Startup Weekend Tirana, projekti i të rinjve nga UET merr çmimin e parë

Ideja e paraqitur nga pesë të rinj të Universitetit Europian të Tiranës, një faqe online për të shitur punimet artizanale të grave në pension, është vlerësuar me çmimin e parë në konkursin “Startup Weekend Tirana”. Për 54 orë, rreth 100 të rinj që morën pjesë në projektin “Startup Weekend Tirana” që u zhvillua në UET, futën në garë idetë kreative që mund të shndërrohen në biznese në fushën e teknologjisë. Fituesit e këtij konkursi që realizohet për herë të parë në vendin tonë, janë shpallur ditën e djeshme në një ceremoni të veçantë, të organizuar në mjediset e UET, ku kanë qenë të pranishëm edhe ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, zv/ambasadori i Norvegjisë, Jon Hansen, drejtues të AITA-s, pedagogë të universiteteve të ndryshme etj. Ministri Pollo, gjatë përshëndetjes së tij përgëzoi organizatorët për aktivitetin, si dhe pjesëmarrësit me projektet fituese. “Kjo është një garë e mrekullueshme, – theksoi ministri, – një garë midis studentëve, që provon se mendjet e reja janë më të hapura dhe si të tilla, me kreativitet. Projekti i së ardhmes ‘Shqipëria Dixhitale’ i qeverisë, do të vazhdojë të mbështesë sipërmarrjet në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe do të mundësojë punësim në Shqipëri për diplomantët në këtë fushë”. Ndër shumë ide për të zhvilluar projekte që më pas do të shndërrohen në biznese të mirëfillta, tri u përzgjodhën si më kreativet e këtij konkursi teknologjie informacioni. Studentët e Informatikës-Ekonomike në Universitetin Europian të Tiranës që morën edhe vendin e parë, zhvilluan idenë dhe mirëmbajtjen e një biznesi “e-commerce”. Ky projekt synon shitjen për një publik ndërkombëtar të produkteve shqiptare të artizanatit, me synim aktivizimin e grave në pension e të papunësuara, për t’u përfshirë në proces pune dhe mirëmbajtjeje e zhvillimi të mëtejshëm të traditës së mirë shqiptare të artizanatit. Studentët që zhvilluan platformën fituese e që më vonë do të mbështeten për t’u shndërruar në një biznes, janë: Arianita Toçi, Fabjan Lashi dhe Dorian Hoxha, nën mbikëqyrjen e profesorit të UET, Erjon Curraj. Në vend të dytë u përzgjodh “6 frames”, platforma e krijuar si një portofol online, ku mund të ngarkohen video nga artistë të rinj, studentë, biznese apo universitete që duan të promovohen. Vendin e tretë e fituan një grup të rinjsh që zhvilluan idenë e një platforme online të aplikueshme edhe në celularë “Albanian tourist guide”. Ky projekt synon promovimin e Shqipërisë tek turistët e huaj, duke përfshirë brenda çdo lloj informacioni që mund  t’i nevojitet një turisti. Projektet u vlerësuan nga një juri specialistësh teknologjie nga Shqipëria dhe vende të tjera të Europës, ku është aplikuar më parë”Startup Weekend”.

 

Studentët e Informatikës-Ekonomike në UET zhvilluan idenë dhe mirëmbajtjen e një biznesi “e-commerce”. Ky projekt synon shitjen për një publik ndërkombëtar të produkteve shqiptare të artizanatit, me synim aktivizimin e grave në pension e të papunësuara, për t’u përfshirë në proces pune dhe mirëmbajtjeje e zhvillimi të mëtejshëm të traditës së mirë shqiptare të artizanatit.

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur