Edison Ypi
Ashtu e kam ditur edhe unë Dan; Që nuk flitet keq për të vdekurin. Për të vdekurin flitet vetëm mirë. Sepse i vdekuri nuk dëgjon, dhe nga fjalët e mira nuk i rritet mendja. Keq, vetëm fjalë të këqija fliten vetëm për të gjallin, i cili dëgjon, kupton, turbullohet, dëshpërohet, ndonjëherë aq tepër, sa bën si bëre ti.
Kjo simetri e frikshme, kjo modë, ky trend makabër, me të vdekur të cilët duhen ruajtur nga rritja e mendjes, dhe të gjallë të cilët, edhe pa asnjë shkak, duhen ndëshkuar me fjalë të këqija, tashmë në Shqipëri i ka shpërndarë aq thellë metastazat, sa “mirë” flitet vetëm për të vdekurit e këqij, dhe “keq” vetëm për të gjallët e mirë. Shtoi kësaj edhe nuancat; domethënë
tmerret e pafundme që rrjedhin nga kombinimet e panumërta të heshtjes memece, të folurit gjysmak, të gjallët e vdekur, të vdekurit e gjallë, të gjallët e gjallë, të vdekurit e vdekur, dhe e merr me mend vetë ti pastaj sa e bukur bëhet tabloja.
Prandaj, duke pasur parasysh këto, unë o Dan, gjatë këtij komunikimi postum me ty, do veproj si di vet’, si gjithmonë, jashtë klisheve. Duke të konsideruar ashtu si ti në fakt je, as i ardhur e as i ikur, as i gjallë e as i vdekur, që me ty as po flas e as po hesht, do bëj diçka më të thjeshtë, do kujtoj disa dromca të lezetshme, të cilat, lidhur me sa më sipër, janë thjesht ilustruese. Dhe tani, pa humbur kohë, të futemi në temë.
Me rastin e vetëvarjes tënde, Edi Rama shkroi një redaksional. Një tekst hyper patetik. Një eksperiment intelektual, një sprovë grafo-logjike lakrimogjene, për nga efektet pothuajse identike me atë që i kushtoi Gim Myftiut ca vite të shkuara. Ishte, si të ta them, një lloj mbishkrimi pllake varri varrezash katundi, tip; “O ju njerëz që po kaloni, ktheni kokën e më shikoni, se një ditë të gjithë këtu do vini”. Fjalë këto dhe pllakë guri varri kjo, të cilat, s’di pse më kujtuan atë që ti Dan vet’ më pate thënë një ditë se të kishte mbetur fort hatri lidhur me një udhëtim që ti dhe Rama kishit bërë në Itali, kur gjatë atyre dy apo tri ditëve vajtje-ardhje-ndenjje, fol o gur fol o mur, Rama s’të kishte folur asnjë fjalë.
Nejse, unë e ti jemi njohur më 1981 në Pogradec. Ku, diku buzë Liqerit t’u drejtova si e kam zakon, pa të përshëndetur;
-A e di ti Ardian Klosi se atje, të thashë duke të treguar me gisht skajin jugperëndimor të qytetit, në katin e dytë të një shtëpie të rrënuar që duket si kullat mesjetare të Frankfurtit, gjysmë shtrirë mbi një divan gdhihet e ngryset një Sovran, i fundmi Rilindas, Poeti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Lasgush Poradeci ?
-Faleminderit. Nuk e pi.
Më la pa mend kjo lloj përgjigjeje që besoj se kishte kuptimin; “Mos më ngatërro me këto gjëra”. Me cilat gjëra ?! Por nuk e zgjata. Dhe nga ajo ditë u bëmë miq. Nga ata që takohen rrallë. Sepse unë, vëllain në burg, ti me punë në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, nuk mund të ishim aq miq sa të dëgjonim Bitëllsat në ndonjë bodrum të Shallvareve. Se e vërteta është, duhet thënë patjetër edhe kjo, njohja jonë ndodhi ndërkohë që pothuaj të gjithë miqtë e mëparshëm më patën braktisur.
Në ato kohë ti më tregoje qyfyre nga Shtëpia Botuese. Ja një qyfyr;
Po bëhej një mbledhje ku flitej egër dhe kërcënueshëm nëse i vlente apo jo kurvit “Viti i Mbrapshtë”. Ismaili, i strukur nga atje ku rrinte, të dërgoi ty dorë më dorë një pusulle të palosur ku kishte perifrazuar veten:
“Ç’më ka hije pena, Dan o kapedan,
ta botoj “Vitin”, bytha s’po ma mban”.
Dhe qeshnim pafund me këtë e të tjera të tilla. Se, pavarësisht si u kokolepsën punët më vonë, ti në atë kohë ishte dishepull i zjarrtë i Ismailit. Apo jo ?!
Një herë tjetër të thashë se Dritëro Agolli nuk është as shkrimtar, as poet, por vetëm inkuizitor. Nuk refuzove, por the: Kujdes me këto gjëra, se Dritëroi mund të jetë a të mos jetë si thua ti, por nuk është budalla.
Në 1988, ti, edhe pse kur binte fjala thoshe se i adhuroje, s’kishe asnjë ide ku tretej Lasgushi dhe ku dergjej Petro Zheji, ku frymonte njëri e ku mbijetonte tjetri. Edhe tek Lasgushi, edhe tek Zheji (jo Arturi), të cilëve u bëja vazhdimisht vizita, ty Dan të shoqërova unë.
Zhejin e dëgjove me shumë vëmendje. Më tregove edhe se si në një tjetër mbledhje në po atë shtëpi botuese, në një moment kur një lektor propagandistik i ardhur nga një komitet kishte përmendur “një gënjeshtër që thuhej në Bibël”, Zheji e kishte ndërprerë duke i thënë; “Ju lutem, a mund të dal pak jashtë ?” E kishte lejuar lektori Zhejin të dilte duke menduar se Zhejit i duhej të shkonte në fund të korridorit. Mirëpo Zheji që kishte vajtur në një apartament të ngushtë aty pranë ku jetonte ato kohë, ishte kthyer pas pak minutash me një Bibël në duar duke i thënë komitetsit: “Ja Bibla, ku është ajo gënjeshtra ?!”
Lasgushin, edhe atë e dëgjove gjithashtu me shumë vëmendje. Gjatë asaj vizite, në një moment Lasgushi të la pa frymë kur tha: Tani mund të flasim sa të duam, se ai ka vdekur. Fjalë këto, për të cilat, tre vite pasi kurvi kishte ngordhur të ikte koka. Unë me këto thagma të Lasgushit isha mësuar, ndërsa ty, megjithëse nga ajo batutë u kënaqe pafund dhe qeshe sa deshe, sa s’të ra pika. Gjatë atij takimi me Lasgushin, që për mua mund të ishte i njëqindti, ndërsa për ty i pari dhe i fundit, ti more edhe shënime në një bllok. Që pastaj ai bllok të humbi dhe e qave tërë kohën. Por nuk e kuptova kurrë natyrën e adhurimit tënd për Lasgushin. Sepse, ndërkohë që s’ma bëre kurrë të ditur cilën poezi apo poet preferoje, për Poezinë e Lasgushit më pate thënë disa herë se nuk e pëlqeje.
Pastaj erdhi ’90-a, dhe ato që dihen.
Në një miting në Sheshin “Skënderbej”, kur turma po shkatërronte klubin e Ministrisë së Brendshme dhe po digjte makina, t’u afrova dhe të thashë se ishte rast i mirë për ta bërë si në Shkodër, domethënë të gjenim një mënyrë për t’i thënë turmës të rrafshonte komitetin e partisë së Tiranës, godinën ku sot është selia e Partisë Socialiste. Në vend të përgjigjes lëshove një hungërimë refuzuese idhnake.
Pak më vonë u mor vesh prishja jote e beftë me Ismailin. Idhnimi yt i papritur me Ismailin më ka mbetur sot e kësaj dite më i mistershëm se origjina e unazave të Saturnit. Qarkulluan fjalë, madje një miku im e shkroi edhe në një libër se ke qenë spiun i Sigurimit dhe ke marrë më qafë Linx Ngjelën. Këtë gjë unë nuk e kam besuar dhe nuk do ta besoj kurrë pa u hapur dosjet, të cilat, meqë ra fjala, me dhimbje për njërin a me kruajtje për tjetrin, duhet urgjentisht të hapen. Por ti Dan disa gabime atëherë i bëre. Ju të dy, ti dhe Edi Rama, që me njëri-tjetrin ngjani si Ipad-i me Ipod-in, u rrekët t’i ngrinit piedestal dikujt që e quajtët shkrimtar dhe disident, por që në fakt nuk ishte, as nuk është as i tillë e as i atillë. Sepse, sa i përket të qënit antikomunist, ishte një njeri që ka vrarë me dorën e vet, dhe, sa i përket të qënit shkrimtar, është aq i paditur sa nuk thotë “pastaj”, por “mbasandaj”. Që edhe kjo tekë e juaja prej produktesh Apple, më ka mbetur pezull në pritje të ndonjë shpjegimi apo zbërthimi të arsyeshëm.
Jo për gjysmakët dhe hipokritët që sot bëjnë sikur pendohen duke thënë se bënë gabim që nuk të ndenjën afër, dhe as për pisat që mburren që po flasin demek mirë për ty në kafazin e budallenjve që quhet Fejsbuk, por për njerëzit seriozë, duhet thënë edhe se shumicën e muhabeteve dhe shakave, ashtu i kishte ti Dan, me vdekje. Për shembull, jo rrallë kur takoheshim më thoshe: “Eh, në betejën kundra mediokritetit, edhe unë mund të mburrem me një viktimë, Mira Meksin. Të cilën vërtet e masakrova, por nuk arrita ta vdisja dhe ta varrosja. Ndërsa ti Edison ke bilanc më të mirë në këtë drejtim, dhe të kam zili. Sepse prejkur bërë atë shkrimin “Sikur Rudina…”, Xhunga s’e ka kapur më penën me dorë dhe as mendja i vete të thotë jam shkrimtare, jam romanciere, pra ti Xhungën, jo vetëm e vrave, por edhe e gropose.
Vrau veten një soc-aktor që pat’ luajtur role komisarësh dhe komandantësh trima në atë luftën që ka ekzistuar vetëm nëpër filma. Ky aktori, pas ’90-ës, befas ktheu pllakën. U kujtua t’i ngjajë Klint Istvudit. Më vonë akoma, vendosi të vetëvritet si Bekim Fehmiu. Unë, i habitur nga kjo marri’, bëra një shkrim me titull “Secili vdekjen e vet”. Ideja e këtij shkrimi ishte se askush që ka bërë jetë plehu nuk mund të pretendojë vdekje gjeniu. Ti Dan, pa ma përmendur emrin, reagove atëherë tek gazeta “Shekulli” me një shkrim të cilin, gjoja për të nderuar kujtimin tënd pas vetëvarjes, për turp të tyre, këto ditë e ribotuan disa gazeta. Titulli i reagimit tënd idhnak ishte: “Këta s’të lënë as të vdesësh”. Ç’ka, në fakt, nuk doli e vërtetë. Se ti e provove më se një herë, dhe s’të pengoi askush. Por mua titulli i këtij shkrimi më tronditi për një tjetër arsye. Sepse, ti duke mos e përcaktuar cilët janë sot për ty “këta që s’të lënë të vdesësh”, ato fjalë, vetvetiu, në mendjen time u asociuan me “ata që s’të linin të jetoje”. Por s’kishte qenë punë asocimesh. Kishte qenë ku e ku më zi. Sepse pak ditë pas daljes së shkrimit tënd reagues idhnak dhe asocimit tim të gabuar, pronari i gazetës që botoi shkrimin tim, më tha se ti Dan, pezmin nuk e kishe pasur as me ata që në kohën e kurvit penguan të shumtët të jetonin dhe as me ata që sot, sipas teje, pengojnë ndonjë të rrallë si ty të vdesi, por me tjetër njeri. Me vet’ pronarin e asaj gazete, i cili të kishte refuzuar marrjen në punë si fotografe të gruas tënde Jutta, frikshëm i afërt ky emër me Jeta. Po. Kaq e thjeshtë ka qenë. Se gjërat e kësaj bote nuk janë të gjitha po aq të mistershme dhe po aq magjepsëse sa, për shembull, Kodi i Fibonaccio-s.
Bëre përkthime të mira, të zgjedhura, të sakta, të qarta, por disi të ftohta.
Librat e tu nuk u lexuan. Pra autor nuk ishe.
Publicistika jote, nuk ishte më e keqja, por qe kryekrejt sa propagandë në favor të njërit krah të politikës, po aq edhe tejet idhnake për krahun tjetër.
Ti Dan nuk u pajtove kurrë me kohën e kurvit. Dëshmitar jam unë. Le të më dali përpara kush të dojë të më thotë të kundërtën, po s’ia lava surratin me shurrë. Por ti nuk u pajtove as me këtë kohë. Dhe ky ishte problemi. Sepse nga ajo kohë në këtë kohë, ti Dan solle mbi shpinë një ngarkesë të tepërt. Një avantazh, një supremaci, një kult të parathënë etërish, diçka që çuditërisht, gabimisht dhe fatalisht, kujtoje se ishte e pacenueshme. Ishte pikërisht kjo ngarkesë dhe ky hamallëk i kotë, që s’të la të jetosh i qetë, dhe ta theu kurrizin.
Meqë erdhëm tek “etërit” dhe “avantazhet”, e vërteta është se s’je i vetmi. Veç teje dhe Ramës, është edhe një tjetër i spikatur, një ish i burgosur, një reduce i luftës brenda llojit. Që ju bën të treve të dukeni si Ipad-i, Ipod-i, Iphon-i. Madje ky është edhe më i lezetshëm, më i keqkuptuar dhe më komik se ju të dy. Sepse ju bëtë si bëtë, dhe në një farë mënyre e në një farë mase i ndreqët sa mundët budallallëqet që thatë vite më parë për Ismailin. Ky, ngaqë sa duket më së fundi i humbi shpresat e çmendura për të konkurruar me Ismailin si shkrimtar, pra pasi e pranoi se Ismail Kadareja është përfundimisht i vetmi shkrimtar, hapi një ekspozitë me relikte burgu. Aq me të madh, sa u duk sikur rrihte të provonte sikur kishte qenë i vetmi i burgosur.
Dy ditë para se të varje veten ti Dan, vdiq një kushërira ime. Por për kushërirën time, e cila, meqenëse e kaloi gjithë jetën internimeve, e kishte jetën me mijëra herë më dramatike se tënden, timen dhe mijëra të tjerëve, nuk u kujtua asnjë gazetë e asnjë televizor e s’u bë asnjë homazh.
Një daja im që thoshte se ishte antikomunisti i dytë në botë pas Churchillit, i cili vdiq në moshë të shtyrë para pak viteve, më pat treguar një episod me babain tënd. Ai, yt atë, e kishte lënë të vdekur në vend një ballist duke i rënë nga mbrapa drejt e në kokë me një lopatë. Ta pata thënë këtë punën e lopatës. Nuk e mohove, dhe as nuk e pranove, madje as nuk u habite. Që më le përshtypjen idhnake se s’ishte çudi të kishe dijeni për të tjera kazma e lopata e sqeparë e tortura, para e pas e anash shpine.
Kështu i dashur Dan. Këto që të kujtova, sigurisht që nuk përbëjnë ndonjë tablo të përsosur. Por besoj se janë të mjaftueshme që brenda një konteksti shoqëror që flet gjithmonë mirë vetëm për të vdekurit dhe gjithmonë keq vetëm për të gjallët, është i mjaftueshëm për të ma rrëqethur mua mishin dhe ty kockat.
Ta pata thënë edhe tjetrën; Se brengat njerëzore mund të zbuten deridiku edhe në mënyrë deduktive-laboratorike; Kaq nga budallallëku i të gjithëve, plus edhe kaq nga edepsëzlliku i disave, edhe aq nga padituria e disa të tjerëve, një garuzhde sherbet eruditiv, pak uthull hipokrizie, një lugë kafeje seriozitet, futi të gjitha në një kavanoz, mbyllja kapakun, tunde kavanozin, hiqja kapakun, derdhe në një pjatë, del një supë me të cilën mund të kalohet dita, por s’më dëgjove. E meqë për këtë e të tjera s’më dëgjove, unë, me plot të drejtë, në kërkim të shkakut të parehatisë tënde, duke ndjekur rrugën e kundërt të progresit fraktal, atë të kërkimit të kodit elementar që ndodhet në origjinë të fenomenit, atë kod e kam gjetur pikërisht tek ajo lopatë.
Lëri Dan se ç’thonë sot të shiturit mediatikë, që po t’i dëgjoje do të të vinte për të vjellë. Ti s’ishe as më pak e as më tepër se një mallakastriot idhnak. Që provove diçka madhështore; Se s’është për të pasur frikë nga vdekja, e cila është e tëra, por vetëm nga jeta, që është vetëm pjesa.
Mehmet Metaj
06/05/2012 at 2:22 pm
In memoriam për Ardian Klosin !
• “Per mortuis aus ben aus nihil” thoshin latinët. Por rasti i vetëvrasjes së Ardan Klosit është fal atij njeriu që janë sot “specie te rralla” që kan mbetur në këtë vend gjithësejcili nga ne që e njihnim ndjen krahas dhimbjes sikjes se një njeriu të virtytshem dhe “lehtësine” për të folur dhe shkruar mirë pa fund.
• Dhe në këtë trishtim për të me vjen në mend ajo që ndodhi dhe e çoi ne vdekje të parakohëshme dhe që është epitaf në varrin e Bertold Breht-it që Ardiani e donte aq shumë dhe e përktheu atë dhe shumë shkrimtar e poet Gjerman, përfshi Gëten e Madh, “Nga tigrat munda të shpëtoj, por ç’e do më hëngrën krymbat e plehut” ( më hëngrën servilet desh të thoshte…!) Dhe ja si përseritet historia, por tek ne në forme tragji-komike, dhe nga ky asfiksim shoqëror iku dhe nje njeri fisnik dhe erudit si Ardian Klosi, që jetoi në një vend e shoqëri aspak dinjitoze.! Por miku ynë Ardian Klosi beri atë që s’duhej bërë siç thotë Oskar Wilde: “Njeriu në këtë jetë mund të bëj gjëra që s´duhen bërë”.
• Dhe “ikja” e njerëzve të tillë me vlera në një vend qe i shpërfill aq shumë me kujton Hosanate panegjirike Soloniane, që tek ne janë aktuale sot e gjithë ditën ku: “ Glorifikimi deri në ekstazë i absolutizmit shtetëror, lindja dhe zhvillimi pakufij i fetisheve, hyjnizimi i kultit të njëshit, mistifikimi i të vërtetave historike, robotizimi i trurit intelektual përmes inkuizicionit të mendimit të lirë, këto përbejnë tek ne edhe sot e gjithë ditën frymën e ritualit të vjetër të substratit gjiriz, mbi të cilin lëshojnë rrënjë dhe harlisen për bukuri të gjitha llojet e gjëmbaçeve dhe hithrave prej nga do të mund të ushqehen të gjitha segmented e turbullirave të llahtarshme shoqërore.
• Por s’tha kot Sami Frashëri: “ Kalben intelektualet atje ku lartësohen mediokrit. Dhe s’mbetet tjeter për të thënë veç asajë që tha perseri S. Frasheri: ”Dhëntë Zoti që Shqiptarët shpëtofshin nga njëri-tjetri“.
• Dhe janë të paktë dhe shumë të rrallë tek ne ata që vdekjes i shkojnë me dinjitet si Ardian Klosi, që ishte një fisnik i ditur si ai që iku papritur ne kulmin e vlerave për injorance dhe të shoqërise tonë dhe për dobësi të shokëve që e lanë vetëm në vetmi…dhe ai i lodhur nga kjo iu dorëzua perjetësisë.
Lamtumirë bashkëpatrioti ynë fisnik Mallakastriot Ardian Klosi
Mehmet Metaj
06/05/2012 at 2:23 pm
Eshtë një propozim i drejte ky i bashkëpatriotit tone Z. Pirro Lutaj dhe përveçse Ardian Klosi ishte dhe duhet të njihet si krenaria e Mallakastrës, dhe dhënia e titullit “Krenaria e Mallakastrës”. Mendos se për vlerat dhe virtytet e tij të rralla dhe “Si studiues, albanolog, përkthyes, publicist, shkrimtar, analist, eseist si dhe një veprimtar i shquar i shoqërisë civile për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut sipas standarteve europiane” dhe një njeri i përkore Ardian Klosi e meriton të shpallet “Krenaria e Kombit”, dhe ti jepet një Ҫmim Republike “Nderi i Kombit” pas vdekjes, kjo do ishte një nderim për të ndonëse post-mortum.
Albanicus
07/05/2012 at 5:11 pm
Ky Edison Ypi, duhet te ruhet me ligje federale, si specie ne zhdukje. Gjithkush me nje PC e qe din te shkruaj, mund te banalizoje gjithcka.
X
13/05/2012 at 3:27 pm
Bota eshte me e lire me e drejte pa idhnake te tipit klosi!
ermal Bushi
16/05/2012 at 1:24 pm
Nese Edison Ypi shkruan per dicka, ai gjithnje thyen dogmat, postulatet, zakonin e keq te pershtatjes ne kohe e ne vendin e caktuar. Kjo risi shihet dukshem ne komentin per te ndjerin Klosi. Komenti i mesiperm eshte nje kronike e njekohesisht nje pershkrim shume realist i personazhit ne fjale dhe bashkepunetoreve te tij. Vdekjen njeriu nuk ia uron askujt. Por urimi me i madh per njeriun ka qene dhe duhet te mbetet: Jetofsh me faqe te bardhe! A jetojme ne te gjithe, gjithnje, me faqe te bardhe? Besoj se jo gjithnje. Dhe nuk mund te ndodhe ndryshe, sepse perfeksioni eshte i pamundur. Por a ka idhnake te tille, te llojit te Klosit, qe gabojne gjithnje, dhe vazhdimisht nga vesi i hakmarrjes? Ka edhe te tille. Ardian Klosi nuk doli nga kjo kategori. Ta pohosh kete, duket si herezi per konformistet. Por fjala e keqe nuk mund te rezervohet vetem per te gjallet e mire, fjala e keqe duhet thene edhe per ish-te gjallet me vese.
Ndaj dhe Edisoni meriton respekt. Respekt per guximin, sepse te gjithe ne nuk guxojme si ai. Edhe une po fshihem pas pseudonimit tim. Dhe ndjehem borxhli per kete. Tek Edisoni nuk ka inat, nuk ka mellef, as hakmarrje, thjesht nje pershkrim i se vertetes qe ai e ka perjetuar dhe njohur nga afer. Prandaj e vleresoj ate.
Marianela
04/06/2012 at 3:11 am
Po sikur te tregoni se ku gjndneet ne menyre specifike per secilin vitmain. Ne cilat pemeb apo perime gjinden , jo ne menyre te pergjithsuar te thuhet hani me shume peme e perime por p.sh.Vitmina c gjindet me se shumeti ne limon, pastaj portokall, kivi etje etj. Ju falenderoj paraprakisht per kete hulumtim qe do te beni dhe do e postoni, por nese nuk pritoni dergojeni edhe ne kete email adrese ket pergjigje artikull.
anjeza
10/10/2012 at 12:21 pm
…me ne fund…apo si fillim!? Te dyja bashke, atehere, se rrijne krah njera-tjetres bukur e mire, dikush qe na flet, duke na shkruar. Per ne, qe jemi te vegjel e si te vegjel e kemi lexuar e mesuar historine e vogel te nje vendi te vogel, deshmi te tilla jane gjigande. I pervecem nuk eshte emri i pervecem, por njeriu qe mendon, thote dhe shkruan ne menyre te pervecme.
Te shkruajme, miq shqiptare, te shkruajme per shqiptaret, shqip!
Hajdar KOKERRMADHI
14/11/2012 at 3:07 am
Z.YPI ESHTE NJE THESAR I PAZEVENDESUESHEM VIZIONAR I REAL DEMOKRACIS KOMBETARE SHQIPTARE.OK.FLM MAPO.AL.