Gjeologët, 150 projekte mineralkërkuese në shërbim të firmave koncesionare

Gjirokastër-Me qëllim tërheqjen e kompanive vendase dhe të huaja për shfrytëzimin e nëntokës së Gjirokastrës, specialistët e gjeologjisë kanë publikuar një sërë projektesh mineralkërkuese në shërbim të firmave koncesionare. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike në Gjirokastër, Çano Nora, bëhet fjalë për rreth 150 projekte mineralkërkuese të hartuara në vite nga gjeologët e Gjirokastrës. “Gjatë ditëve të fundit ne po punojmë për ngritjen e një arkivi bashkëkohor, pjesë e të cilit do të jenë projektet mineralkërkuese në zonën e Gjirokastrës”, – thotë ai. Disa prej këtyre projekteve me moshë rreth 50-vjeçare janë skicuar jo vetëm nga specialistët vendas të gjeologjisë por edhe nga gjeologët e huaj, të cilët kanë studiuar pasuritë minerale në nëntokën e Gjirokastrës. Ndërmarrja Gjeologjike synon që nëpërmjet iniciativave të tilla të tërheqë interesimin e koncesionarëve vendas dhe të huaj në kërkimin dhe përpunimin e mineraleve. “Ne do t’i vendosim këto projekte në shërbim të firmave mineralkërkuese vendase dhe të huaja, duke nxitur kështu investimet në këtë fushë në jug të vendit”, – thonë specialistët gjeologë në Gjirokastër.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login