Zyhdi Dervishi, në një studim cilësor sociologjik për komunikimin

Lexuesi i interesuar e ka marrë prej kohësh në dorë librin e prof. dr. Zyhdi Dervishit, me titull Lente të ndërveprimit simbolik. Nga kjo pikëpamje, ai e ka vlerësuar për kontributin dhe meritat e tij, sikurse është bërë me të gjithë gamën e shqyrtimeve dhe studimeve të mirëfillta sociologjike të autorit, i cili ka një kontribut krejt parësor në sociologjinë shqiptare dhe veçanërisht atë universitare. Por, për një lexues më masiv, asnjëherë nuk duhet reshtur për të folur për vlerat e mira dhe rezultatet e vërteta të kolegëve, kundër nihilizmit. Me 477 faqete veta, botuar nga shtëpia botuese EMAL, ky libër solid dhe që lexohet me një frymë shqyrton një shumicë ritesh, simbolikash pamore veshjesh, sjelljesh, fjalësh të normativizuara në kulturën popullore shqiptare. Vështrimi hidhet në histori, por edhe në ditët e sotme.

Pa dashur ta lodh lexuesin me shpjegime të gjata, po ndalem në dy shembuj midis shumë të tillëve.   

1. Sheqer në kafe

Për t’u mbrojtur nga fuqia goditëse e fjalës së folur me ngarkesë negative ose fyese, shqiptarët në rrjedhën e shekujve deri në ditët tona kanë krijuar dhe zhvilluar një repertor mjaft të pasur e origjinal simbolesh kulturore, “mekanizmash” komunikimi joverbal. Edhe popujt e tjerë kanë bërë po të njëjtën gjë. Për shembull, një gamë e gjerë mesazhesh përcilleshin përmes shkallës së ëmbëlsisë ose të hidhësisë së kafesë. Nëse një person, mik ose ndërmjetësues shkonte në një familje për të marrë përgjigje për një çështje të rëndësishme si një fejesë, falje gjaku etj., dhe atij i servirej kafe e ëmbël, mysafiri merrte mesazhin se pala tjetër e kishte trajtuar me pozivitet çështjen; nëse servirej kafe e mesme, mysafiri merrte mesazhin se çështja ishte në diskutim; dhe nëse i servirej kafe fare e hidhur, mysafiri që kishte ardhur me detyrë shoqërore merrte mesazhin se përgjigjja ishte negative. Përmes shkallës së idhësisë ose të ëmbëlsisë së kafesë shprehej simbolikisht edhe mosha, problemet shoqërore që kishte lënë pa zgjidhur i ndjeri: nëse i ndjeri kishte ikur nga kjo botë në moshë të re dhe me fëmijë të pamartuar ose, siç thuhej në gjuhën e popullit, të parregulluar, në ceremoninë mortore servirej kafe fare e hidhur; nëse personi kishte ikur nga kjo botë në moshë të mesme dhe ca nga fëmijët i kishte rregulluar, pjesërisht, në ceremoninë mortore servirej kafe e mesme dhe servirja e kafesë së ëmbël në ceremoninë mortore dëshmonte simbolikisht se i ndjeri kishte ikur në moshë të thyer dhe me fëmijë të rregulluar, se ai nuk ishte përballur me sfida të rënda në jetë etj. Gjithashtu, kafeja e servirur në varreza menjëherë pas varrimit, shprehte simbolikisht se i ndjeri kishte qenë një person me kontribute të veçanta në zgjidhjen e problemeve shoqërore, në mbrojtjen e interesave të banorëve të fshatit ose të krahinës etj. Ndërsa kafeja e servirur nën gju ishte fyerje e rëndë, që e detyronte personin të hakmerrej ndaj dikujt që e kishte turpëruar ose i kishte vrarë ndonjë familjar ose të afërm (f. 122-133).

Në librin “Lente të ndërveprimit simbolik” argumentohet se shumica dërrmuese e shqiptarëve të shoqërizuar në shoqërinë tradicionale shqiptare ishin të vetëdijësuar për fuqinë imponuese të mesazheve që përcilleshin nëpërmjet kafesë. Vetëdijësimi ishte i tillë saqë ishte reflektuar edhe në vetëdijen poetiko-folklorike të shqiptarëve. Për këtë citohen vargjet e një këngë popullore të përhapur gjerësisht në shoqërinë tradicionale shqiptare:

“Filxhani i bardhë dëborë

Kafeja si mereqepi (bojë shkrimi e zezë)

Kur e sjell vajza në dorë

Si ferman (dekret) që vjen nga mbreti”

 

“Kësisoj, shkruan sociologu i njohur Zyhdi Dervishi; në hapësirat e vetëdijes e të komunikimit të shqiptarëve në shoqërinë paramoderne kafeja përcillte simbolikisht mesazhe të shumta, të cilat, sikurse fermanët ose dekretet mbretërorë, ishin jo vetëm të mirëpërcaktuara, por edhe të padiskutueshme e të pakundërshtueshme nga mesazhmarrësit” (f. 130).

2. “Fishekë” dhe “mustaqe”

Libri “Lente të ndërveprimit simbolik” është një përpjekje e ngulët për të paraqitur dukuritë, prirjet kryesore të funksionimit të shoqërisë shqiptare, tradicionale dhe të ditëve tona, në dritën e paradigmës ndërvepruese simbolike. Përmes dritës së mesazheve që përcjellin simbolet më të rëndësishme, më origjinale të përdorura nga shqiptarët, si “fisheku në pajë”, “fisheku në shpinë”, “zverdhja e gjakut në këmishën e të vrarit”, forma të caktuara të mjekrës dhe të mustaqeve etj., rilevohen disa nga linjat kryesore të funksionimit të shoqërisë tradicionale shqiptare. Ndryshimi i kuptimeve të këtyre simboleve dhe i mjaft të tjerave evidentojnë ndryshimet në shoqërinë shqiptare gjatë periudhës së regjimit socialist totalitar dhe pas shpërbërjes së një regjimi të tillë deri në ditët tona.

Vend të veçantë në këtë libër zënë ekskursion përmes dritave të disa sistemeve simbolike. Shqyrtohen në mënyrë analitike simbolet më të rëndësishme të disa sistemeve kulturore që kanë më shumë ndikimin në botë, të cilat me mesazhet komplekse që përcjellin, shërbejnë si llamba ose llambushka për të hedhur dritë në anët thelbësore të funksionimit të këtyre sistemeve kulturore. Në këtë kapitull dhe në tërësi libri “Lente të ndërveprimit simbolik” është realizuar edhe si një analizë krahasimore ndërmjet dukurive e prirjeve kryesore të zhvillimit të kulturës, të shoqërisë shqiptare me ato analoge të disa kulturave dhe shoqërive më ndikuese në Europë e më gjerë. Një shqyrtim i tillë rilevon më qartë jo vetëm disa nga veçoritë origjinale të ndërveprimit simbolik ndërmjet shqiptarëve, por edhe ndihmuan për të tejkaluar kuptimet e sipërfaqshme e deri keqinterpretimet e mjaft dukurive të kulturës shqiptare prej studiuesve dhe gazetarëve të huaj. Për shembull, aktualisht në shoqërore shqiptare jetojnë burra me moshë mbi 60 vjeç, të cilët kanë një ose dy veshë të shpuar, që tregojnë se ata më parë kanë mbajtur vathë. Por në kontekstin e shoqërisë shqiptare veshët e shquar nuk i identifikojnë burra të tillë si homoseksualë. Shpimi i veshëve dhe mbajtja e vathëve nga një djalë deri në moshën e adoleshencës në shoqërinë tradicionale shqiptare dëshmonte  simbolikisht se atij i kishin vdekur një ose disa vëllezër të lindur para tij. Sipas mendësive mbizotëruese në shoqërinë shqiptare tradicionale, që të jetonin djemtë me vëllezër të vdekur në moshën e foshnjërisë u shpoheshin veshët e u viheshin vathë, visheshin disa vjet me veshje vajzash, pagëzoheshin me emër shenjtorësh të një besimi fetar tjetër, pagëzoheshin me emra të tillë objektesh të fortë si guri, hekuran etj. Duke shqyrtuar mesazhet që përcjell një gamë e gjerë simbolesh kulturore, ky libër përfaqëson një tablo të detajuar të mjaft përkimeve dhe dallimeve të kulturës dhe shoqërisë shqiptare me ato analoge të disa kulturave dhe shoqërive më me ndikim në Lindje dhe në Perëndim.

Sociologji autentike

Ai përmban mrekullinë e sociologjisë, që veç të tjerash i qëndron besnike parimit se gjithçka kuptohet në këtë perspektivë nëpërmjet shpjegimit me lidhjen shoqërore. Sociologu nuk shpjegon ngjarjen natyrore, evenimentin historik, luftën, teknologjinë në vetvete, sikurse do të bënin të tjerët. Por i shpjegon ato nëpërmjet funksionimit të roleve, funksioneve, aktorëve, lidhjeve shoqërore. Në këtë kuptim edhe tërmeti, edhe rrëshqitja e tokës, edhe riprodhimi i njeriut, edhe sëmundjet, edhe vdekja, edhe lindja, edhe çmenduria, xhelozia, pretendimi, për sociologun janë të shpjeguar me shkaqe shoqërore. Si sociolog me përvojë teorike, por edhe me njohje të gjera të literaturës botërore, klasike dhe bashkëkohore, sidomos asaj amerikano-veriore, prof. Zyhdi Dervishi, jo vetëm që e zotëron profesionalisht këtë metodë, por edhe zbaton aq mirë në studimin e realitetit social shqiptar. Kjo i bëhet e mundur sepse ai asnjëherë nuk e ka ndarë punën praktike në terren, kërkimin konkret, nga studimet arkivore të dokumenteve historike shqiptare. Ai e di se sociologjia është mbi të gjitha studim i dukurive konkrete të marra nëpërmjet metodave specifike që nuk pranojnë as stereotipet as gjykimet mbi baza referenciale të pasigurta dhe të pafiltruara nga studiuesi. Përndryshe, ajo që quhet sociologji bëhet menjëherë një ideologji e niveleve dëmtuese.

Libri Lente të komunikimit simbolik ka meritën se i ka shpëtuar një materializmi vulgar që shpesh kanë vuajtur përqasje autorësh shqiptarë mbi shoqërinë. Simboli nuk është në këtë libër i trajtuar si një mbishtesë ideologjike, si një superstrukturë, që vendoset mbi lidhjen reale sociale, sikurse ndokush kujton naivisht. Jo, simboli është ai që e ngjiz, i jep jetë, e strukturon lidhjen dhe bashkëveprimin social. Si i tillë, simboli dhe lidhja reale sociale krijojnë një sistem të plotë të pandashëm, që u japin kuptim marrëdhënieve shoqërore. Nëse simbolet përthyhen sipas traditave, besimeve, normave të agjencive institucionale etj., kjo do të thotë se edhe realiteti social ngërthen brenda vetes përthyerje të forta simbolike, sikurse edhe vetë veprimi i njeriut kryhet brenda një shoqërie që nuk mund të kuptohet veçse në specifikat e tij, sipas kuptimësisë që i japin atij vetë njerëzit dhe shoqëria në të cilën ata jetojnë.

Këto mësime të çmuara libri i sociologut të njohur shqiptar nuk i deklaron në ajër, por i zbaton në analizat praktike mbi lëndën e çmuar vendase që merr në analizë.

Vetë fjala del nga kuptimi i saj marrë nga fjalori. Fjalia e thënë mund ta ndryshojë krejtësisht kuptimin në kontekstin e bashkëveprimit simbolik midis individëve që komunikojnë. Racionalizmi dogmatik që kërkon të bëhet metoda e analizës së debatit apo shkëmbimeve orale në bisedat e dhomës, humb forcën e vet heuristike. Një fjali e thënë në një bisedë, i bindet një rituali krejt tjetër nga kuptimësia që marrim nga një fjali e shkruar dhe e lënë në një sirtar për t’u lexuar nga ne më vonë. Sikurse shkruante eruditi amerikan S.E.Hall, komunikimi, mënyra e rregullarizimit dhe rituali i tij, përbën thelbin e një civilizimi. Pa kuptuar këtë komunikim në distanca të vogla dhe të mesme, nuk mund të kuptohet asgjë nga gjeopolitika, nga politika apo nga institucionet e një kombi të largët. Gjithçka mund të shndërrohet në ideologji që nuk ka asnjë lidhje me sociologjinë.

Ja përse ia vlente të shkruheshin disa radhë për ta tërhequr vëmendjen e publikut drejt librit të fundit të profesor doktor Zyhdi Dervishit, që ndërpret analiza sociologjike, etnologjike dhe antropologjike pa i identifikuar këto me njëra-tjetrën, as duke keqkuptuar.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "Zyhdi Dervishi, në një studim cilësor sociologjik për komunikimin"

  1. Driton*  12/03/2012 at 1:34 pm

    Shkrim nga socjolugu ,Artan Fuga eshte real qe shpjegon ne menyre tradocjanale Shqiptare ceke metalitetin Shqiptar.

  2. Irena  22/03/2012 at 8:36 pm

    I vlerësoj të dy profesoret e mi, si autorin e artikullit, profesor Artanin dhe autorin e librit, profesor Zyhdiun, sepse ata janë jo vetëm mendimtarë të shquar ne sociologjinë shqiptare, por edhe frymezues për gjeneratat e reja që të duan të merren me sociologji, sepse është kënaqësi mendore të mendosh për kulturën në mënyrë sociologjike, por është edhe dije dhe kompetencë e domosdoshme për të kuptuar fenomenet shoqërore, për t’u marrë me to dhe për të kontribuar në ndryshimin social në përgjithësi

You must be logged in to post a comment Login