visi baner 5

Administrata/ Zbardhet vendimi për rritjen e pagave dhe shkurtimin e 920 punonjësve

Rritja e pagave këtë vit hyn në fuqi më 15 korrik dhe jo më 1 korrik, siç ishte bërë traditë këto vitet e fundit. Lajmin e ka dhënë Ministria e Financave në dokumentin e Programit Ekonomik dhe Fiskal të këtij viti. “Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2012 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritjeje selektive për sektorët prioritarë”, njofton dikasteri i Bodes. Kjo do të thotë se, pagat e administratës do të rriten deri në 2% aq sa është edhe norma e inflacionit këtë vit, ndërsa do të ketë një rritje më të lehtë deri në 3-4 për qind për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Ministria e Financave bën me dije se shpenzimet e personelit për vitin 2012 u bazuan në një politikë që synon rritjen e eficensës dhe efektivitetit të burimeve njerëzore. Këto shpenzime parashikohen të ulen në terma realë dhe të jenë rreth 5.1% e PBB-së në krahasim me 2011-n. Më konkretisht, kjo ulje, sipas Financave, ka ardhur si pasojë e reformave që parashikohet të kryhen në disa sektorë si: reduktimi i numrit të efektivëve ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, që ulin në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2012 në 88 640 punonjës nga 89 560 punonjës në vitin 2011. Gjithashtu, fondi i pagave është përllogaritur duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave, duke filluar nga data 15 korrik 2011. Ministria e Financave sqaron, gjithashtu, se këtë vit në përllogaritjen e shpenzimeve për paga është identifikuar si një zë më vetë fondi i veçantë, i cili gjatë vitit 2012 do të përdoret vetëm pas miratimit të Ministrit të Financave në përputhje me performancën e të ardhurave sipas rasteve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave. Sipas ligjit të buxhetit, fondi për rritjen e pagave për vitin 2012 do të jetë rreth 1.5 miliardë lekë, i mjaftueshëm për një rritje jo më të lartë se 2-3 për qind. Këto fonde për rritjen e pagave dhe pensioneve që pritet të vërë në dispozicion buxheti i vitit që vjen, mjaftojnë vetëm për indeksim me inflacionin, pohuan të njëjtat burime. Kështu, pavarësisht debateve për linjën që do të mbahej në lidhje me mbajtjen në nivelet aktuale të borxhit publik dhe deficitit, pagat dhe pensionet do të rriten. Qeveria, edhe me buxhet nën presion, ka vendosur të rrisë pensionet si të fshatit, ashtu edhe të qytetit e gjithashtu pagat e administratës, pavarësisht përqindjeve shumë të ulëta. Sipas programimeve në buxhet, fondi në dispozicion të politikave të reja të pagave dhe pensioneve është rreth 3 miliardë lekë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë me dije se Shqipëria është vendi me faturën sociale më të lartë në rajon, për shkak të politikave shumë agresive që përdori qeveria për të zbutur varfërinë në mandatin e shkuar, por edhe në këtë që vijon.

 

Pagat – të dhëna

 

Rritja e pagave hyn në fuqi më 15 korrik

Pagat e larta rriten me 2%

Pagat e ulëta 3-4 %

Fondi për rritjen e pagave 1.5 miliardë lekë

 

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur