visi baner 5

Doktor, dua të qesh bukur!

Me këshillat e duhura, mundesh. Si të kesh dhëmbë të bardhë dhe të shëndetshëm? Si të mbrohesh nga aciditeti i gojës dhe si të zgjasësh jetëgjatësinë e dhëmbëve? Dentisti Dritan Troshani iu përgjigjet të gjitha pyetjeve

 


 

Është e vërtetë që me kalimin e kohës dhëmbët e humbasin ngjyrën dhe shkëlqimin? Cilët janë faktorët që ndikojnë?

Kur dëgjoj këto pyetje, më vijnë ndër mend fjalët nostalgjike të pacientëve të mi të moshës së tretë, që thonë: “E di si i kam pasë dhëmbët unë dikur, doktor? Të bardhë dhe shumë të bukur…”. Në fakt, bashkë me çdo organ të trupit të njeriut, edhe dhëmbët me kohën pësojnë një plakje fiziologjike, duke humbur karakteristikat normale anatomike dhe estetike, formën dhe bardhësinë.  Kjo, si pasojë e funksionit të përditshëm për të cilin natyra i krijoi: përtypja e ushqimeve të buta dhe të forta, në vite të tëra jetë. Duhet pasur parasysh që dhëmbi nuk ka aftësi ripërtëritëse, si inde të tjera të trupit, ndaj pas daljes së tij në gojë për herë të parë, duhen 4 vjet që të përfundojë zhvillimi i tij dhe nga ai moment ai është në konsumim të përjetshëm. Mund të përmend dhe disa faktorë të tjerë të mplakjes së parakohshme të dhëmbëve, ku futen vese të ndryshme, si abuzimi me duhanin, abuzimi me kafetë, higjiena e mangët e gojës ose jo e bërë mirë në kushtet e shtëpisë, mospastrami i rregullt i gurëzave te mjeku stomatolog, bruksismi: dukuria e kërcitjes së dhëmbëve natën, duke i shkurtuar dhëmbët në vite, që shoqërohet me zhdukjen e zmaltit në sipërfaqen prerëse dhe përtypëse dhe errësimin e tyre në zonat e ngrëna etj,.

Si mund ta parandaloj?

Mosabuzimi me veset që përmenda më lart ndihmon shumë për të pasur në radhë të parë dhëmbë dhe mukoza të shëndetshme të kavitetit oral. Por dhe vizitat frekuente tek dentisti, duke pastruar në mënyrë profesionale dhëmbët, përveç higjienës së përditshme në shtëpi e ruajnë dhëmbin nga dekolorimi.

Mund të zbardhet sërish një dhëmb që i është hequr nervi dhe tashmë nuk është më i bardhë si dikur?

Në fakt, është e vërtetë që një dhëmb pas devitalizimit ose heqjes së nervit, si pasojë e mosmjekimit në kohë, nxihet. Kjo është më evidente te dhëmbët e parë ose frontalë, ngaqë janë dhe më të hollë. Procesi i nxirjes është pak i komplikuar për t’u shpjeguar komplet, por në thelb ka formimin e disa kripërave të zeza me përbërje hekuri dhe zinku, njëri pjesë përbërëse e grupit të qelizave të gjakut pothuajse gjithmonë të pranishme gjatë procesit të devitalizimit në kushte anestezie lokale dhe tjetri element përbërës i strukturës së dhëmbit. Zbërthimi i këtyre kripërave me agjentë të ndryshëm qëndron në thelbin e përpjekjeve për të rizbardhur dhëmbin, por jo me ndonjë rezultat mbresëlënës. Një zgjidhje definitive në rastet kur nxirja është shumë e theksuar, është veshja me këllefë porcelain ose zirkoni, duke kthyer menjëherë pamjen e dëshiruar.

Në disa pasta dhëmbësh shkruhet se janë zbardhuese, por unë nuk shoh ndonjë rezultat të tillë edhe pas përdorimit të shpeshtë të tyre…

Në fakt, këto lloj pastash, përveç elementëve klasikë, pjesë përbërëse e të gjitha pastave të dhëmbëve, kanë dhe disa elementë abrazivë për të rritur në mënyrë mekanike fërkimin më të mirë të sipërfaqes së zmaltit, për ta pastruar më mirë. Zakonisht janë mikrogranulat. Këto lloj pastash kanë më shumë vlerë në mbajtjen konstante të një dhëmbi të pastër pas pastrimit profesional te dentisti, kuptohet duke u përdorur përditë, sesa të pastrojnë dhëmbët ku tashmë gurëzat dhe cipat e errëta janë instaluar nga koha.

Cilat janë avantazhet dhe të metat e metodave të zbardhjes së dhëmbëve?

Kohët e fundit, pothuajse të gjitha klinikat private dentare kanë bërë pjesë të materialeve dhe medikamenteve të ndryshme dhe kitet ose maskat zbardhuese, që me rrugë kimike, përmes disa agjentëve kimikë ndërhyjnë në strukturën e dhëmbit, duke përftuar një zbardhim të sforcuar dhe të përkohshëm disa javë, të shoqëruar me një rritje të ndjeshme të sensibilitetit të dhëmbëve. Kuptohet që efekti i shumëdëshiruar dhe i menjëhershëm është shumë joshës, sidomos për ata njerëz që dhëmbët e bardhë i kanë ëndërr në sirtar dhe gjithmonë janë të prirur ta përsërisin këtë proces pas pak kohe kur efekti zhduket, pasi bëhen të varur nga rezultati dhe trendi për të pasur dhëmbë të bardhë. Nuk duhet harruar se dhëmbi dëmtohet shumë në strukturë, duke u dobësuar dhe duke u bërë më lehtësisht i dëmtueshëm nga armiku i tij i përjetshëm, aciditeti i gojës. Duhet pasur parasysh që dhëmbët duhet t’i ruajmë sa më gjatë dhe të shëndetshëm në gojë dhe të mos e devijojmë ngjyrën që natyra ka zgjedhur për ne. Duhet të fiksojmë në mendje që dhëmbët e shëndetshëm dhe të kuruar janë dhe dhëmbë të bukur.

Sa seanca zgjat prosesi i zbardhjes?

Seancat profesionale mund të shkojnë nga 5 deri në 10, në varësi të rezultatit që do arrihet dhe të gravitetit të rastit.

Sa kushton?

Klinika të ndryshme aplikojnë çmime të ndryshme, në varësi të nivelit të klinikës dhe materialeve që përdoren. Mesatarisht mund të vlerësohet nga 5000 deri në 15 000 lekë.

Mund të realizohet edhe në kushtet e shtëpisë?

Në fakt, tregtohen dhe sete zbardhuese, që mund të aplikohen dhe në kushte shtëpie, por kuptohet që njerëzit kanë pak vështirsi dhe nuk ndihen shumë komodë në përdorimin e tyre. Përqendrimi i agjentëve zbardhues në produktet që mund të aplikohen në shtëpi është gjithmonë më i vogël se ato profesionale, që aplikohen nga dentistët.

Vizitat e vazhdueshme tek stomatologu mund ta parandalojnë një prishje të mundshme të dhëmbëve?

Patjetër që vizitat e shpeshta te dentisti, të paktën dy herë në vit, do ishin thelbësore për të parandaluar përparimin e kaviteteve të ndryshme, akumulimin e gurëzave, që përbëjnë origjinën e disa patologjive të dhëmbëve, si paradontoza dhe gingivite, sëmundje të mishrave të gojës. Gjithsesi, në popullatën shqiptare akoma ekziston ndjeshëm takimi i dentistit vetëm në rastet kur dhimbjet e shkaktuara nga dhëmbi kanë fillur të bëhen të padurueshme. Dentistët shqiptarë rrallë kanë fatin të merren me patologji dentare në faza fillestare, por gjithmonë në stade të avancuara, gjë që dhe kompromenton rezultatin e mirë në kohë të gjatë të punës, por dhe rrit koston.

Ekzistojnë medikamente që ndihmojnë në mbajtjen e dhëmbëve të shëndetshëm?

Historia e një dhëmbi fillon që në barkun e nënës. Ashtu si formohet syri, hunda, veshët, etj., ashtu dhe dhëmbi ka fillesat e tij. Që nga ky moment prania e disa elementëve bazë të dhëmbit të ardhshëm, si kalciumi dhe elementë të marre nga jashtë në stade të ndryshme, si fluori, bëjnë që të formohet një strukturë e fortë që do t’i rezistojë aciditetit të gojës në vitet e jetës. Sigurisht që një faktor gjenetik aleat dhe një dietë e pasur në sasi dhe cilësi nga nëna gjatë barres dhe fëmija deri në një farë moshe, do të përcaktonin një dhëmb të shëndetshëm ose jo.

Nëse dhëmbët nuk i kam të drejtë, a mund të vendos aparat edhe në moshë të rritur?

Me teoritë e reja dhe aplikimin e aparateve ortodontike fikse është zhdukur koncepti që dhëmbët mund të drejtohen vetëm në moshë të hershme. Tashmë edhe në moshë të rritur mund t’i drejtosh dhëmbët, mjafton që të gjesh një specialist të mirë, të kesh vullnet dhe të ardhura të mjaftueshme, pasi janë trajtime të kushtueshme. Gjithsesi, kuptohet që trajtimi i defekteve dhëmbore në radhitje dhe pozicion është më efektiv po të kapet në mosha të vogla.

Sa duhet ta mbaj?

Kohëzgjatja e mbajtjes së aparatit, plani i trajtimit përcaktohet nga mjeku specialist dentist, që quhet ortodont, por sa më problematik rasti, aq më e gjatë koha e trajtimit, që varion nga 1 vit në 2 ose dhe 3.

Cilat janë ushqimet më të dëmshme për dhëmbët?

Pa diskutim ëmbëlsirat ose lëngjet që përmajnë sheqer me bollëk janë ushqime që favorizojnë zhvillimin e florës bakteriale me pasojë rritjen e aciditetit në gojë, dëmtimin e zmaltit dhe hapjes së kaviteteve, ndaj sa herë që hani ëmbëlsira mundohuni të lani dhëmbët (rasti më i mirë) ose të shpëlani gojën me ujë, që të ulet sa më shumë sasia e sheqerit në kavitetin oral. Një këshillë vlen edhe për prindërit, që të mos i mësojnë fëmijët me ushqime të tilla, si çokollata e karamele, pasi duke menduar se u bëjnë qejfin, në mënyrë të pavetëdishme i dëmtojnë dhëmbët.

Cilat bëjnë mirë?

Përdorimi i një fruti me përbërje pak të fortë si p.sh. molla, pas vakteve të ndyshme, ndihmon në pastrimin mekanik të sipërfaqeve të dhëmbëve dhe masazhimin e indeve të buta, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut. Edhe përdorimi i një çamçakëzi pas vakteve të vogla, në vende ku nuk mund të përdorësh furçën dhe pastën, ndihmon në stabilizimin e pehashit acid të gojës, sepse shton sasinë e pështymës në gojë, që ka pehash bazik.

Çfarë duhet të bëj që të kem gjithmonë dhëmbë të fortë dhe të bardhë?

Higjienë personale perfekte, mundësisht tre herë në ditë dhe pas konsumimit me bollëk të ushqimeve të ëmbla… kontrolle frekuente te dentisti dhe marrje e kulturës bazike në lidhje me higjienën e gojës dhe aplikimi në mënyrë sa me efiçente e saj.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur