Festivali i Këngës për Fëmijë dhe dritë-hijet ndër vite

 

Nuk ishte rastësi që festivali i këngës për fëmijë lindi në Shkodër. Edhe para Lufte Shkodra kishte një jetë artistike muzikore edhe për fëmijë. Bashkë me krijimet e para, kompozitori At Martin Gjoka, në fillimet e viteve 20-të shkroi edhe këngë për fëmijë. Edhe mësuesi i ri Prenkë Jakova, shkroi këngët e para për fëmijë. Madje edhe në folklorin e Shkodrës e të krahinave përreth, kënga për fëmijë ishte e pranishme. Në botimin folklorik të vitit 1911, me titull “Kangë popullore gegnishte”, kemi të dokumentuara edhe 35 këngë posaçërisht për fëmijë, secila me melodinë e vet, që këndoheshin edhe për të shoqëruar lojërat e fëmijëve në rrugicat e oborret.

Në vitet e para pas Luftës pati një mpirje të jetës muzikore në Shkodër. U mbyllen shoqëritë kulturore Antoniane, Dom Bosco, Schola Cantorum, u arrestua Dom M. Koliqi, për disa muaj edhe P. Jakova, u pushkatua muzikanti me vlerë, At Benardin Pali, madje  edhe Tiranathithi nga Shkodra një pjesë të mirë të muzikantëve si Ç. Zadeja, T. Daija, A. Grimci, R. Sokli, S. Gjoni, Z. Gruda etj. Por ishin nxënësit e asaj Akademie të pashpallur muzikore shkodrane të para Luftës (të krijuar nga kompozitori F. Ndoja, P. Kurti, At M. Gjoka, Dom M. Koliqi, Z. Kurti), si P. Jakova, T. Harapi, T. Daija, Nd. Shllaku, Z. Leka, Z. Alimhilli, L. Deda, T. Zadeja, Gj. Kapidani dhe i muzikantëve K. Gjinaj, Z. Barbullushi, A. Velaj, M. Kaftalli, M. Bylo, Gj. Vata, S. Laca etj., ata që bënë të mundur fillimin e një tradite të re, siç ishte festivali i këngës për fëmijë – një pasuri kulturore për qytetin dhe më vonë për të gjithë vendin. Shkodra muzikore po rilindte edhe njiherë si Fenixi, edhe pse u shikua gjithnjë “me synin e njerkës”( Mjafton të shënojmë se klasa e parë e Shkollës së Muzikës u hap në Shkodër 14 vite më vonë se Liceu Artistik i Tiranës, madje 13 vite pas shkollës së muzikës të Prizrendit(!)…Por Shkodra kishte krijuar orkestrën simfonike, kishte venë skenë operën “Mrika” të kompozitorit P. Jakova, ndaj dhe organizimi i një festivali për fëmijë ishte plotësisht i mundur.

Festivali nuk u vendos “nga lart”. Ishte iniciativa e muzikantit  Tonin Daija dhe kujdesi i veçantë i P. Jakovës, që u kujdes deri në “hollësitë” e përgatitjes së tij. Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër me 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio. Shkodra muzikore, si të gjithë muzikantët e përparuar shqiptarë, edhe pse jetonin në bllokun e Lindjes, shikonin e dëgjonin ç’bëhej edhe në anën tjetër të Adriatikut (është fjala për Sanremon e Zecchino D’Oro-n).

Festivali i parë kishte “farën” dhe pikësynimin për t’u bërë kombëtar. Cilësia e krijimeve dhe prania gjithnjë më e madhe, nga festivali në festival, e kompozitorëve nga rrethet e tjera, e tregon këtë. Në Festivalin e tretë, shumica e kompozitorëve ishin nga rrethet dhe, për herë të parë, Pallati i Pionierëve Tiranë, nën drejtimin e R. Radojës, që më pas kishte filluar festivalin e vet, dërgoi edhe dy soliste: S. Turku dhe Y. Mujo. Por de jure,  festivali u bë kombëtar në vitin 1966, pra në Festivalin e katërt. Çmimin e parë e mori kompozitori A. Paparisto me këngën “Lulëkuqet”. Më vonë të gjithë rrethet filluan organizimin e festivaleve lokale. U bëmë, ndoshta, vendi më prodhimtar në botë për krijimtarinë e këngës.

Festivalet plotësuan një boshllëk të ndjeshëm në edukimin muzikor të fëmijëve, sepse fillimi i viteve ’60-të përkon edhe me fundin e mbrëmjeve shqiptaro – sovjetike, që kishin sjellë një repertor të mirë, por që kishin lënë në minorancë këngën shqiptare për fëmijë, jo vetëm si numër por edhe në cilësi. 

Festivalet e këngës për fëmijë krijuan në vite një pasuri artistike me vlera të padiskutueshme, sepse u rrit edhe interesi i kompozitorëve profesionistë për këtë këngë. U rrit edhe llojshmëria e këngës, duke filluar nga ajo e destinuar për vogëlushët, deri tek fëmijët më të rritur; nga kënga-përrallë, kënga-lodër, ajo e tipit popullor, e tipit tregimtar të baladës, deri tek kënga hymn (që nga viti në vit, mjerisht, u rrit). Këngët e krijuara, në përgjithësi, patën ngjyrimin e frymëzimin nga folklori ynë i pasur. Madje u krijua edhe një formacion me instrumente popullore përgatitë nga Z. Gruda. Por nga ana ritmike, në kuptimin më të gjerë të këtij termi, kënga mbeti mbrapa. Një përpjekje e Alfons Balliçit, pas festivalit të 11, “të shumë përmendur”, nuk u vazhdua më. “Tring zilja”, një formacion vogëlushësh, bënte më shumë “folklor” me paraqitjen e vet. Megjithëqë fëmijët e kanë në gjak (në lojërat e tyre) sinkopen, kjo figurë ritmike shihej shumë rallë…. E njëjta gjë mund të thuhet për harmoninë që mbeti shumë tradicionale, gjë që u pasqyrua edhe në orkestracionet. Pra mund të themi se, deri ne vitet ’90-të, kënga për fëmijë ishte pak si shumë serioze (për të përdorë një eufemizëm…).

Nëse kënga për solistë gjeti shprehje e zhvillime gjithnjë të reja, kënga për koro nuk e pati zhvillimin e duhur, si cilësi. Për këtë ndihmoi negativisht edhe kalimi i festivaleve në të ashtuquajturin Pallat i Sportit (Katedralja më e madhe e Ballkanit), që kërkonte një koro me përmasa të mëdha, në dëm të cilësisë, e shërbente më shumë si klishe. Koralet ishin vetëm me dy e pak herë me tre zëra dhe këto të vëna vertikalisht, pra pa linja të vetat. Kjo solli edhe mungesën e koraleve të mirëfillta, pra edhe të ndonjë kënge që mund të këndohej “a cappella”. Por, mbi të gjitha, ajo që po i mungonte gjithnjë e më shumë këngës, ishte tematika thjeshtë fëminore (kur lexojmë programet e netëve të festivaleve ndër vite, nganjiherë na ngjan se lexojmë edhe historinë e PPSH…). Parullave të mëdha të regjimit: “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”,“Në gojë të ujkut hedhim valle” duhet t’i bënte jehonë edhe festivali, madje edhe me masivitet gjithnjë e më të madh. Censura dhe autocensura (frika) bënte të veten. Madje këto tema “donin forcë” edhe në ekzekutim. Lindi nji problem që u trajtua, në atë kohë, edhe në shtyp. Fëmijët, u tha,  nuk duhet të këndojnë me impostim “si bën Shkodra e kori i Pallatit të pionierëve”, por vetëm me zë gjoksi, pra me patos revolucionar, sepse “me impostim këndohet në kishë...”. Kulmi! Fatmirësisht ky diskutim u mbyll pa u nxjerrë ndonjë konkluzion zyrtar.

Të vjen me të vërtetë keq që shumë këngë-xhevahire nga ana artistike, kanë tekst shumë të politizuara e kjo pasuri e paçmuar artistike e krijuar në vite, sot, mjerisht, nuk mund të shfrytëzohet e gjitha. Mendoj se është vepruar drejtë  me disa këngë që janë shpëtuar. Është një problem që duhet shikuar me dashamirësi e pa paragjykime. Kujtojmë këtu se populli në krijimtarinë e vet, ka ndërhyrë shpesh në tekste. Kujtojmë që se në disa këngë të ahengut shkodran, më shumë se njëqind vite më parë, as që “shihej” vajza e dashuria për te.

 

Por pavarësisht nga politizimi i skajshëm, duke i shikuar festivalet nga lartësia e 50 viteve dhe me objektivitetin që vetë koha të lejon, duhet pohuar se këto veprimtari ishin të dashura për publikun. Meloditë e këngëve, interpretimi i mrekullueshëm i fëmijëve, shkonin “përtej” ideologjisë së regjimit dhe këtë populli e kuptonte; ndjente tek këngët atë që donte: melodinë dhe interpretimin, ashtu si bënte me edhe me dramat e filmat. Pra edhe fëmijët, me këngën e tyre, bashkë me artistët tanë të mrekullueshëm, na bënë të harrojmë, të paktën për pak kohë, ferrin ku jetonim.

x      x     x

Kënga për fëmijë, e krijuar me dashuri e pasion në 50 e më shumë vite, sidomos pas viteve ‘90-të, duke qenë e çliruar nga pengesat artificiale dhe e lirë në shprehjen tematike, sot ka fituar edhe ngjyra të reja në shprehjen artistike muzikore.

Qendra Kulturore në Shkodër me dirigjentin Kujtim Alija e stafin e vet të apasionuar e të përgatitur, me R. Guli, B. Hysa, A. Kastrati e M. Lloja, duke siguruar bashkëpunimin e emrave më të njohur të këngës shqiptare të të gjitha trevave: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e diasporë, si A. Kaçinari, Sh. Saraçi, R. Guli, Xh. Ujkani,  N. Krasniqi,  K. Gajtani,  E. Zhulali,  A. Hila, K. Qafoku etj., po punon për ta sjellë çdo herë të freskët e me kualitet këngën bashkëkohore për fëmijë.

Vërtet Festivalin “e bëjnë” autorët, pra kompozitorët, poetët dhe këngëtari, por mbrapa tyre është “një ushtri” që punon për realizimin artistik të tyre, që shpesh mbetet gati anonime…Në këtë përvjetor të rëndësishëm meritojnë falënderim e mirënjohje redaktorët letrarë A. Zeka, Zh. Lazri, P. Shtjefni, P. Selimi, K. Petriti; koreografët  S. Cani, N. Ujka, L. Hysi, V. Seiti, A. Nika e mbi të gjithë mësuesit e muzikës: H. Shahini, L. Balca, P. Gjyshja, Rr. Çefa, A. Grimci, H. Shpuza, F. Keraj, M. Gera, L. Muça, A. Lekaj, V. Paçrami, A. Jubani e L. Jakova, që punuan në vite me solistët e korin.

 

*Autori ka punuar për 10 vjet si përgjegjës muzike në Shtëpinë e Pionierëve në Shkodër, organizatore e nismëtare e festivaleve për fëmijë, ku ai ka qenë gjithashtu dirigjent, udhëheqës artistik, e krijues.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login