visi baner 5

Tregtimi i gazit në katet e para të pallateve, banorët ankohen në Prefekturë

Vazhdon të mbetet një problem evident tregtimi i bombulave të gazit në qytetin e Fierit, ndërsa mjaft banorë janë ankuar në Prefekturë, pasi gazi shitet në ushqimore në katet e para të pallateve jashtë kushteve teknike. Shumë njësi tregtimi punojnë pothuajse jashtë çdo sigurimi teknik, ndërsa në shumë raste gazi tregtohet në dyqanet e ushqimeve dhe katet e para të pallateve. Megjithëse kohë më parë institucioni i Prefektit të Fierit, nisur nga rreziku që paraqiste tregtimi dhe shpërndarja e bombolave të gazit të lëngshëm dhe karburantet ndërmori një plan masash për kontrollet në më shumë se 150 pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm dhe karburanteve në Fier, duket se situata po përsëritet, ndërsa gjithçka ka mbetur në vend. Shefi i Emergjencave Civile në këtë institucion, Viron Balla është shprehur se ka sërish një aktivizim të “vatrës” së kontrolleve, sidomos tani në stinën e nxehtë. “Mbështetur edhe nga vendimi i Ministrisë së Brendshme, specialistë të ngarkuar dhe njohës të mirë të gjendjes bëjnë kontrolle të imtësishme për kushtet e tregtimit të tyre dhe do të zbatojnë sanksione për subjektet që nuk zbatojnë kushtet e plotësimit të transportimit dhe tregtimit të gazit të lëngshëm dhe karburanteve”, – ka deklaruar ai. Ndërkohë kanë qenë të shumtë qytetarët që ankohen se u kanoset rrezik, çka po e vë sërish në lëvizje edhe institucionin në fjalë.

“Kemi marrë parasysh dhe ankesat e banorëve, të cilat i kemi verifikuar dhe ua kemi kaluar organeve kompetente që të ndalojnë dhe mos lejojnë tregtimin e gazit të lëngshëm në ambientet e populluara. Tani jemi në marrjen e masave”, – ka thënë më tej shefi i Emergjencave. Sipas burimeve të Prefekturës, ky aksion do të vazhdojë për çdo ditë deri në eliminimin e problemeve. “Të gjitha pikat e tregtimit, qofshin ato të shumicës, apo ato të pakicës, do të kujtohen me anë të shkresës zyrtare çdo ditë që të plotësojnë të gjitha kushtet e tregtimit, ndryshe do të ketë sanksione”, – thonë burime nga Prefektura. Shpesh ka ndodhur që bombolat e gazit të kenë qenë shkak i shpërthimit të zjarrit në banesa të ndryshme në qytet dhe rrethinat, por kjo ka ardhur jo vetëm si rezultat i tregtimit jashtë kushteve të sigurimit teknik, por edhe për shkak të cilësisë jo të mirë të gazit, mungesës teknike të masave mbrojtëse dhe mungesës së standardeve, për të cilat Prefektura ka nisur sërish kontrollet.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur