Emërimet në arsim, konkurs për drejtorët dhe mësuesit

Emërimet në arsimin parauniversitar nga mësuesit e deri te drejtorët e shkollave do të  bëhen me konkurs të hapur. Ministria e Arsimit ka vendosur nëpërmjet ligjit të ri të arsimit parauniversitar procedurat që do të ndiqen për emërimet, ku, para se të futen në konkurrim, kandidaturat do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm. Sipas ligjit të ri, drejtori i shkollës do të emërohet nga kreu i arsimit vendor përkatës (drejtorisë arsimore ose zyrës arsimore), pas propozimit të dy kandidatëve që do të përzgjidhen me konkurrim të hapur nga komisioni përzgjedhës. Komisioni do të përbëhet nga një përfaqësues i njësisë arsimore vendore, një përfaqësues i njësisë përkatëse bazë të qeverisë vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i qeverisë së nxënësve për arsimin e mesëm të lartë, si dhe një mësues me përvojë dhe me arritje të spikatura në atë institucion arsimor, i cili zgjidhet nga këshilli i mësuesve. Kriteret dhe procedurat për emërimin dhe/ose shkarkimin e drejtorit të institucionit do të përcaktohen me udhëzim të ministrit. Por, përveçse ta emërojë, titullari i njësisë arsimore ka të drejtë edhe ta shkarkojë drejtorin e shkollës për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve të tij nënligjore, shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, si dhe për mosrealizime të institucionit. Ndërsa nëndrejtorët do të jenë kompetencë emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të shkollës, pas marrjes së pëlqimit të këshillit të mësuesve. E njëjta procedurë me drejtorët do të ndiqet për emërimet në arsim edhe për mësuesit.

Sipas nenit 60 të ligjit të ri,Pranimi dhe largimi nga puna i mësuesit”, në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit përzgjedhës. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, një përfaqësues nga njësia përkatëse e qeverisë vendore, kryetarin e ekipit lëndor përkatës, kryetarin e bordit të institucionit dhe një mësues me mbi pesë vjet përvojë në ushtrimin e profesionit dhe me arritje të spikatura në atë institucion, i cili caktohet nga drejtori i institucionit pas konsultimit me këshillin e mësuesve. Drejtori i shkollës ka të drejtë ta largojë mësuesin nga puna pasi është konsultuar me komisionin e përzgjedhjes, për: shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore; shkelje të etikës e të sjelljes në institucion; arritje të ulëta e të përsëritura të nxënësve, krahasuar me arritjet që kanë kolegët e tjerë me këta nxënës a me nxënës të tjerë në klasa analoge. Në ligjin e ri MASH ka përcaktuar edhe skemën e re të kualifikimi të mësuesve, që nuk do të jetë më me numra, por me tituj: “Mësues i kualifikuar”,  “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër”. Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit. Çdo kategori kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

 

Kualifikimi i mësuesve

1. Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:

“Mësues i kualifikuar”

“Mësues specialist”

“Mësues mjeshtër”

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login