Studentët e UET, dhurata për gratë e burgosura

Një grup studentësh nga Universiteti Europian i Tiranës dhuruan libra për gratë dhe vajzat që vuajnë dënimin në Burgun 325 të kryeqytetit. Libra historikë, biografikë, romane, poezi, por edhe revista të lustruara femërore, ishin objekti i interesit dhe kuriozitetit për 57 gratë dhe vajzat e dënuara. Po kështu, në atmosferën e festave të 7-8 Marsit, disa studentë të degës Financë-Bankë ndërmorën nismën e shitjes së disa ëmbëlsirave në hollin e UET, duke pasur si synim që paratë e fituara t’i përdornin për vepra në ndihmë të komunitetit. “E kishim të qartë që paratë e fituara nga shitjet do t’i vinim në shërbim të grave, meqenëse dita e iniciativës sonë përkonte me Ditën Ndërkombëtare të Grave. Pasi e diskutuam me grupin, vendosëm që të bënim diçka për t’u ardhur sadopak në ndihmë grave të burgosura, sepse në ditë feste janë ato që festojnë më pak”, – është shprehur studentja Marinela Seitaj, e cila bashkë me disa kolegë të saj kanë krijuar brenda UET,  klubin e tyre “Biznes-Grup”, ku kanë vendosur të ngrenë një fond në ndihmë të komunitetit dhe shtresave në nevojë. Të prekura nga ky gjest, të dënuarat shprehën falënderimet e tyre për të rinjtë. “Falënderojmë studentët për këtë nismë që kanë marrë dhe ne do të ishim të interesuara të bashkëpunonim për aktivitete të mëtejshme. Ne i mirëpresim gjithmonë nisma të tilla që i bëjnë këto gra të ndihen pjesë e shoqërisë”, – pohoi përgjegjësja e Kujdesit Social në Burgun e Grave në Tiranë, Ingrid Balluku. Ndërsa përgjegjësja e Zyrës së Kujdesit ndaj Studentit në UET, Ina Zhupa, theksoi: “Ne duam ta vazhdojmë kontributin tonë me këto gra në çdo aspekt që do të mundeshim t’u vinim në ndihmë, ndoshta duke i vizituar më shpesh, duke komunikuar me to dhe duke ndihmuar sado pak edhe materialisht”. UET është shndërruar në nismëtar të fushatave në ndihmë të komunitetit dhe të ushtrimit të funksionit të tij social. Veç aktiviteteve të këtij lloji, UET ofron bursa studimi për shtresat në nevojë, grupet e diskriminuara, komunitetin rom etj.

 

Komentet janë mbyllur