Miratohet ligji për Gjykatën Administrative

Komisioni Parlamentar i Ligjeve i ka dhënë fund dje draftit për Gjykatën Administrative. Pas shumë debatesh ndërmjet mazhorancës dhe opozitës dhe një periudhe prej afro 6 muajsh, komisioni vendosi ngritjen e 6 gjykatave në rrethe dhe 1 gjykate apeli në Tiranë. Përveç 6 gjykatave, sipas anëtarëve të komisionit, një pjesë e proceseve gjyqësore mund të zhvillohen në godinat ekzistuese. Nga ana tjetër, kolegji pranë Gjykatës së Lartë do të përfshihet te ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë. Ligji pritet të kalojë në votim në seancën plenare të javës që vjen, ndërsa menjëherë pas miratimit të tij do kërkohet edhe ngritja e strukturave të kësaj gjykate.  Përsa i përket procedurave të tejzgjatura, ngritja e kësaj Gjykate pritet të jetë zgjidhja e problemeve të biznesit dhe qytetarëve me shtetin.  Relatori i çështjes, Armando Subashi, është shprehur se ligji i miratuar krahasuar me draftin paraprak sjell përmirësime, duke bërë ndryshime edhe në të gjitha nenet. “Ligji që u miratua në tërësinë e vet sjell përmirësime në draftin paraprak, duke shtuar nene dhe duke bërë ndryshime konkrete të çdo neni. Pjesa tjetër do t’i takojë komunitetit të gjyqtarëve, por unë shpresoj që kemi bërë gjënë e duhur për të dhënë drejtësinë administrative”, – tha  Subashi. Së fundi, ai shtoi se Gjykata Administrative do të jetë e përbërë nga tre nivele: Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Kolegji, ndërsa Kolegji Administrativ do të jetë i posaçëm, me një trupë të specializuar në këtë fushë, e cila do të gjykojë vetëm çështje administrative.

 

 

Komentet janë mbyllur