Miratohet rregullorja e Maturës 2012, kushte të reja për në universitete

Ndryshojnë kushtet e pranimit në universitetet publike të vendit për vitin e ri akademik 2012-2013. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka miratuar në datën 6 shkurt rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2012. Në këtë rregullore janë përcaktuar të gjithë hapat që do të ndiqen për provimet e Maturës së sivjetshme, përfshirë këtu edhe maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011-2012, për të cilët janë vendosur kritere të reja konkurrimi për në universitetet publike. Bazuar në këtë rregullore, Ministria e Arsimit do të miratojë deri në datën 15 shkurt Formularin A1 dhe A1Z, i cili do të dërgohet pas pesë ditësh në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit, për t’u shpërndarë më pas edhe në shkolla. Afati i fundit për këtë proces do të jetë 20 shkurti, pas kësaj date maturantët do të nisin plotësimin e Formularit A1, ku data 10 mars do të jetë dita e fundit e dorëzimit të tij. Ndërsa Formulari A2, ku do të përzgjidhen preferencat për të vijuar studimet e larta, do të miratohet deri më 30 qershor, ndërsa maturantët do të kenë kohë nga data 22-28 korrik, për ta plotësuar dhe dorëzuar atë në shkollë bashkë me mandat-pagesën përkatëse.

Sipas rregullores 2012, provimet e Maturës që do të jenë vetëm me shkrim, do të zhvillohen në përfundim të vitit shkollor. Maturantët do të testohen në ditë të ndryshme për dy provimet e detyruara Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë dhe në të njëjtën ditë për 2 ose 3 provimet me zgjedhje. Data e provimeve të Maturës si dhe kohëzgjatja e zhvillimit të provimeve do të caktohet me udhëzim të ministrit të Arsimit. Edhe këtë vit, korrigjimi i testeve do të realizohet në 6 qendra vlerësimi, mjediset e të cilave duhet të jenë të përshtatshme dhe të sigurta. Për të verifikuar kontestimet me pikët dhe notat, maturantët do të kenë të drejtë të kërkojnë fotokopjen e testeve të tyre pas përfundimit të të gjitha provimeve me një kërkesë drejtuar Komisionit të Maturës Shtetërore (KMSh) të Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zyrës Arsimore (DAR/ZA), ndërkohë që shpallja e rezultateve do të bëhet jo më vonë se 15 ditë pas çdo provimi të Maturës.

Kushtet e pjesëmarrjes në provimet e Maturës 2012, sipas nenit 16 të rregullores së re do të jenë: “Provimet e Maturës i jep çdo maturant/kandidat që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme/ka marrë Dëftesë Pjekurie dhe ka plotësuar formularin e aplikimit A1/A1Z. Çdo maturant mbetës në provimet e Maturës ka të drejtën e riprovimit të lëndës/lëndëve në sesionet e ardhshme. Ai ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në universitetet publike vetëm pasi të ketë fituar të gjitha provimet e Maturës”. Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të pajiset me Diplomën e Maturës që lëshohet vetëm një herë. Maturanti që është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme dhe jep vetëm provimet me zgjedhje, nuk merr Diplomë Mature. Edhe nxënësit që vijnë nga jashtë shtetit dhe japin provime të Maturës nuk marrin Diplomë Mature. Në rastet kur kërkohet, ata do të pajisen me një vërtetim për provimet që kanë dhënë. Maturanti në sesionet e ardhshme jep provimin/et mbetës/e të detyruara dhe me zgjedhje të detyruar. Lënda/ët e provimeve me zgjedhje të detyruar mund të ndryshohen sipas dëshirës së maturantit, mjafton që ajo/ato të jenë në listën e lëndëve me zgjedhje të detyruar dhe të dokumentohen në formularin A1 dhe A1Z.

Maturantët para 2012

Kandidatët që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2011-2012, por nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje për të vazhduar studimet në universitetet publike do t’i rijapin ato. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet: në shkollat ku kandidatët kanë kryer shkollën e mesme; në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSh) të DAR/ZA-së, nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që ka kryer është mbyllur. Në këtë rast, kandidatët do të paraqesin në KMSh-në përkatëse dokumentet e mëposhtme: kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve me zgjedhje të detyruar;

Dëftesën e Pjekurisë ose kopje të noterizuar me fotografi të saj; vërtetimin me fotografi që ka përfunduar shkollën e mesme, i cili përmban notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin e amzës apo dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit, legalizuar nga titullari i DAR/Za-së; kopje të noterizuar të pasaportës ose kartës së identitetit. Pas marrjes së dokumenteve, KMSh i DAR/ZA-së ia përcjell ato zyrtarisht shkollës së mesme ku kandidatët do të plotësojnë formularët dhe do të japin provimet. Sipas rregullores së Maturës 2012, kandidatët që i janë nënshtruar Maturës Shtetërore 2006 e në vijim nuk japin provimet e detyruara (D1 dhe D2) kur kanë marrë Dëftesë Pjekurie. “Çdo maturant që është vlerësuar kalues në vitin e fundit të shkollës së mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka fituar Dëftesën e Pjekurisë, jep provime të detyruara dhe me zgjedhje. Provime të detyruara për ta do të jenë lëndët: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë”, – përcaktohet në rregullore.

 

Maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve me një kërkesë drejtuar KMSh së DAR/ZA-së. Shpallja e rezultateve do të bëhet jo më vonë se 15 ditë pas çdo provimi të Maturës.

 

 

Procedurat e aplikimit për provimet e Maturës dhe pranimet në universitete

Afatet për Formularin A1

MASH miraton deri në datën 15 shkurt:

Formularin A1 dhe A1Z

Udhëzuesin e plotësimit të Formularit A1 dhe A1Z

AKP, deri më 20 shkurt dërgon në KMSh-të e DAR/ZA:

Formularët A1 dhe A1Z së bashku me udhëzuesit e tyre;

Tabelën “T” dhe udhëzuesin e saj, për mbledhjen e të dhënave nga Formularët A1, A1Z, (KMSh-të e DAR/ZA-ve i dërgojnë ato në KShMSh-të e tyre).

Çdo maturant/kandidat i plotëson dhe dorëzon Formularin A1/A1Z në KShMSh-në e shkollës ku ai caktohet për të dhënë provimet brenda datës 10 mars.

Çdo formulari A1 dhe A1Z, pas plotësimit nga maturanti/kandidati i bëhet një fotokopje  e cila ruhet në drejtorinë e shkollës deri në përfundim të procesit të Maturës.

Formularët origjinalë A1 dhe A1Z ruhen në DAR/ZA një vit.

Në periudhën 11-24 mars KShMSh plotëson tabelën përmbledhëse “T”, në bazë të Formularëve A1, A1Z, të dorëzuar nga maturantët/kandidatët.

KShMSh, një kopje të tabelës përmbledhëse “T” e afishon në shkollë dhe pret nga maturantët/kandidatët vërejtje, bën ndryshime dhe saktësimet përkatëse deri në datën 31 mars.

KMSh-të e DAR/ZA-ve mbi këtë bazë hartojnë listat e plota me të dhënat e të gjithë maturantëve, sipas modelit të dërguar nga AKP, dhe i dërgojnë ato zyrtarisht dhe në formë elektronike në AKP brenda datës 15 prill.

AKP dërgon në KShMSh-të variantin përfundimtar të tabelës përmbledhëse “T” deri më 30 prill.

KShMSh-të nëpërmjet KMSh-ve të DAR/ZA-ve përcjellë vërejtjet, saktësimet e mundshme për të dhënat e tabelës përmbledhëse “T” brenda datës 10 maj.

 

Afatet për Formularin A2     

Formularin A2 e plotësojnë vetëm maturantët/kandidatët kalues në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje.

Maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike plotësojnë Formularin A2 dhe e dorëzojnë atë në KShMSh, pasi janë njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës.

Afatet e miratimit, plotësimit dhe dorëzimit të Formularit A2 janë:

Deri në datën 30 qershor, MASh miraton:

Formularin A2, të personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit të shpallura nga universitetet publike;

Udhëzuesin e plotësimit të Formularit A2.

Deri më 20 korrik, Formulari A2 dërgohet nga AKP nga DAR/ZA.

Në datën 21 korrik, KMSh-të e DAR/ZA-ve ua dërgojnë KShMSh-ve.

22-28 korrik, maturantët e tërheqin dhe e dorëzojnë atë të plotësuar në KShMSh bashkë me mandat-pagesën përkatëse.

29 korrik KShMSh-ja e dorëzon formularin pranë KMSh-ve të DAR/ZA-ve.

Brenda datës 31 korrik KMSh e DAR/ZA-së, pasi ka bërë verifikimet përkatëse i dërgon zyrtarisht në AKP formularët, tabelat e regjistrimeve dhe mandat-pagesat, të ndara sipas shkollave.

 

Rregullat për maturantët para vitit 2012

Kandidatët e Maturës 2006-Maturës 2011 lejohen të aplikojnë në universitetet publike bazuar në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës, nëse:

Nuk janë shpallur fitues, vërtetuar kjo nga AKP

Janë shpallur fitues dhe nuk janë regjistruar, vërtetuar nga AKP

Janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar gjatë vitit të parë akademik deri në datën 15 shkurt, vërtetuar nga AKP dhe dekanatet përkatëse.

Kandidatët nuk lejohen të japin provimet me zgjedhje të detyruar, nëse kanë rezultuar kalues në maturat e viteve të mëparshme, me përjashtim të rastit kur rezultatet e tyre janë nën 4.50.

Në rast se kandidati e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë/lëndët në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i fundit. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin Meritë-Preferencë për këto lëndë merren koeficientët e vitit shkollor 2011-2012.

Në rastet kur lënda/lëndët, rezultati i së cilës kërkohet të mbartet nuk gjendet në listën e lëndëve me zgjedhje të detyruar të këtij viti, për përllogaritjen e pikëve do të merret koeficienti 1.

 

8 Përgjigjet për "Miratohet rregullorja e Maturës 2012, kushte të reja për në universitete"

  1. Ili Gërdupi  09/02/2012 në 4:07 pm

    Ne fakt ne prisnim koeficentet e fakulteteve, sepse se plotesojme dot A1-shin pa ditur koeficentet.

  2. flutura dyca  09/02/2012 në 9:58 pm

    nuk duhen te kene koficintin njesoj si shkollat private ashtu dhe publike,sepse ne shkollat private nxenesit marrin ma lehtesi notat e mira

  3. Joana  09/02/2012 në 11:32 pm

    Vertet qe nuk ia vlen qe koeficenti i shkollave publike te jete i njejte me ate te shkollave private se te gjithe jemi te vetedijshem per faktin se atje nota blihet.

  4. Anisa  10/02/2012 në 4:19 pm

    sic eshte thene edhe me siper ne presim informacion ne lidhje me koficentet e fakulteteve .. edhe ne lidhje me kreditet , m.q.s ky eshte viti i pare i sistemit -9 vjecar. Ne si maturante nuk e kemi idene si funksionojne ato ne lidhje me aplikimin per ne universitet.. ju lutemi te na informoni ne lidhje me kete gje..

  5. ina  18/02/2012 në 10:11 am

    A mund te na informoni mbi daten e berjes publike te koeficenteve ye universiteteve???

  6. gazi  25/02/2012 në 2:17 pm

    ne kemi studiuar dit-nat 3 vite me radhe per te arritur ne dyert e universitetit dhe ne fund shkollat private kane te njejtin koeficent si ne, kjo nuk eshte e drejte sepse ato cdo gje e kane blere me lek, dhe nje gje dua te di provimet a do i zhvillojme ne shkollen ku studiojme apo ne universitete nen vezhgimin e kamerave.

  7. ana  01/03/2012 në 3:56 pm

    sic tha dhe gazi,te njejten pyetje kam dhe une,a do te zhvillohen provimet e matures prane qendrave te universiteteve apo ne shkollat e mesme ku ne kemi studiuar???

  8. adelina  11/07/2012 në 3:48 pm

    kur dalin koeficientet per lendet perkatese si per shembull histori dhe gjeografi?

Komentet janë mbyllur