visi baner 5

Blushi: Te “Shqipëria” shpjegoj ato gjëra që s’arrij t’i them në rrugë të tjera

Mapo Editions çon romanin “Shqipëria” në Prishtinë. Për promovimin zgjidhet 23 prilli, Dita Botërore e Librit. Të nesërmen, e merr fjalën media kosovare. Ja çfarë shkruhet…

Kosova e kishte pritur promovimin e “Shqipërisë” së Ben Blushit, që u bë më 23 prill në Prishtinë. Dukej nga padurimi i shprehur në media që një bestseller i promovuar në Tiranë që nëntorin e kaluar, shkoi vetëm në prill në Prishtinën e afërt. Ndërkohë që “Shqipëria” e Blushit është përcjellë rregullisht në Kosovë, që nga koha e promovimit në Tiranë, si një nga librat më të shitur, por edhe si i pari libër elektronik në tregun e librit shqip. Prandaj jehona në mediat kosovare e një promovimi në shtëpi, më shumë se befasi, ishte garancia se “Mapo Editions” ia kishte dalë ta shndërronte “Shqipërinë” në një fenomen letrar edhe matanë Shqipërisë.

“Shkrimtari dhe deputeti në Parlamentin e Shqipërisë, Ben Blushi e promovoi librin e tij të fundit ‘Shqipëria’ edhe në Prishtinë. Para lexuesve kosovarë, Blushi tregoi se në këtë libër përpiqet të shpjegojë disa gjëra që s’arrin t’i shpjegojë në rrugë tjera”, – shkruante “Express”, një nga gazetat më të mëdha kosovare, në artikullin e “E keqja në ne”, referuar mënyrës si Blushi i trajton ngjarjet në këtë roman. Në të vërtetë, ky eveniment zuri mjaft hapësirë në mediat kosovare të nesërmen e 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, zgjedhur për këtë promovim, ku përveç autorit ishte i pranishëm dhe botuesi Henri Çili, i cili u citua gjerë.

Ja ç’shkruante “Express”:

Duke folur për Blushin dhe librin e tij, në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, ku u mbajt promovimi, Henri Çili, publicist dhe botues i librit, u shpreh se me dy botimet e para, romanet ‘Të jetosh në ishull’ dhe ‘Otello’, për një periudhë shumë të shkurtër, Ben Blushi krijoi një biografi absolute, duke hapur një vend dhe duke zënë një vend qendror në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Kurse me romanin e tretë ‘Shqipëria’, të cilin unë e kam botuar në kuadër të botimeve ‘Mapo’ në Tiranë, mendoj se ai plotëson një triptik ose një treshe librash që kanë një të përbashkët: bëjnë një përpjekje, sidomos me librin e fundit, për të lexuar me guxim në vetëdijen shoqërore shqiptare”, – tha Çili. Sipas tij, tërësia e elementeve që ka Blushi në romanet e tij nuk është ajo çka ai mendon apo çka ai përfaqëson në nivelin politik. Nga pikëpamja politike, sipas Çilit, Blushi është një politikan normativ dhe korrekt. Ai shtoi se Blushi arrin t’i eksplorojë ato skutat e ndërgjegjes shoqërore, kombëtare ose të individit, në të cilat kërkon një guxim, kërkon një thellësi, kërkon një mprehtësi dhe e gjitha kjo e sjellë në një mënyrë artistike. Ai theksoi se librat e Blushit kanë shkaktuar vazhdimisht debat. “Madje, romani i tij i parë, ‘Të jetosh në ishull’ prodhoi një debat të tillë, nga i cili doli dhe një libër tjetër; ‘Pro dhe kundër Blushit’, një debat që përfshiu aktorë të të gjitha kategorive në Shqipëri apo në Kosovë dhe një debat që, nëpërmjet këtij provokimi letrar, solli në skenën publike disa probleme ose disa çështje shumë të mprehta, me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot në Shqipëri dhe besoj edhe në Kosovë”.

Sigurisht që mediat kosovare nuk lanë pa përmendur edhe komentet e gazetarit të tyre Baton Haxhiu, gjithashtu i pranishëm në këtë promovim. Në shtypin e shkruar, por edhe portalet informative të Kosovës, tung.ch apo lajme.shqipëria.com, ndër të tjera, shkruhej:

Për gazetarin Baton Haxhiu, qasja e Ben Blushit në letërsi ka të bëjë me njeriun shqiptar që është krejtësisht ndryshe nga ato, të cilat jemi mësuar t’i lexojmë apo t’i madhërojmë”.

“Sidomos libri i fundit ‘Shqipëria’, është një prej librave me butësinë më të ashpër që unë kam lexuar për raportin e një shkrimtari me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe njëkohësisht edhe me komunizmin”, – tha Haxhiu. Ai shtoi se Blushi edhe kur ka dashur të ndërtojë një komb të pastër, pa korrupsion dhe pa politikë të keqe, pa atë ballafaqim të panevojshëm për të vërtetën, nuk ka arritur ta gjejë më të bukurën te ne, për arsye se ai në të vërtetë nuk e sheh ende të bukurën, debatuesen, mirëqenien dhe të gjitha ato që e ndërtojnë një shoqëri normale. Haxhiu shtoi se dikush do ta quajë Ben Blushin si shqiptar të keq, për arsye se e ka thënë të keqen, do ta quajë shqiptar i cili e sulmon keq shqiptarin brenda nesh dhe do ta quajë shqiptar, i cili nuk është në mesin tonë për faktin se është i ashpër me kritikat e tij. Por unë mendoj të kundërtën, se vetëm një shqiptar si Blushi e ndërgjegjëson shoqërinë, e ndërgjegjëson njeriun dhe e ndërgjegjëson politikën sesi duhet të sillet me njeriun, me shoqërinë dhe me vetveten para së gjithash”, – është shprehur Haxhiu.

Vetë autori, citohej, mes të tjerash, të tregonte lodhjen e shkaktuar nga ky roman. “Më ka lodhur sepse për sa kohë që vendosa ta quaj ‘Shqipëria’, duhej t’i isha pak besnik Shqipërisë sepse ky titull të kufizon në vetvete. Pra të kufizon, duke ndërtuar një kornizë historike, sociale dhe politike”.

I gjithë ky pasqyrim është në vijim të lajmeve të publikuara vazhdimisht në shtypin kosovar rreth romanit “Shqipëria” të Blushit, të cilat kanë nisur në kohën e promovimit të tij në Tiranë, kur në gazeta si “Bota Sot”, “Express”, apo te faqja online www.knninfo.com nuk do mungonin titujt për promovimin e romanit të tretë të Ben Blushit nga “Mapo Editions”. Historia e tij është ndjekur edhe në muajt më pas, duke qenë i pranishëm edhe në prill si një nga librat më të shitur në Tiranë, apo si i pari libër elektronik në Shqipëri. Deri sa erdhi koha ku “Shqipëria” e Blushit në median e Kosovës, nuk do ishte më e lidhur me Tiranën, por me Prishtinën.

 

Kanë shkruar për Blushin:

 

 

‘SHQIPËRIA’ E BEN BLUSHIT, NË VARIANT ELEKTRONIK

“Mapo Editions” i ofron teknologjisë një bestseller.

Për të gjithë ata që janë të fiksuar pas teknologjisë apo për ata (ato) që nuk para duan të mbajnë “pesha” nëpër çanta, ka një zgjidhje. Një libër në version elektronik. Moda e e-book-ut vjen edhe në Tiranë nga shtëpia botuese “Mapo Editions”. Kjo tendencë hap siparin me një libër bestseller. Bëhet fjalë për romanin “Shqipëria” të Ben Blushit. Tashmë, libri-metaforë i Ben Blushit vjen brenda formatit të një CD-je. Gazeta “Express”

Reklama-Eagle

NJë përgjigje për "Blushi: Te “Shqipëria” shpjegoj ato gjëra që s’arrij t’i them në rrugë të tjera"

  1. Mister 20% - mister kriza sot  27/04/2012 në 12:05 pm

    Blush, paske mar huqet e kryetarit tat me “kurban”-in. Ka vetëm pak ndryshim mes teje dhe shefit: ai “veprat” e veta, mirë apo keq, i shruan vetë. Për ty, mesa thuhet, janë produkt i klanit Blushi-Shuteriqi por me siglën e Benit. Qëllimi?: jo shumë si shkrimtar-yll në ngritje sesa si KRYEMINISTËR I ARDHSHËM. Në linjë të parë është baba Blushi që në vend të merret me letërsi (nëse ka këllqe) vjell vrer nga mjesi deri në darkë kundër gjithçkaje që mban etiketën PD. Do ishte i besushëm baba Kiço nëse në kryqëzatat e tij anti-PD nuk do bënte dallim politik. Për ne do mbetesh Beni që tenton të ecë vetë në… letërsi. Në politikë, shum, shum mund të bëhesh ministër, por në vitin 2020.

Komentet janë mbyllur