“Neo-otomanizmi” si “gogol” dhe si realpolitik

(vijon nga dje)

 

Kolegu im i nderuar, Ferit Duka, në intervistën e tij për gazetën MAPO dy ditë më parë, pohon se “neo-otomanizmi” nuk përbën një rrymë, as edhe një frymë apo shqetësim që ka “lidhje me mjedisin shqiptar” dhe këtë, me një gjuhë të papërshtatshme për një medium publik, e lë të kuptohet që në titullin e intervistës, duke e quajtur “neo-otomanizmin” një “shpikje kalemxhinjsh grindavecë”. Unë jam tërësisht dakord me Dukën se “çdo përpjekje për të rikrijuar apo për të ringjallur realitete të së shkuarës në kushtet e sotme do të ishte…një utopi”. Një Shqipëri “otomane”, ashtu si edhe një Siri apo një Egjipt “otoman”, s’mund të jenë sot veçse fantazi të marrësh.Pokështu, një Shqipëri monarkiste ose komuniste janë krejtësisht të pamundura. Por unë nuk jam dakord me disa prej tezave që parashtron kolegu im në intervistën e tij.

Duka pohon se shoqëria e sotme shqiptare ka “një vetëdije të qartë për identitetin e saj të veçantë”, si edhe “një orientim të saktë në rrugën e zhvillimit, të përparimit dhe të qytetërimit perëndimor”. Debati i gjerë që zhvillohet prej disa vitesh në vendin tonë mbi këto çështje përkundrazi dëshmon se çështja e identitetit (Duka nuk thotë “kombëtar”, por “të veçantë”) të shqiptarëve nuk është kurdoherë dhe për të gjithë e qartë. Përveç kësaj, është i njohur pragmatizmi tradicional i shqiptarëve, të cilët, në rrethana historike të vështira kanë mundur të mbijetojnë duke iu përshtatur pikërisht atyre rrethanave, duke u konvertuar (shumica e tyre), shekuj më parë, në fenë islame të pushtuesit osman, ndërsa sot (një pjesë e tyre) në fenë zyrtare të fqinjëve grekë, një pjesë e vogël, madje, duke “ndërruar” edhe kombësinë (pra “identitetin” kombëtar) të tyre në “grekë”, ose “vorioepirotë”. Ky fenomen na jep arsye që, kur flasim për identitetin kombëtar të shqiptarëve, të mos e konsiderojmë atë si një kuantum të dhënë një herë e përgjithmonë dhe të pandryshuar. Identitetet janë konstruksione sociale; ato formohen, por ato edhe ndryshojnë në varësi të rrethanave historike (identiteti amerikan, identiteti europian, identiteti slloven etj).

Për shekuj me radhë, gjatë dhe pas asaj që njihet si “periudha klasike” në historinë e Perandorisë Osmane (fillimi i shekullit të 14-të deri në fund të shekullit të 16-të), popullsia që jetonte në trojet shqiptare u bë pjesë e popullsisë së një shteti perandorak, sundimi i të cilit u shtri në territore më të mëdha se gjysmë milion km2 dhe në të cilat jetonin rreth 40 milionë njerëz, më shumë se 7 për qind e popullsisë së atëhershme të globit. Popullsia e kësaj perandorie ka qenë tepër heterogjene dhe, qysh nga fillimi, turqit osmanë ndoqën një strategji të transferimit me forcë të popullsive nga njëra provincë e perandorisë, në tjetrën. Janë të njohura dhe të dokumentuara shpërnguljet e dhunshme të popullsisë së krishterë nga Ballkani në Anadoll, si edhe shpërnguljet e popullsive joeuropiane, përfshirë edhe shumë familje nomade “arabe” me ngjyrë të zeshkët (“kara göçer arap evleri”), siç raportojnë regjistrat e popullsisë (tahrir defters) të qyteteve dhe të provincave të asaj kohe, në Rumeli, përfshirë edhe pjesën jugperëndimore të Ballkanit.

Gjatë gjysmëmileniumit të sundimit osman në trojet e tyre, shqiptarët, në masë dhe në kushte shumë të vështira, mundën ta ruajnë identitetin e tyre etnik, gjuhësor dhe kulturor si popull, në një kohë që ata ende nuk ishin formuar si një komb i veçantë. Z. Duka jo pa të drejtë vë në dukje se “të gjitha periudhat historike”, pra edhe “periudha osmane” (unë do të saktësoja duke thënë periudha e sundimit osman), nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, “kanë ndikuar në mënyrë të dukshme në kulturën dhe në identitetin e tij”. Por mbi këtë bazë, ai nxjerr përfundimin e pasaktë se “komponentja osmane ose orientale”, (“nuk ka rëndësi sesi e quajmë”, thotë ai), vazhdon të jetë e pranishme në “karakteristikat identitare të shqiptarëve”. Me këtë unë nuk pajtohem.

Së pari, ka shumë rëndësi ta quajmë saktë atë që Duka (për të cilin kjo s’ka rëndësi) e quan “komponente osmane ose orientale”. Nëse ndikimet e kulturës osmane, përfshirë edhe ato në leksikun e gjuhës shqipe, në besimet fetare dhe në mënyrën e jetesës së një pjese të popullit shqiptar kanë ardhur si rezultat i pushtimit të gjatë osman, këto ndikime nuk mund të quhen “karakteristika identitare të shqiptarëve” (siç mendojnë Rexhep Qosja dhe Ferit Duka). Ato nuk mund të shërbejnë për të përcaktuar identitetin kombëtar të tij, i cili është dukshëm joosman dhe jooriental.

Së dyti, ndryshe nga kolegu im Duka, unë mendoj se çështja e identitetit kombëtar dhe ajo e orientimit politik të një vendi (drejt Perëndimit) janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Populli turk ka një identitet dhe një kulturë orientale shumë të ndryshme nga identiteti dhe kultura jonë kombëtare, por edhe ai është i orientuar, gjithashtu, prej dekadash të tëra, drejt Perëndimit. Të thuash se shqiptarët kanë një identitet “të veçantë”, nuk ke thënë asgjë (identiteti është gjithmonë i veçantë) dhe, po kështu, asgjë nuk ke thënë vetëm nëse pohon se shqiptarët, “në shumicën e tyre dërrmuese janë përfshirë brenda rrymës së madhe të zhvillimit e të modernizimit”. Kjo, gjithashtu është e vërtetë edhe për Turqinë moderne dhe popullin e saj. Madje, asnjë vend dhe asnjë popull në kohën tonë, me përjashtim të komuniteteve më të prapambetura, në skajet më të largëta të globit, nuk ka mbetur pa u përfshirë në proceset modernizuese dhe globalizuese të sotme. Ajo që unë (dhe shumë të tjerë si unë) ende nuk e shohim të ndodhë në Shqipëri, është se, pavarësisht traditës historike, konstituimit shpirtëror dhe vokacionit të vërtetë perëndimor të popullit tonë, klasa politike dhe drejtuesit e tij të sotëm nuk e kanë (ose e kanë humbur) aftësinë për t’u orientuar drejt në kushtet e zhvillimeve të sotme globale. Ndryshe nga Duka, unë mendoj se kjo klasë politike dhe ata që drejtojnë shtetin shqiptar në këtë njëqindvjetor të jetës së tij si shtet i pavarur po tregojnë se janë të çorientuar politikisht dhe ideologjikisht, se nuk dinë të përcaktojnë prioritetet për zhvillimin e vendit dhe nuk mund ta integrojnë atë në bashkësinë europiane.

Unë nuk them se segmente të caktuara të politikës shqiptare kanë një axhendë “neo-otomaniste” dhe, ashtu si kolegu im Duka, nuk besoj se “neo-otomanizmi” është bërë, ose përbën një “frymë” apo “shqetësim” për shoqërinë tonë. Ndryshe nga ai, unë besoj se “neo-otomanizmi” (ose sido që ta quajmë ideologjinë politike që ai përfaqëson), është bërë sot pjesë e politikës së shtetit turk. Edhe pse termi “neo-otomanizëm” është përdorur për të parën herë nga shtypi grek, pas zbarkimit të forcave ushtarake turke në Qipro, në vitin 1974, në kuptimin më të gjerë të fjalës “neo-otomanizmi” (Yeni Osmanlıcılık), është një ideologji politike, e formuluar nga ministri i Jashtëm aktual turk, Ahmet Davutoğlu, të cilit shpesh i referohen si “Kisingeri turk”. Kjo ideologji synon një politikë të jashtme më aktive dhe një angazhim më të madh të Turqisë (përmes asaj që në zhargonin e sotëm quhet “soft power”) në rajonet rreth saj, pra në ato shtete, të cilat dikur kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane.

Kolegu im Duka, me modesti i shmanget rolit të “gjeopoliticienit” dhe nuk merr përsipër ta trajtojë “neo-otomanizmin” si një politikë të shtetit të sotëm turk. Ai beson se politika e jashtme e Turqisë nuk është një “orvatje për sfera influence”, por thjesht një “e drejtë dhe përpjekje e saj për të bërë të njohur kulturën turke nëpër botë”, me fjalë të tjera “diplomaci publike”. Unë nuk e gjykoj domosdo negativisht një politikë të tillë, madje nuk i paragjykoj as përpjekjet e Ankarasë për të fituar një rol më aktiv në rajonin e Lindjes së Mesme. Unë e justifikoj një politikë të tillë. Edhe më parë kam vënë në dukje se standardi i dyfishtë, me të cilin Brukseli e ka trajtuar deri më sot çështjen e pranimit të Turqisë në BE, me të drejtë ka krijuar indinjatë dhe zemërim në radhët e politikanëve dhe në një masë të gjerë të qytetarëve turq. 13 vjet pas njohjes së statusit të vendit kandidat dhe 7 vjet pas fillimit të negociatave me Brukselin, Turqia vazhdon ta shohë veten ende larg portës së BE-së. I kontestuar fuqimisht nga Franca, Gjermania dhe Austria, anëtarësimi i Turqisë në BE duket më shumë i pamundur, sesa i mundur.

Çfarë mund të bëjë Turqia në rrethana të tilla, kur në Ankara, qëndrimi i Brukselit ndaj aspiratës dhe përpjekjeve të saj të sinqerta për anëtarësim në BE shihet gjithnjë e më shumë si hipokrizi dhe si një qëndrim poshtërues për një vend të madh si Turqia? Nëse Brukseli do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim si deri më sot, rezultati do të jetë një Turqi edhe më e zhgënjyer dhe e përçarë në mënyrë antagoniste midis forcave islamiste fondamentaliste dhe atyre nacionaliste e militariste, të cilat, paskëtaj, do ta kthenin vështrimin drejt Lindjes së Mesme (është ky “neo-otomanizëm”?) për të gjetur aleatë dhe partnerë të rinj, ndërsa do ta shihnin Europën si kundërshtaren e tyre. Kjo nuk është thjesht hamendje. Kjo po ndodh realisht, fjala vjen, në marrëdhëniet e Turqisë me Iranin. Edhe pse anëtare e NATO-s, Turqia është shprehur në favor të së drejtës së Iranit për të prodhuar energji bërthamore për përdorim paqësor dhe ka votuar, si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kundër sanksioneve ndaj Iranit, të propozuara nga Uashingtoni dhe nga vendet e BE-së. Edhe pse, në fakt, Turqia ka shumë më pak afinitet natyror me botën arabe, sesa mendojnë zakonisht elitat politike në Francë apo në Gjermani, nëse qëndrimi i BE-së ndaj Turqisë nuk ndryshon, kjo e fundit mund të shkonte edhe më tej, duke dalë në mënyrë të njëanshme nga Bashkimi Doganor me BE-në dhe duke i orientuar edhe më tej interesat dhe vëmendjen e saj në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Azinë Qendrore, si edhe duke u afruar më shumë me Rusinë.

Ky nuk është “neo-otomanizëm”, sepse otomanizmi nuk mund të rikthehet më. Ky është  një ridimensionim i politikës së jashtme të Turqisë, e cila, përballë qëndrimit dyfaqësh të BE-së dhe në emër të interesave kombëtare të saj, duket se i ka zëvendësuar sloganet emocionale me një realpolitik, nga i cili as ne, shqiptarët, as popujt e tjerë të Ballkanit, nuk ka pse të shqetësohemi.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

11 Responses to "“Neo-otomanizmi” si “gogol” dhe si realpolitik"

  1. Paul Tedeschini  18/04/2012 at 1:58 pm

    Edhe Musolini desht te rikrijonte gjate 20 vjeçarit te tij Perandorine Romake. Dhe “ia doli”!

  2. Bombaxhiu  18/04/2012 at 4:27 pm

    Profesor Ferit Duka eshte nje njeri i nderuar, nje petagog i shkelqyer i Historise, isht lektori im. Por ne intervisten e tij te para disa diteve nuk me pelqeu as mua. Analiza e z.Tarifa eshte deri diku e qarte,konkrete dhe e drejte,por, nuk duhet te harrojne as z.Duka as z.Tarifa se ne Shqiperi ka shume njerez dhe tek-tuk dhe ndonje politikan mendje-lehte qe enderrojne “neo-otomanizmin” e predikuar nga davatoglu

  3. d  18/04/2012 at 6:15 pm

    Shqiptarët dhe turqit, nuk kanë dallime të thella kulturore, ashtu siç nuk ka dallime të tilla midis të gjithë popujve në Ballkan. Ballkani është një mozaik kulturor me ngjashmëri të mëdha, ku sidoqoftë, çdo popull ka ruajtur njëkohësisht edhe veçantinë e vet. Mjafton të shohësh arkitekturën, muzikën, veshjet, por edhe zakonet, traditat, vlerat dhe nuk ka nevojë të procedojmë më thellë. Të paktën, mund të themi se jemi shumë herë më të ngjashëm me njëri-tjetrin sesa me europianët, për të cilët brohorasim me të madhe se u përkasim.
    Besoj se është e tepërt të shpjegojmë se shqiptarët ngjajnë më shumë me turqit, grekët, sllavët, sesa me britanikët, suedezët, gjermanët, apo edhe francezët dhe italianët që i kemi më afër. Problemi në këtë rast është se klishetë ideologjike na pengojnë të shohim ngjashmëritë aty ku ato janë krejt të dukshme, ndërkohë që nga ana tjetër na bëjnë t’i theksojmë fortë këto edhe aty ku nuk ekzistojnë. Duke qenë një kulturë në krizë, jemi të prirur të gjejmë më shumë ngjashmëri me të largëtit sesa me të afërtit. Kjo na bën që të largëtit t’i shohim me dylbi për të zmadhuar ngjashmëritë, ndërsa të afërtit t’i shohim duke përdorur anën e kundërt të dylbive, për t’i bërë ato sa më të padukshme. Kjo do të na japë me siguri rezultatin e kërkuar paraprakisht.

    Vazhdimin mund ta gjeni ketu: http://www.e-zani.com/2012/04/11/neo-osmanizmi-alarm-i-rreme/

  4. Saimiri Ireland  18/04/2012 at 6:26 pm

    analize e shkelqyer z Tarifa pergezime

  5. arnaut  18/04/2012 at 7:33 pm

    z. Tarifa thote: “Nëse ndikimet e kulturës osmane, përfshirë edhe ato në leksikun e gjuhës shqipe, në besimet fetare dhe në mënyrën e jetesës së një pjese të popullit shqiptar kanë ardhur si rezultat i pushtimit të gjatë osman, këto ndikime nuk mund të quhen “karakteristika identitare të shqiptarëve” ”

    Pra, nese une jam shqiptar mysliman, ashtu sic shumica e shqiptareve, une nuk mund ta quaj fene time si “karakteristike identitare” timen? Kjo me duket pak si pa lidhje Profesor Tarifa, a mund te zgjeroheni pak me shume rreth kesa pike?

    Une personalisht ndihem shume rehat me identitetin tim si shqiptar patriot qe e do shume vendin e tij, por edhe si besimtar mysliman, qe per shkak te besimit ndjen nje afersi fetare me turqit, arabet, afrikanet, apo malajzianet myslimane, e po ashtu si qytetar europian qe per shkak te gjeografise sone te perbashket dhe marredhenieve kulturore e historike, ndjen nje afersi kulturore dhe me Italianet, Greket, Francezet, Gjermanet etj.

  6. Pingback: Leksione kontradiktore mbi identitetin osman dhe shqiptar - E-Zani i Nalte

  7. amerikani  18/04/2012 at 10:21 pm

    Si more zoti tarifa,europa na qenka hipokrite dhe poshteruese ndaj turqise?!!!po turqia a ka ndonje faj more zoti tarifa ne kete marredhenie?A ka ndonje problem turqia me standartet demokratike apo jo?Po me problemin kurd dhe me qipron a nuk sheh ndonje problen zoti tarifa,po me lirine e fese dhe me lirine e shtypit zoti tarifa a sheh ndonje problem?
    Meqe europa qenka e tille pse duhet ne shqipetaret te shkojme drejt saj?!
    levantinet ne shqiperi jane mesuar me standarte alla turka dhe kerkesa per standarte europiane i duket hipokrizi……

  8. selco  19/04/2012 at 2:13 am

    Fatos Tarifaj, Ide si ato te ambasadorit Ryerson se komunistet qe kane bere krime duhet te ndeshkohen jane te tejkaluara. Edhe Balles ja bere syte gjashte nga kater qe i ka. E gezofshim “demokracine” me nje mendimtar si ty.

  9. abc  19/04/2012 at 12:34 pm

    Tragjedia historike shqiptare aktuale,duke u pare ne sfondin e nje bote demokratike perreth, perben gjemen me te madhe dhe absurde,te ekzistences se saj.Shqiperia prej kohesh sundohet nga nje haxhiqamil verior,diktator djallezor dhe i eger.I gjithe institucioni shqiptar, udhehiqet nga i njejti lloj si ai vet, qe ai i ka afruar dhe i stimulon.Me forcen dhe mjetet e pushtetit, ai ka perhapur, ne gjithe qelizat e etnise shqiptare,te vendosur ne Europe, kete infeksion malinj mesjetar turko-arab.Aty dhe ne institucionin e larte arsimor shqiptar,predikohet dhe merren grada doktor-profesora, duke hedhur balte mbi heronjte kombetar dhe duke hymnizuar,pushtuesin e e eger injorant dhe denatyrues osman.Dhe Sali Berisha, hipur mbi kalin osmano-arab eshte konstant ne kete shkaterrim nga themeli te etnise shqiptare, me ngritje dhe ulje sipas forces kundershtuese te momentit.Kjo eshte gjeme dhe cmenduri njekohesisht, vazhdohet te behet sehir nga te gjithe ne,

    • loni  19/04/2012 at 5:55 pm

      Pasi lexon amalizen profesionale te profesor Tarifes (te them te drejten nuk mendoja se kishte nje formim te nje kapaciteti te tille te larte intelektual dhe te nje dipllomati me njohuri te larta profesiionale, mbase nga paragjykimi qe kisha per te si socialist), kur lexon keto idiotesi primitive militante tende more abc, atehere e kupton se pse Shqiperia eshte i vetmi vend ish komunist i Evropes qe pasi permbysi diktaturen komuniste, riktheu revolucionin bolshevik te 97-tes dhe vazhdon akoma edhe sot me mendesine e marjes se pushtetit me dhune.

      • abc  20/04/2012 at 10:57 am

        Mazllem,se pari hiq nj here shallvaret e halldupit, per respekt te njerezve qe te rrethojne. Por shallvaret me te cilen ke mbuluar trute, or Mazllem dhe nqse ke deshire ti heqesh, ato duan breza te tera.

You must be logged in to post a comment Login