Spekulimi me barazinë e votës

Partitë e vogla po kërkojnë ndryshimin e sistemit elektoral ekzistues, në favor të një proporcionali më të zgjeruar, që nënkupton ose korrektim kombëtar, ose kalim në proporcional të pastër kombëtar me një zonë. Por, paradoksalisht, sistemi që ata kërkojnë nuk u jep më shumë shanse, në mos u jep më pak, për t’u përfaqësuar në Parlament me forcat e tyre.

Po t’i shkosh më tej kësaj kërkese, vëren se thelbi nuk është thjesht proporcionaliteti, por proporcionaliteti pa prag elektoral. Që do të thotë, se në një rast të tillë, do të mund të futej në Parlament edhe një parti me më pak se 1% të votave, në rang kombëtar. Adoptimi i këtij lloj modeli, që nuk ekziston në asnjë vend me demokraci në zhvillim, d.m.th. heqja e pragut, në një sistem proporcional kombëtar, do ta çonte Shqipërinë drejt një destabiliteti të sigurt politik, si pasojë e futjes në Parlament të dhjetëra partive bazuar në mbështetje thjeshtë tribale. Politika do të orientohej drejt copëzimit derisa, nuk do të ishte çudi, të krijoheshin edhe nja 100 parti të tjera, që do të pretendonin të merrnin secila nga të paktën një deputet, sepse në rastin pa prag do mjaftonin vetëm 0.7% e votave, në rang kombëtar, për të garantuar një deputet (ndoshta do mjaftonin edhe 0.5% apo 0.3% të votave, bazuar në logjikën që po përdorin të vegjlit, për të çmuar njësoj peshën e votës). Partitë e mëdha do të shkonin në mënyrë reaktive drejt shkatërrimit, duke u kthyer në “shoqata gjuetarësh”.

Nëse do të ndodhte kështu, do duhej krijuar një qeveri ku numri i ministrave mund të ishte i barabartë me numrin e partive pjesëmarrëse në qeveri, një parti- një ministër, nga ku nuk do të merrej vesh se kush do të bëhej Kryeministër dhe sa kryeministra do të ngriheshin dhe binin brenda një mandati parlamentar. Zgjedhja e qeverive do të mund të bëhej vetëm me short dhe me rotacion tremujor, e kështu do i binte që çdo deputet të bëhej të paktën njëherë ministër. Parlamenti nuk do të kishte as pozitë e as opozitë, shkurt do ktheheshim në vitin zero. Dhe e gjithë kjo në emër të “barazisë së votës”.

Spekulimi me barazinë e votës të çon të mendosh se në Angli p,sh,, ku sistemi është i pastër mazhoritar, e ku mund të marrësh jo 3 por edhe 30% të votave dhe të mbetesh pa asnjë vend në Parlament, i bie që, në vendin me demokracinë më brilante të botës, nuk ekzistuaka askund barazia e votës!! Ndërkohë që, nëse këto vota do t’i nënshtroheshin një sistemi proporcional, do përktheheshin në afro 200 deputetë. Pra, sipas logjikës së partive “aleate”, i bie që demokracia e drejtpërdrejtë, sistemi mazhoritar, një ndër të preferuarit në demokracitë e zhvilluara, të jetë më i pabarabarti!

Demokracitë zhvillohen bazuar në sisteme funksionale përfaqësuese Po ndërtojmë një sistem barazie para ligjit dhe jo barazie në shpërndarje. Tentativa për barazi të këtij lloji, në përfaqësim, na çon në destabilitet.

Duke shfrytëzuar faktin që sistemi ekzistues është sistem koalicionesh, që nënkupton se dy partive të mëdha u intereson koalicion qoftë edhe me një parti-individ, për të rritur shanset e fitores, partitë e vogla po përpiqen nëpërmjet presionit ndaj partive të mëdha, sidomos pjesa e opozitës, ta çojnë vendin drejt një eksperimenti tjetër të panevojshëm, shumë më të padobishëm dhe më qesharak sesa Megadushku. Është e paqartë se çfarë nënkupton PS-ja kur shprehet e gatshme për ndryshimin e sistemit. Sepse çdo ndërhyrje në sistem, që përjashton heqjen e pragut, domosdoshmërinë e të cilit e shpjeguam hollësisht, nuk do të ndryshonte asgjë për partitë e vogla. Për ta pasur sa më të qartë faktin që sistemi proporcional kombëtar, me prag, është në disfavor të partive të vogla, mjafton që rezultatin e zgjedhjeve të kaluara ta fusim në një sistem të pastër proporcional, p.sh. me një prag prej 3%, nga më të ulëtit në Europë. Në zgjedhjet e vitit 2009 asnjë prej partive të vogla nuk arriti as t’i afrohej këtij pragu. Nëse do ishte votuar sipas një sistemi proporcional kombëtar, në Parlament do të kishim vetëm tri parti PD, PS dhe LSI. Tri partitë e tjera PR (2.1%), PBDNJ (me 1.2%) dhe PDI (sot PDIU me 0.9%) nuk do të kishin asnjë deputet sot. Sistemi ekzistues u jep shumë shanse partive që përfaqësojnë shtresa të veçanta të popullsisë shqiptare të futen në Parlament dhe djeg partitë e vogla, pa identitet, që tentojnë shtrirje kombëtare, në tym.

Problemi i partive të vogla, që nuk e përballojnë konkurrimin më vete, mund të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjeve të brendshme mes aleatësh që kanë nevojë për njëri-tjetrin, dhe sistemi që kemi krijon hapësira të gjëra për këtë. Duke qenë në momentin kulminant, të diskutimit për reformën zgjedhore, kusht i rëndësishëm për integrimin, varianti më i mirë, sipas meje, do të ishte që sistemi aktual të pasurohej më tej, nëpërmjet korrektimit kombëtar, me një prag prej 3%. Ky korrektim do ta çlironte konkurrencën politike nga trysnia vetëm e rajoneve, do t’u krijonte kushte të gjitha partive, që kanë relevancë, për t’u përfaqësuar në Parlament, dhe do të realizonte edhe kërkesën e partive të vogla për ”barazinë e votës”.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Spekulimi me barazinë e votës"

  1. leon  14/04/2012 at 11:00 pm

    I nderuari,zoti Bashkim Muca!Je munduar te gjykosh propozimet e partive te vogla dhe te jap te drejte per sa thua!!!Por…..ne thelb nuk te jap te drejte!!!Ne se marrim sasine e madhe te deputeteve,qe kemi sot ,plot 140 vete,qe i bie ,qe nje deputet te zgjidhet edhe me 5000 zgjedhes,ashtu eshte,pra te besoj se behet katrahure!!Por per ta bere voten e cdo shqiptari,qe te kete vlere te njejte,le te ndryshoje sasia e deputeteve nga 140 ,qe eshte sot ,ne 40 vete neser!!Pra do t’i bjere,qe nje deputet te zgjidhet,jo me 5000 zgjedhes,por me 50 mije apo 100 mije zgjedhes!!Keshtu le te hiqet PRAGU I FAMSHEM dhe barazohet vlera e votes se cdo shqiptari!!!Faleminderit per mirekuptimin!!!

You must be logged in to post a comment Login