visi baner 5

Maturantët nga jashtë, kushtet për të vijuar studimet e larta në vend

 

Ministria e Arsimit përcakton rregullat dhe afatet që duhet të ndjekin maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, për të vijuar studimet e larta në Shqipëri. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka firmosur së fundi udhëzimin “Për procedurat e njehsimit të dëftesave/diplomave të shkollave të mesme të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë kryer arsimin e mesën jashtë shtetit”. Ndryshe nga më parë, nëpërmjet këtij udhëzimi, ministri i Arsimit ka vendosur afate për njehsimin e diplomave, jo vetëm për kandidatët që do të futen në provimet e Maturës për të vijuar shkollën e lartë në universitetet publike, por edhe për ata që duan t’i ndjekin studimet me kohë të pjesshme, apo të tjerë që kërkojnë universitetet private. Sipas rregullave të vendosura nga MASH, shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm. Zotërimi i gjuhës shqipe do të vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Në udhëzim sqarohet se për njehsimin e diplomave, kandidatët e interesuar për të vazhduar studimet e larta në universitetet publike duhet të paraqesin në MASH kërkesën dhe dokumentet e mëposhtme: dëftesën; diplomën së bashku me listën e notave të të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuara; fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, pasaportë ose letërnjoftimin), ndërkohë që për shtetasit e huaj kërkohet edhe leja e qëndrimit në Shqipëri (kopje e noterizuar).

Shtetasit shqiptarë apo të huaj që kanë fituar një diplomë të shkollës së mesme jashtë shtetit dhe duan të ndjekin programet e studimit universitare dhe jouniversitare në institucionet e arsimit të lartë (IAL) në vend, duhet të paraqesin dokumentet plotësuese të mëposhtme: kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL; dokumentin zyrtar nga vendi që vijnë, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera u jep të drejtën të vazhdojnë studimet universitare ose shkolla të larta jouniversitare në vendin ku kanë studiuar; certifikatën e njohjes së Gjuhës shqipe. Nga detyrimi i dhënies së provimit të Gjuhës shqipe do të përjashtohen të gjithë ata shtetas, të cilët kanë vazhduar studimet në shkollën e mesme në institucione arsimore që kanë program mësimor Gjuhën shqipe dhe Letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore. Të gjitha kërkesat do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm në MASH, për njehsimin e diplomave të shkollës së mesme të fituara jashtë vendit, i cili do të japë edhe vendimin për njohjen ose jo të provimeve të dhëna jashtë Shqipërisë. Kështu, në rastet kur komisioni i posaçëm në MASH vlerëson se shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe kërkojnë të vijojnë studimet në universitetet publike dhe private, nuk kanë dhënë provime të njëvlershme me Maturën Shtetërore të Shqipërisë (të detyruara dhe me zgjedhje), i kërkon shtetasve të mësipërm, të japin si provime të detyruara Gjuhë shqipe e Letërsinë (ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë dhe Matematikën. Po kështu, këta kandidatë duhet të japin edhe provimet me zgjedhje, duke ndjekur të njëjtat rregulla sikurse maturantët nga brenda vendit. Në këto raste, komisioni i posaçëm do të përllogarisë vetëm notën mesatare të shkollës së mesme. Në rastet kur vlerësohet nga komisioni i posaçëm se shtetasit shqiptarë dhe të huaj kanë dhënë provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, atyre do t’u përllogaritet nota mesatare, si dhe do t’u ekuivalentohen me shifër dhe fjalë notat e provimeve të detyruara. Kur do të vlerësohet se shtetasi shqiptar i ka kryer të gjitha detyrimet e Maturës Shtetërore ose ka dhënë provime pranimi për në universitet ose shkollat e larta jouniversitare të vendit ku ai vjen, komisioni i posaçëm do të përllogarisë notën mesatare; do të ekuivalentojë notat e provimeve të detyruara dhe të provimeve me zgjedhje; si dhe do ta përcjellë dokumentacionin në Agjencinë Kombëtare të Provimeve.

 

Afatet e ekuivalentimit

Periudha kohore e njehsimit të diplomave të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë fituar diplomë të shkollës së mesme jashtë shtetit do të jetë:

Prill-maj: për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet me kohë të plotë në universitetet publike.

Gusht-shtator: për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet në programet e studimit me kohë të shkurtuar në universitetet publike.

Gusht-dhjetor: për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet me kohë të plotë në universitetet private.

Në çdo kohë: për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që nuk kërkojnë të vazhdojnë studimet universitare në Shqipëri.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur