visi baner 5

Mandat 5-vjeçar për drejtorët, të zgjidhen nga bordi i shkollave

Drejtori i institucionit arsimor nuk duhet të përzgjidhet nga një komision i posaçëm, por nga bordi i shkollës. Ky është një nga propozimet e grupeve të interesit për projektligjin e ri të Arsimit Parauniversitar, të cilët argumentojnë se me këtë procedurë shmangen edhe emërimet politike në shkolla. Në vijim të diskutimit të ligjit të ri “Për arsimin parauniversitar”, Komisioni për Edukimin zhvilloi dje një seancë dëgjimore me grupet e interesit, ku ishin të pranishëm për të dhënë sugjerimet e tyre përfaqësues nga Avokati i Popullit, Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe grupimi “Alternativa Civile”. Grupet e interesit propozojnë që të rishikohen neni 55 dhe 60 i projektligjit që bëjnë fjalë: i pari, për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të shkollës, dhe i dyti, për pranimin dhe largimin nga puna të mësuesit. Sipas propozimit të bërë nga “Alternativa Civile”, drejtori i shkollës duhet të emërohet nga kreu i drejtorisë arsimore vendore, pas propozimit të bërë nga bordi i shkollës, i cili ka kontakt të vazhdueshëm me institucionin arsimor, ndryshe nga komisioni i përzgjedhjes që do të funksionojë vetëm në raste emërimesh. Po kështu, grupet e interesit kërkojnë që të vendoset mandat 5-vjeçar për drejtuesit e shkollave, me të drejtë rinovimi vetëm një herë. Për sa i përket kritereve që duhet të plotësojë një drejtues, shoqëria civile propozon që ai të mos bëjë pjesë në forumet drejtuese të ndonjë partie, në qendër ose në bazë, si dhe të ketë përvojë mbi 10-vjeçare në arsim dhe eksperiencë në administrim. Edhe për mësuesit, grupet e interesit propozojnë që të ndiqet pothuajse e njëjta procedurë me drejtorët. “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit arsimor publik me propozim të bordit të institucionit arsimor publik, me konkurrim të hapur. Në këtë rast, pranë bordit atashohet me të drejtë vote, kryetari i ekipit lëndor përkatës”, – thuhet në amendimet që Alternativa Civile i ka propozuar Komisionit të Edukimit.

Duke qenë se sipas ligjit të ri, bordi i shkollës do të vendosë edhe për përdorimin e buxhetit, deputetja socialiste, Ledi Shamku kërkoi që bordi të ketë status juridik. Aktualisht, tenderat për mirëmbajtjen e shkollave dhe blerjen e pajisjeve bëhen nga drejtoritë arsimore rajonale. Përfaqësuesi i SOROS-it propozoi që për institucione mbi 500 nxënës, tenderat t’i bëjnë vetë shkollat. Ndërkohë u propozua që Këshilli i Mësuesve të mos varet nga Prefekti, i cili është i emëruar politikisht, por nga këshillat e qarqeve.

 

 

Propozimet  

Njësitë arsimore vendore

1.Drejtori i njësisë arsimore vendore të emërohet nga ministri i Arsimit, me propozim të Këshillit Vendor të Arsimit Parauniversitar.

Krahas kritereve profesionale, të përcaktohen në ligj edhe kriteret e mëposhtme:

1.Kandidati për drejtues i njësisë arsimore vendore, duhet të ketë punuar pa ndërprerje 15 vitet e fundit në arsim.

2. Të ketë pasur përvojë në drejtim (shkolle etj.)

3. Të mos bëjë pjesë në forumet drejtuese të partive politike, në qendër apo në bazë.

Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor

1.Drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga drejtuesi i njësisë arsimore vendore, pas propozimit të bordit të institucionit arsimor. Në këtë rast bordi asistohet edhe nga një përfaqësues i njësisë arsimore vendore(DAR).

2.Kandidati për drejtor i institucionit arsimor zgjidhet me votë nga bordi institucionit arsimor, pas një gare të hapur.

3.Titullari i njësisë arsimore vendore e shkarkon drejtorin e institucionit arsimor publik, me propozim të: bordit të institucionit arsimor; njësisë arsimore vendore; IKAP. Në të gjitha rastet, vendimi duhet të aprovohet nga bordi i institucionit arsimor.

Krahas kritereve profesionale që përcaktohen në dokumentin e ministrit të Arsimit, datë 11.10.2011, “Standardet e drejtorit”, të përcaktohen në ligj edhe kriteret e mëposhtme:

1.Kandidati për drejtor i institucionit arsimor publik nuk duhet të jetë në forumet drejtuese të ndonjë partie, në qendër ose në bazë.

2.Kandidati për drejtori i institucionit arsimor publik duhet të ketë përvojë mbi 10-vjeçare në arsim dhe përvojë në administrim.

3.Drejtori i shkollës ka mandat  5-vjeçar, me të drejtë rinovimi vetëm një herë.

Kjo do të kërkojë rishikimin e pikës 2 të nenit 34 të këtij ligji, për rolin e bordit të institucionit arsimor në zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit si dhe të aktit normativ që parashikon krijimin dhe funksionimin e bordit të shkollës, për ta përmirësuar atë.

Pranimi dhe largimi nga puna i mësuesit

1.Në institucionin arsimor publik për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit arsimor publik me propozim të bordit të institucionit arsimor publik, me konkurrim të hapur. Në këtë rast pranë bordit atashohet me të drejtë vote, kryetari i ekipit lëndor përkatës.

2. Drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për: arritje të ulëta e të përsëritura të nxënësve, krahasuar me arritjet që kanë kolegët e tjerë të së njëjtës lëndë me nxënës në klasa analoge, kjo bazuar në vlerësimin e arritjeve të nxënësit të parashikuara nga nenet 49, 50, 51 dhe 52 të këtij ligji.

3.Mësuesit shkarkohen nga detyra nga drejtori i institucionit arsimor publik, me aprovim të bordit të institucionit, i formatuar sipas pikës 1 të këtij neni.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur