Dhjetë vjet burg për 120 gr heroinë, historia e 34-vjeçares që u kap në kufi

Tiranë Një grua 34-vjeçare, nënë e një fëmije u dënua dje me 10 vjet burg, pasi në makinën e saj u gjetën 120 gramë heroinë. Aurela Doksani, e cila ndodhet aktualisht në arrest shtëpie, do të përballet me dënimin e rëndë sepse akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda “për trafik narkotikësh në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. Historia e 34-vjeçares me drejtësinë nis më 9 gusht të vitit të shkuar, kur gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e saj tip “Hyundai” me targa greke YHO 4924 u gjend një çantë, brenda së cilës ishte sasia e dyshuar e heroinës. Sipas hetimeve të para të policisë rezultoi se emri i Aurela Doksanit kishte dalë nga përgjimet telefonike mes një grupi personash të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar narkotrafikësh. 34-vjeçarja udhëtonte drejt Greqisë bashkë me djalin e saj 10 vjeç, kur policia urdhëroi kontrollin e makinës dhe sekuestroi çantën brenda së cilës ndodhej lënda e dyshuar si heroinë. Menjëherë pas ndalimit, dosja ndaj Aurela Doksanit u dërgua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, pasi edhe pse 120 gramë heroinë, rasti u konsiderua si trafik ndërkombëtar narkotikësh. Prokuroria tha se disponon përgjime telefonike ku 34-vjeçarja përdor shprehje tepër të dyshimta si “do e çojmë tek i njëjti person” apo “ajo e para ishte më e mirë”. Por pavarësisht se gruaja u identifikua nga përgjimet telefonike të personave të tjerë, asnjë prej tyre nuk u ndalua nga policia. Ky fakt nuk e pengoi prokurorinë që në përfundim të hetimeve t’i shtonte edhe dispozitën penale të bashkëpunimit 34-vjeçares, ndaj së cilës Krimet e Rënda caktuan masën e sigurimit “arrest shtëpie” me argumentin se nuk përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore. Për muaj me radhë Prokuroria e Krimeve të Rënda zhvilloi hetime, por pa mundur të ndalojë asnjë prej bashkëpunëtorëve të dyshuar të Doksanit, edhe pse në Gjykatë referoi se tashmë çështja është veçuar dhe ka nisur një tjetër procedim penal. Sipas prokurorisë, ky procedim penal synon të identifikojë dhe vërë para drejtësisë personat me të cilët ka bashkëpunuar 34-vjeçarja. Por gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje, e cila është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, avokati ka pretenduar se akuza nuk provohet. Sipas avokatit Adriatik Bakiasi rezulton se në pakon ku është gjendur lënda narkotike nuk ka gjurmë gishtash të klientes së tij, pasi ajo pako nuk ka qenë e saja. Në konkluzionet përfundimtare avokati ka deklaruar se klientja e tij e ka marrë pakon nga një person i panjohur, i cili i ka kërkuar t’ia dorëzojë bashkëshortes së tij në Athinë, ku Aurela Doksani jetonte dhe punonte prej vitesh. Për këtë arsye, avokati i saj mbrojtës kërkoi pafajësi nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kërkesë e cila është rrëzuar. Aurela Doksani u shpall dje fajtore për akuzën e “trafikut të narkotikëve në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie, edhe pse në çantën e saj u gjetën vetëm 120 gramë heroinë. Kjo akuzë parashikon dënimin me minimum 10 vjet heqje lirie, por nuk merr në konsideratë si rrethanë lehtësuese sasinë me të cilën është kapur e dyshuara. Kjo dispozitë e Kodit Penal është cilësuar shpeshherë si problem nga ana e gjykatësve, të cilëve do t’u duhet të zbatojnë njësoj ligjin si për persona që kapen me sasi të mëdha narkotikësh, ashtu edhe për rastet kur droga e kapur është në sasi të tilla, siç ishte rasti i 34-vjeçares Aurela Doksani. Për veçimin e rasteve të tilla, Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të organizojë dhe një konferencë me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, ku të kërkojë dhe propozojë rregullimet ligjore përkatëse.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Dhjetë vjet burg për 120 gr heroinë, historia e 34-vjeçares që u kap në kufi"

  1. Gjergji  23/02/2012 at 5:28 am

    Bukur fort.Kopjoni Greqinë,që për një numur telefoni u dënua shqiptari 17-të vjet,ndërsa greku që posidonte “ilaçin” 4-ër vjet.Mynxyra të tilla ka plot,po kush ka kohë që ti shkruaj?!

You must be logged in to post a comment Login