Pranimet e reja, zbardhen 6 180 kuotat që propozon UT sipas degëve

Universiteti i Tiranës propozon që në auditorët e fakulteteve të tij për vitin e ri akademik të ulen 6 180 studentë të rinj për të vijuar studimet e ciklit të parë me kohë të plotë. Krahasuar me një vit më parë, numri i pranimeve për vitin 2012-2013 nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh, me përjashtim të faktit që për disa degë, UT kërkon që të shtohen kuotat. Më konkretisht, UT i propozon Ministrisë së Arsimit që të rriten pranimet për Juridikun me 50 kuota më shumë, duke e çuar në 550 numrin total të pranimeve, e po kështu edhe për katër degët e Filologjikut. Sipas propozimeve të bëra, drejtuesit e UT kërkojnë që në degët Histori, Gjeografi, Gjuhë-Letërsi, vitin e ri akademik të pranohen nga 120 studentë të rinj në secilën degë, nga 100 që ka qenë kuota e sivjetshme. Për Gazetarinë propozohet që të pranohen 85 studentë nga 70 që ka qenë kjo kuotë. Për katër degët e Fakultetit të Mjekësisë që është një ndër më të preferuarit në Universitetin e Tiranës, nuk propozohet asnjë rritje e kuotave të pranimit. Kështu, kuota totale për këtë fakultet propozohet të jetë 500 pranime të reja, nga të cilat, 220 janë për Mjekësinë e Përgjithshme, Farmacia dhe Stomatologjia 120 për secilën degë dhe 40 për Shëndetin Publik. I njëjti propozim vlen edhe për degët e Fakultetit të Infermierisë, për të cilin kuotat e pranimit nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Në këtë fakultet, bashkë me dy filialet e tij në Kukës dhe Sarandë do të pranohen 700 studentë të rinj, ku sipas ndarjes së kuotave, 250 do të jenë për Infermierinë e Përgjithshme në Tiranë, ndërsa nga 100 pranime për Kukësin dhe Sarandën. Për sa i përket fakultetit që do të pranojë më shumë studentë në UT, do të jetë ai i Ekonomisë, për të cilin propozohen plot 1300 kuota bashkë me dy filialet e tij në Kukës dhe Sarandë. Degët që do të kenë më shumë kuota janë Administrim-Biznes dhe Financë, ku do të pranohen 410 studentë të rinj në secilën prej tyre. Pas Ekonomikut, Fakulteti i Shkencave të Natyrës do të jetë i dyti në UT ku do të ulen më shumë studentë të rinj. Kuota totale e pranimit për këtë fakultet propozohet të jetë 1230, nga e cila 300 i takojnë Informatikës dhe 200 Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Një tjetër fakultet që do pranojë një numër të konsiderueshëm studentësh është edhe ai i Gjuhëve të Huaja, për të cilin propozohen 880 kuota, e ku dega me numrin më të lartë do të jetë Anglishtja, pasuar nga Frëngjishtja, Gjermanishtja dhe Italishtja. Propozimet e reja për kuotat e pranimit janë dorëzuar tashmë në Ministrinë e Arsimit, drejtuesit e së cilës do të marrin edhe vendimin final. Një vit më parë, sipas vendimit të marrë edhe nga qeveria, në universitetet publike të vendit për studimet e ciklit të parë me kohë të plotë u pranuan mbi 23 mijë maturantë.

 

Kuotat sipas fakulteteve

Ekonomiku 1300

Shkencat e Natyrës 1230

Gjuhët e Huaja 880

Infermieria 700

Shkencat Sociale 575

Drejtësia 550

Mjekësia 500

Filologjiku 445

Komentet janë mbyllur