visi baner 5

Kuzhina sipas shijeve të grave të njohura

Kuzhinat që shërbejnë për PR dhe recetat VIP që shesin libra. Receta e kekut me të cilin Sadije Berisha bëri për vete Shkëlzenin. Nga gratë e para dhe aktoret te gazetaret. Tendenca e re në tregun shqip të librit. Jo vetëm me përkthime, por dhe me shijet e ëmbla të familjes kryeministrore

Shumë shpesh nëpër intervista thonë se për të mbajtur formën e tyre nuk bëjnë asgjë dhe se e gjitha është dhuratë e mëmës natyrë. Edhe pse ndërkohë mund të jenë fanatike të palestrës dhe kanë vite që e mbajnë shpirtin me ndonjë fletë sallate dhe ndonjë karotë. Por ndërsa shumica e të famshmeve janë të tilla, ka disa të tjera që e kanë kuptuar që duhet të identifikohen me ato që i ndjekin në televizion apo faqe revistash. Dhe në vend të bëjnë snoben, tregojnë të vërtetë. Jo vetëm se e dashurojnë ushqimin, por janë si gjithë të vdekshmet e tjera të planetit, kuzhinën e kanë vendin e preferuar. Dhe jo vetëm pozojnë me shumë qejf mes furnelave, por dinë të bëjnë dhe biznes me këto fotografi.

Që nga Michele Obama e deri tek Kate, dukesha e re e Kembrixhit, që vizitën zyrtare në Kanada e ka shfrytëzuar edhe për të marrë leksione kuzhine, zonjat e sotme dijnë të jenë më sharmante në kuzhinë sesa nëpër sallone. Zonja e parë Amerikane e ka përdorur në këtë rast kuzhinën për të ftuar të tjerë. Kuzhina e Shtëpisë së Bardhë është e hapur për studentët e kësaj fushe Me këtë rast, nuk mund të mos kthehet në popullore edhe ajo vetë. Rëndësia që i jep familja Obama marrëdhënieve me publikun dihet tashmë, e meqenëse kjo është rruga më e mirë e më e dashur, pse të mos e bënte të ditur botërisht këtë ‘nder’.

 

Receta që vlejnë… para

Por jo vetëm për të rregulluar marrëdhëniet me publikun… Gatimet VIP mund të sjellin edhe të ardhura. Siç është rasti i aktores Eva Longoria. Dashuria për kuzhinën e bëri të hapte restorantin e saj… Gjithsesi, me gjithë reklamën dhe famën që nuk ka munguar, nuk ishte e thënë që punët t’i shkonin përherë vaj. Shija e mirë e aktores nuk mjaftonte, kështu që hera herës restoranti i saj është komentuar edhe për ngjarje “asfare të këndshme”, si dysheme e rrëshqitshme e të tjera si këto, gjobat i ka marrë gjithsesi.

Pas saj, renditet Gwineth Paltrow që kërkon doemos të konsumojë ushqime të shëndetshme e që të jetë e sigurt për këtë. Më mirë se ajo vetë nuk mund ta bëj kush tjetër, prandaj dhe recetat e saj i ka grumbulluar në libër, i botuar ndërkohë në shumë gjuhë të botës. Për ta bërë më të çmuar këtë botim, nga njëra faqe në tjetrën, ajo pozon në ambientet e kuzhinës me dy fëmijët e saj. Por surpriza ka qenë që veç ushqimeve makrobiotike, për të cilat ajo ka folur për vite me radhë, në libër kanë gjetur vend edhe përgatitja e hamburgerëve apo sanduiçëve me ton.

 

Nga ekrani përtej

Prezantuesen e ‘La Prova del Cuocco’, Antonella Clerici,  në mos një herë një tjetër e kemi parë të gjithë. Karriera e saj në televizion ka nisur përpara viteve ’90 e megjithatë fama që i ka dhënë emisioni që drejton prej 10 vitesh nuk ka të krahasuar me drejtimin e festivaleve a emisioneve të ndryshme në Rai, madje as me suksesin e Sanremos. Për shkak të kësaj lidhje të krijuar, Antonella ka botuar gjatë këtyre viteve tre libra kuzhine.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Benedetta Parodi, gazetarja e drejtuesja e lajmeve në Canale 5. Veçse, ajo u tërhoq për fare nga profesioni i saj, për t’iu kushtuar e tëra, dashurisë së saj të re. Libri i Bendetës “Gatuaj e shijo’ është përkthyer edhe në shqip ndërsa ajo vetë ka premtuar që së shpejti do jetë këtu për të promovuar vetë recetat e saj.

 

Sekrete të ëmbla kryeministrore

Në Shqipëri një libër i tillë erdhi nga nuk pritej: nga familja kryeministrore. Pothuajse hermetikë për të nxjerrë përpara publikut fotografi familjare në 20 vjet qëndrimi në politikë, ishte Sadije Berisha, nusja e  Shkëlzenit që në një libër me receta ëmbëlsirash, bashkë me recetat nxori dhe disa nga detajet më intime të shtëpisë, kuzhinën. Në një botim luksoz, me foto profesionale të realizuara nga Albes Fusha, ajo në çdo faqe libri, bashkë me recetat ka shkruar dhe nga një rrëfim të shkurtër për historinë e tyre, të shoqëruara me foto të kuzhinës së saj, fëmijëve të saj… Një libër pra që ia vlen jo vetëm të shfletohet përpara furnelave edhe tavolinës së gatimit, por edhe në kolltukun e dhomës së ndenjes. Sepse mund të lexohet edhe si tregim: tregimi i një gruaje që me anë të recetave të ëmbla mban të gjallë dashurinë në familje.

 

 

 

 

Keku që magjepsi një burrë

 

 

Receta e kekut me të cilin Sadije Berisha bëri për vete Shkëlzenin. Një recetë e thjeshtë që po e sjellim për ju. Mund ta provoni nëse keni ndonjë zemër për të fituar

 

 

 

“E dini thënien: ‘Dashuria e një burri kalon nga stomaku?’ Kek krem çokollatë është ëmbëlsira e preferuar e bashkëshortit tim. Ai thotë se me këtë ëmbëlsirë ia fitova zemrën. Edhe pas shtatë vitesh ai është ende i dashuruar…pas kësaj ëmbëlsire dua të them”.

Kështu e nis shpjegimin e kësaj recete Sadije Berisha, për të cilën “Ky kek është i lehtë për t’u gatuar, realizohet shpejt dhe është një sukses i garantuar. Kur kisha një kafene të vogël në Stokholm, kjo ëmbëlsirë ka qenë një nga të preferuarat dhe lavdi Zotit që nuk është e vështirë për t’u realizuar, pasi ne përgatisnim sasira të mëdha. Kjo ëmbëlsirë e mrekullueshme me çokollatë mund të shërbehet e ngrohtë me akullore me shije vanilje. Ky kek është shumë i butë dhe bashkëshortit tim i pëlqen kështu. Ndërsa mua më pëlqen që ta shijoj ditën tjetër, pasi ka qëndruar një natë në frigorifer. Në këtë kohë, kjo ëmbëlsirë shijon pa masë e shoqëruar me një lugë panë të rrahur”.

 

Mënyra e përgatitjes

4 kokrra vezë

4.5 decilitra sheqer

2 lugë çaji vanilje

6 – 8 lugë gjelle kakao

200 g gjalpë i butë

3 decilitra miell

Një majë luge kripë

 

 

Ngrohet furra paraprakisht në temperaturë 150 gradë.

Rrihen shumë shpejt sheqeri me vezët. Shtohen gjithë përbërësit e thatë, përveç miellit. Hidhet gjalpë shumë i butë dhe pastaj miell. Trazohen për disa minuta dhe masa shtohet në tavën e lyer me gjalpë dhe të spërkatur me miell. Tava ka një unazë të lëvizshme. Piqet në nivelin e mesëm të furrës për 18 – 20 minuta. Në pjesën e mesit ëmbëlsira duhet të jetë e butë. Lihet të ftohet për njëfarë kohe. Nëse e doni të ftohtë, bëni kujdes që të jetë ftohur plotësisht para se ta fusni në frigorifer.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur