Pranga në Vlorë të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë në Itali

Një person i rrezikshëm, i arratisur nga burgu i Vogeras në Pavia të Italisë bashkë me dy të dënuar të tjerë po shqiptarë, është zbuluar dhe arrestuar dje në qytetin e Vlorës, në operacionin e koduar “I arratisuri”. 34-vjeçari Leonard Myrtaj, banues në fshatin Trevllazër të rrethit Vlorës, u arrestua nga policia pasi duhet të vuajë të paktën edhe 14 vjet burg në Itali për pengmarrje, trafik droge dhe grabitje, pa llogaritur dënimin për arratisjen një vit më parë. “Leonard Myrtaj ishte një shtetas i rrezikshëm dhe njihej për lidhjet e tij me Dritan Rexhepajn, i akuzuar për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, i arrestuar dhe i arratisur bashkë me Myrtajn nga Italia”, – njoftoi policia e Vlorës.

“34-vjeçari Myrtaj ishte shpallur në kërkim nga Interpoli, pasi Gjykata Penale e Firences e kishte shpallur fajtor duke e dënuar me 16 vjet, 11 muaj dhe 2 ditë burg për veprat penale “posedim dhe shpërndarje lëndësh narkotike”, “vjedhje”, “rrëmbim personi”, njoftoi policia. Ndërkohë dyshohet se personi në fjalë është përfshirë në aktivitet kriminal edhe në Shqipëri dhe sipas policisë po hetohet edhe për këto krime.

Arratisja

Edhe pse të mbikëqyrur në mënyrë të veçantë, të burgosur me regjimin e ashtuquajtur të sigurisë së lartë, tre shqiptarë, mes të cilëve edhe Leonard Myrtaj, kanë arritur të arratisen nga burgu i Voghera-s duke sharruar hekurat e dritares së qelisë. Myrtaj, i burgosur për pengmarrjen, ishte bashkë me Dritan Rexhepajn, 31 vjeç, i dënuar në Itali për “tentativë vrasjeje”, ndërsa kërkohej edhe nga Shqipëria për vrasjen e dy punonjësve të policisë, si dhe Ylli Ndoi 34 vjeç, i dënuar po për “tentativë vrasjeje”. Të burgosurit përfituan nga reduktimi i numrit të rojeve dhe gjatë orës së ajrimit kanë dalë nga një dritare, së cilës më parë i kishin sharruar shufrat e hekurit. Prej aty kanë zbritur në tokë me litarë të bërë me çarçafë të lidhur dhe ia kanë mbathur më këmbë fushave në periferinë në perëndim të Voghera-s deri në rrugën “Castagna”. Këtu kanë bllokuar një makinë të drejtuar nga një grua; e kanë zbritur me forcë këtë të fundit dhe kanë hipur të tre e janë zhdukur. Deri dje kur policia arrestoi Myrtajn, nuk kishte asnjë shenjë prej të arratisurve më 17 mars të një viti më parë.

Pengmarrja

Leonard Myrtaj u dënua me 17 vjet burg në Itali së bashku me të vëllanë Ervinin, pasi morën peng një biznesmen më 17 janar të 2009-ës në Moneglia, një provincë pranë Xhenovas. Leonard Myrtaj u arrestua atëherë në portin e Brindisit në tentativë arratisjeje, pasi u kap duke hipur në një anije, e cila do të nisej drejt Vlorës. Arrestimi i tij u krye falë përgjimit të një bisede telefonike që 30-vjeçari po bënte me familjarët në Shqipëri. Gjatë bisedës ai njoftonte familjarët për rikthimin e tij në atdhe. Konflikti mes tyre dhe italianit kishte nisur për një borxh kokaine prej 12 mijë eurosh. Vëllezërit akuzohen se e kishin rrahur italianin dhe e kishin kërcënuar me një pistoletë, deri sa familjarët e këtij të fundit kanë pranuar të paguajnë paratë që ata kërkonin.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login