Kualifikimi, 3000 mësues në testim për rritjen e pagës

Mbi 3 mijë mësues nga i gjithë vendi në datën 21 prill do të japin provimin e kualifikimit në Tiranë. Krahasuar me vitin e kaluar, interesi ka qenë më i lartë, duke u regjistruar 300 mësues më tepër. Dorina Rapti, përgjegjësja e sektorit të Arsimit Profesional në Ministrinë e Arsimit, thotë se mësuesit që e përballojnë këtë testim do të kenë dhe rritje page nga 5 deri 20 për qind, sipas vjetërsisë në punë. Vlerësimi përfundimtar i mësuesve që do të kalojnë në një shkallë më të lartë të kualifikimit dhe do të përfitojnë një rritje të pagës përllogaritet si kombinim pikësh i vlerësimit të portofolit (15%) , bonuseve (15%) , pjesa e parë e testit 43% dhe pjesa e dytë e testit 57%. Një mësues e fiton shkallën e kualifikimit dhe rritjen e pagës nëse ka grumbulluar një sasi minimale pikësh të portofolit, pjesës së parë të testit dhe pjesës së dytë të testit. Nëpërmjet këtij sistemi, i cili ka nisur në vitin 2007, diferencohet paga e mësuesve sipas meritës profesionale.

Në testim do të futen mësuesit që kanë paraqitur portofolin dhe janë vlerësuar mbi një numër minimal pikësh. Mësuesit i nënshtrohen një provimi me test të hartuar nga grupe specialistësh. Testi përmban elemente të dokumentacionit shkollor, elemente të programeve lëndore, aspekte të metodologjisë së mësimdhënienxënies, aspekte të komunikimit e etikës, aspekte të drejtshkrimit si dhe ana shkencore e lëndës. Gjithsej zhvillohen 37 teste të ndryshme, të bazuara në profilet e mësuesve sipas cikleve të arsimit parauniversitar. Testi përmban afërsisht 40-45 kërkesa të vlerësuara maksimalisht 70 pikë, të cilat ndahen si më poshtë: pjesa e parë përmban rreth 6% dokumentacioni shkollor, rreth 9% programi lëndor, rreth 18% aspekte të pedagogjisë dhe metodologjisë, rreth 4% komunikimi dhe etika e mësuesit, rreth 6% drejtshkrimi dhe pjesa e dytë rreth 57% përmbajtja shkencore e lëndës. Kërkesat e testit janë të nivelit bazë, mesatar dhe i lartë. Testi përmban pyetje alternativë, pyetje me përgjigje të shkurtër dhe pyetje të hapura.

 

 

Komentet janë mbyllur