visi baner 5

Kriza greke po nxit investimet drejt Shqipërisë

Kriza europiane, elementët që e shkaktuan dhe përhapja e saj, mblodhën në një takim të përbashkët akademikë dhe ekspertë, shqiptarë e të huaj. Në këtë takim u theksua fakti se Shqipëria qëndron në një pozitë të fortë përballë krizës greke dhe asaj italiane, dhe kjo veçanërisht falë sistemit bankar të qëndrueshëm. Zëvendëspresidenti i Shoqatës së Bankave në Shqipëri,  Janis Kojani vlerësoi faktin se sistemi bankar shqiptar është i papërfshirë në krizën financiare të Europës. Sipas deputetit demokrat, Selami Xhepa, bankat kanë përdorur likuiditetin e brendshëm dhe kjo i ka bërë ato të qëndrueshme, por sipas tij, ato duhet të tregohen më dorëlëshuara në kohë krize, me qëllim që të nxisin investimet.
I të njëjtit mendim ishte dhe deputeti socialist, Arben Malaj, sipas të cilit tashmë kredia është bërë më e vështirë dhe më e shtrenjtë. Konferenca me temë “Pasojat rajonale të krizës ekonomike europiane” u organizua nga ambasada greke.  Paniku i bizneseve greke për t’i shpëtuar efekteve të krizës ekonomike po i detyron ata të investojnë kapitale në vende të tjera. Shqipëria po shihet si një vend, ku ndërmarrjet greke kanë të garantuar investimin e tyre. Por nga ana tjetër, kjo krizë ka ndikuar në rënien e shkëmbimeve tregtare, dërgesave të emigrantëve dhe uljes së konsumit familjar. “Kriza ekonomike europiane dhe ajo greke kanë dhënë efektet negative në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku pati ulje të rritjes ekonomike. Ndërmarrjet greke nisën të shohin zhvillimin e tyre jashtë Greqisë. Bankat greke kanë investuar rreth 70 të kapitalit në Serbi dhe Shqipëri. Greqia ka 900 degë në gjithë Ballkanin Perëndimor”, – deklaroi Franz Lothar, profesor për kërkimet ekonomike europiane. Shqipëria e ka Greqinë partnerin e dytë tregtar më të rëndësishëm, pas Italisë. Kriza greke ka ndikuar në rënien e volumit tregtar me Greqinë. Por nga ana tjetër, sistemi bankar shqiptar vijon të mbetet i sigurt dhe i besueshëm për qytetarët. Gjatë vitit 2012 pritet që në Europë të thellohet kriza edhe efektet e saj, ndaj edhe qeveritë duhet të marrin masa për t’u mbrojtur prej saj, ishte konkluzioni i ekspertëve, të cilët u mblodhën në një takim nga ambasada greke për të analizuar efektet e krizës. 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur