Neuropediatria: Alarm për autizmin, në një vit 27 fëmijë

Në Durrës kohët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i fëmijëve që vuajnë nga autizmi. Pediatër, neurologë, neuropediatër dhe psikologë janë të mendimit se ky çrregullim i rëndë i funksionit të trurit ka marrë përmasa gjithnjë e më dramatike, duke vënë në alarm shërbimin shëndetësor dhe kujdesin social. Ata pohojnë se nevojitet hapja sa më parë e qendrave për shërbimin psikosocial me qëllim trajtimin në kushte të përshtatshme për këtë kategori të fëmijëve. Neuropediatrja Irma Nasto bën të ditur se në 5-6 vitet e fundit në qarkun e Durrësit dhe Kavajë (zona të cilat ka nën mbikëqyrje), autizmi e ka shtrirë për fat të keq gjeografinë e fëmijëve të prekur. Vetëm përgjatë vitit 2011, nga 61 që është numri i të regjistruarve, 27 prej tyre rezultojnë me autizëm. Pra, më shumë se 1/3 e të regjistruarve si pacientë i përkasin autizmit. Gjithnjë duke iu referuar informacioneve mjekësore në Durrës, mësohet se prindërit kanë tendencë që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të “mbuluar” problemet e manifestuara nga fëmijët dhe ata kërkojnë ndihmë tek specialistët përkatës, vetëm kur autizmi ka “pushtuar” fëmijët e tyre. “Gjendja është tepër shqetësuese. Të them të drejtën, për të mos qenë aspak e ndrojtur nga ju, duhet ta pranoj me shumë keqardhje se jemi në kufijtë e një situate alarmante. Përse ta fsheh? Janë 27 fëmijë të kartelizuar me autizëm gjatë 2011. Për një neuropediatër është shifër shumë, shumë e madhe. Diagnostikimi ynë është tashmë i konfirmuar edhe nga qendra e specializuar e Tiranës, me të cilën kemi pasur marrëdhënie shumë serioze dhe profesionale. Pra janë 27 fëmijë në Durrës e Kavajë të prekur nga autizmi, për të cilët ne kemi hapur kartelë. Rastet e para i kam vënë re para 6 vitesh. Fëmijët e parë që janë diagnostikuar me autizëm ishin nga Spitalla dhe Porto-Romano. Ne si ekip mjekësor fillimisht dyshuam se shkak për këtë anomali  patologjike është bërë ish-uzina kimike në Porto-Romano. U thelluam edhe në botimet shkencore për autizmin dhe dyshimet tona për ndikimin e mjedisit të ndotur nga kimikatet ranë. Me këtë dua të them se nuk ka një deklarim shkencor nga mjekësia për origjinën e autizmit dhe as për medikamentet që duhen përdorur”, – tha doktoresha. Sipas saj, vit pas viti të prekurit nga autizmi erdhën duke u shtuar. “Viti i kaluar ka shënuar rekordin, ndaj edhe alarmi ynë është i justifikueshëm. Sot disponojmë statistika shumë të sakta. Informacioni diagnostikues është i pakompletuar. Ne e kemi zgjidhur trajtimin e fëmijëve të prekur përmes ndihmës që ka afruar klinika në Tiranë, edhe pse mendoj se kjo nuk është zgjidhje afatgjatë. Kur them se në vitin 2011 kemi 27 raste të fëmijëve të diagnostikuar me autizëm, duhet të saktësoj se këto janë raste të reja, pasi këtij numri i shtohen edhe fëmijët që ishin me këtë problem”, – thotë ajo.

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur