Lamtumira e fundit për Ardian Klosin, Rama nuk i mban lotët

Në Sharrën që nuk pranon më të vdekur, për të ishte “porositur” një vend, ku Ardian Klosi, që prej orës 3 të ditës së djeshme prehet ngjitur me vëllanë e tij, në hyrje të varrezës. Rreth orës 14:45 kortezhi i përmotshëm me trupin e pajetë të Ardian Klosit ka mbërritur në varrezën e Sharrës, ku ai vendosi të kishte shtëpinë e përjetshme. Në varrin e hapur nga punonjësit e Shërbimit Funeral, papritur filloi të dilte ujë, që nisi të hiqej në mënyrë të vazhdueshme nga të ngarkuarit për këtë punë. Në fakt, pyetja e parë që të lindte në mendje sapo hyje në Sharrë ishte se ku ishte gjetur ajo pak tokë për një njeri të madh, dhe pikërisht pranë vëllait të tij Petrit Klosi, i cili ka humbur jetën në një aksident tragjik në vitin 2005. Punonjësit e Shërbimit Funeral treguan se ajo tokë është ruajtur që kur ka vdekur Petrit Klosi, e që çuditërisht nuk është përdorur për varrimin e nënës së tyre nëntorin e kaluar, që bashkë me të shoqin prehet në anën e majtë të varrezës, pothuajse paralelisht me dy vëllezërit në të djathtë. “Kjo tokë nuk ka qenë e zënë, e kanë ruajtur që kur i vdiq vëllai, nuk e dimë se për kë, prindërit e tij e kanë varrin në anën tjetër, po në këtë drejtim”, – thotë punonjësi i Shërbimit Funeral, duke treguar me dorë se ku ishin varret e prindërve të Ardian Klosit.

Para mbërritjes së arkivolit me trupin e pajetë të Klosit, në Sharrë arritën më herët disa të afërm të tij, shokët, miqtë, kolegët, të cilët ende nuk e besonin dot se gjendeshin aty për t’i thënë lamtumirë njeriut që “shkuli” pa frikë zemrat e qindra njerëzve. Përveç të afërmve, në ceremoninë e varrimit morën pjesë njerëz të njohur të medias, artit, kulturës, politikës, si: Artan Lame, Artan Shkreli, Ledi Shamku, Auron Tare, Timo Flloko, Preç Zogaj, Arlinda Dudaj, Gramoz Ruçi, Elisa Spiropali etj. Nuk mungonte as ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, si i vetmi përfaqësues nga mazhoranca.

Varrimi

Pas gati një orë në pritje, ndërsa ishte ulur edhe niveli i ujit në varr, makina që mbante brenda arkivolin me trupin e Ardian Klosit qëndroi para vendit të paracaktuar. Të parët që u gjendën pas saj ishin pikërisht gruaja e tij Juta Benzenberg, dy vajzat Ana dhe Katerina, motra, si dhe “sivëllai” i tij, lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, bashkë me të shoqen, Linda. Shoqëruesit e parë të të ndjerit, të vendosur në rresht gati 2 metra larg varrit, mblodhën forcat për takimin e fundit me Klosin. Ende pa u zbritur arkivoli nga makina blu e errët e funeralit, e tejmbushur me kurora me lule shumëngjyrëshe, bijat e tij nuk i mbajtën dot lotët. Në këtë moment, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbështjell në gjoks njërën nga vajzat e Klosit, duke e mbajtur atë të shtrënguar pas vetes për disa minuta, e ndërsa nuk nguronte që t’ia puthte kokën me flokët konjak në mënyrë të pareshtur. Për një çast, pëshpërimat e Ramës në veshin e vajzës e bënë atë që t’i dilte një e buzëqeshur si ato që ajo ia dhuronte të atit, ndërkohë që sytë iu ngulën mbi arkivolin, që nxirrej tanimë nga makina, për t’i thënë fjalët e fundit Ardian Klosit, që i ishin besuar një prej mikeve të tij më të ngushta, gazetares Rundina Xhunga. Para arkivolit që u vendos midis familjes dhe shoqes së tij, Rudina Xhunga tha fjalët e lamtumirës para trupit të pajetë të Klosit, që u shoqëruan me lotët e gjithë të pranishmëve në varrim. “Dani do donte që kaq shumë njerëz të ishin në njërin prej takimeve që ai ka pasur për librin, apo në luftën kundër plehrave, apo në të gjitha luftrat që Dani bënte. Sot jemi për t’i thënë lamtumirën një njeriu që iku nga jeta e tij, por nuk ka ikur nga jeta jonë. Është në jetën time, është në jetën tonë, si dëshpërim, si frikë, si ankth, si mallkim, si urim, si premtim: Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!”, – tha ndër të tjera në fjalimin e lamtumirës Rudina Xhunga.

Pas fjalimit të saj, të afërmve të të ndjerit, pranë të cilëve ishte edhe deputeti socialist Blendi Klosi, iu dha edhe shenja për takimin e fundit me Ardian Klosin, i “mbyllur” në një arkivol të thjeshtë, me dërrasën bojëkafe të ëmbël, rrethuar nga një dantellë dhe lule të bardha. Të parat që u përulën mbi arkivolin e të atit ishin dy vajzat e tij bashkë me mamanë e tyre gjermane, Jutta Benzenberg, e cila qëndroi e fortë deri në fund, duke mos derdhur asnjë pikë lot për bashkëshortin e saj. Në takimin e fundit me të atin, vajza e tij e vogël Katerina nuk reshtte së thëni: “babi, babi im, babi”, ndërsa puthte me ngashërim edhe arkivolin. Kështu, Juta i mbështjell të dyja në gjoks, duke i lënë radhën motrës së Klosit, dhimbja dhe lotët e së cilës nuk kishin të ndalur, të qëndronte edhe pak minuta pranë të vëllait. Nën zë ajo pëshpëriste disa fjalë nga të cilat shquhej me vështirësi vetëm një “Përse”. Të afruar edhe më shumë pranë arkivolit, lotët në këtë çast nuk i janë mbajtur më askujt, madje ata kishin të filluar të rrëshqisnin natyrshëm edhe poshtë syzeve të errëta të Ramës, në shoqërim me lotët që binin mbi faqet e Lindës. Fillimisht, duke e mbajtur gojën të zënë fort me dorën e djathtë, ndërsa e majta qëndronte mbi supin e Lindës, dhimbja për mikun e tij më të ngushtë që po ulej nën tokë po gulçonte brenda tij, dhe këtë vuajtje Rama e shoqëroi duke kafshuar gishtat si për ta sfiduar atë që nuk donte ta ndiente. Arkivoli është futur në banesën e përjetshme të Klosit me ngashërime lotësh pa fjalë, e ku buqetat e para të luleve atij i janë dhënë me vete nga Ana dhe Katerina, të cilat nuk po mundeshin ta mbulonin në këtë mënyrë të atin, por që, sipas traditës, i mësuan të hidhnin nga një dorë dhe, të cilat nuk u mbushën dot në asnjë rast plot, por thjesht me disa thërrime. U deshën pak minuta për ta futur nën tokë Ardian Klosin, dhe i pari që hodhi buqetën me lulet e bardha mbi të, që u pasua nga disa të tjera radhazi, ishte Edi Rama, i cili duke u larguar nga Klosi mbajti për pak çaste frymëmarrjen, duke shfryrë më pastaj faqet në mënyrë dëshpëruese. Kurorat me lule mbuluan krejt varrin e sapohapur, ndërsa të pranishmit nisën të largoheshin nga varrezat duke e kthyer edhe njëherë kokën pas.

 

Fjala e lamtumirës

Rudina Xhunga: Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!

 

Kur Robert Elsie më tha gjatë një interviste, se po të ishte shqiptar, do të ishte çmendur, unë mendova për Ardianin.

“Unë jam i brishtë, tha Elsie. Jam si një lepur. Nuk do ia kisha dalë dot këtu.”

Doja që Ardiani ta kishte dëgjuar atë intervistë.

Pastaj pyeta Johnathan Franzen, si ia kishte bërë ai, që ia kishte dalë, kur shoku i tij më i mirë, rivali dhe kolegu David FosterWËallace, kishte vrarë veten.

Dhe kur Franzen rrëfente për shokun, mikun, kolegun dhe rivalin e vetëvrarë, unë mendoja përsëri për Ardianin.

Doja ta dëgjonte edhe këtë intervistë.

Sot, tek jam këtu, për takimin e fundit, nuk arrij të kuptoj pse i bija aq larg edhe gjatë?

Pse nuk e ndaloja, njërën prej herëve, kur e ndeshja në shëtitjen liqenit, dhe thjesht ta pyesja?

Pse bëja sikur nuk e shikoja, kur ai vinte përballë meje me biçikletë dhe unë me kapele e syze, ulja kokën?

Ishte kaq e thjeshtë.

Unë e ndërlikoja, duke dashur t’i dërgoja mesazhe në hapësirë, kur ai ishte dy hapa afër, çdo pasdite nga liqeni.

Mund ta kisha pyetur çdonjërën prej atyre ditëve: ”Si je Dan? Bëj dot gjë për ty?”

Sot është vonë. Klosi iku.

Iku nga jeta e vet. Sepse në jetën tonë, në jetën time është akoma.

Është me takimin e parë, kur Edi më njohu me të, është në kafen e parë, në punën e parë, në inatin e parë dhe emisionin e fundit me të.

Është me trishtimin, hutimin, shkëlqimin, humorin dhe vetë-ironinë, është me numrin e tij të telefonit, ende në celularet tona.

Ardian Klosi iku nga jeta e vet. Por nuk iku nga jeta jonë.

Është në jetën time dhe tonën si dëshpërim, si frikë,

si ankth, si besim, si mallkim, si urim, si premtim;

Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!

***

Këtu, në Sharrë, është një qytet që po shtohet e zgjerohet përditë. Qyteti i banesës sonë të fundit.

Kemi këtu njerëz të dashur.

Sot po sjellim Ardianin.

Të qoftë i lehtë dheu me të cilin do të të mbulojmë, Dan!

Takofsh njerëz të dashur, atje ku po shkon!

Por mbaje një sy këtej, nga njerëzit e tu të zemrës.

Dhe një vesh për ne, që kemi beteja të lëna përgjysmë.

Ti ishe një qytetar i rrallë, Ardian Klosi. Do të na mungosh!

 

 

We cannot load blog data at this time.

4 Përgjigjet për "Lamtumira e fundit për Ardian Klosin, Rama nuk i mban lotët"

  1. Juxhin  29/04/2012 në 10:14 am

    Duket si përshkrim në një roman…, qënka prekur dhe goca që e ka shkru…

  2. Meri  29/04/2012 në 3:18 pm

    No coment! Vdiq nje intelektual i madh!

  3. xhevat  29/04/2012 në 10:25 pm

    Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!

  4. Elvis  30/04/2012 në 10:21 am

    Jepni nje shami qe te fshije Lotet!?!?!?!?

Komentet janë mbyllur