lekë në sistemin bankar. Interesat për kreditë e reja në lekë kanë reflektuar qëndrueshmëri pranë niveleve të ulëta në këtë periudhë. Nga ana tjetër, kreditimi në euro ka shënuar rritje të lehtë të mesatares së interesave. Në gjysmën e dytë të vitit 2011, norma mesatare e interesit për kreditë në lekë ka rezultuar me një ulje prej 0.79 pikë përqindje, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit. Ajo shënoi mesatarisht vlerën 11.60% këta muaj. Pjesa më e madhe e kredisë së re në lekë ka mbështetur plotësimin e nevojave për investime të bizneseve dhe individëve. Sipas afateve të maturimit, ulja më e madhe e interesave është aplikuar në afatin e shkurtër (0-1 vit) dhe afatin e mesëm (1-3 vjet). Interesi mesatar i kredive në lekë është rritur në muajin nëntor (12.17%), por mbetet në nivele të ulëta krahasuar me vitet e kaluara. Rritja është udhëhequr nga kushtet speciale të disa bankave të sistemit për klientë të veçantë në kreditë për kapital qarkullues dhe investime. Norma mesatare e interesit për kreditë në euro është rritur në muajt korrik – nëntor duke regjistruar vlerën mesatare 7.51% ose 0.21 pikë përqindje më lartë, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar të vitit 2011. Kjo prirje ka rrjedhur kryesisht nga niveli pak më i lartë i normave referencë, si dhe nga aplikimi i çmimeve më të larta për kreditë për kapital qarkullues në euro. Interesi për këto të fundit është rritur me 0.15 pikë përqindje në vlerë mesatare, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Në afatin e gjatë mbi 5 vjet (kryesisht për pasuri të paluajtshme), bankat vazhdojnë të aplikojnë interesa relativisht të larta për kreditë e reja në valutë.

 

Depozitat e reja             korrik-gusht                     tetor –nëntor

2.73%                             2.47%

 

 

janar-qershor                                     korrik-nëntor

Kreditë e reja             7.3 %                                             7.51%

 

Komentet janë mbyllur