Tritol shtëpisë së shefit të Krimeve, dyshohet atentat për shkak të detyrës

Një sasi e madhe tritoli ka shpërthyer gjatë mbrëmjes së djeshme pranë banesës së shefit të Krimeve të rënda në Burrel, Sami Neli. Burime nga policia thanë se eksplozivi në sasi të konsiderueshme ishte vendosur pesë metra larg banesës në të cilën ndodheshin të gjithë anëtarët e familjes, por edhe pse shpërthimi ka qenë i fuqishëm, fatmirësisht askush nuk është dëmtuar. Ndërkohë po dje, një sasi tjetër tritoli u vendos në një apartament në Fushë-Arrëz, këtë herë në banesën e një qytetari të thjeshtë dhe sërish pa shkaktuar viktima.

 Ngjarja

Policia tha se shpërthimi i fuqishëm ka qenë rreth 5 metra larg godinës ku banon Neli, ku duket se atentatorët kanë menduar se për shkak të sasisë së eksplozivit largësia ishte e mjaftueshme. Fati duket ka ndihmuar familjen e shefit të Krimeve, pasi tritoli megjithëse në sasi të mëdha nuk ka sjellë lëndime në njerëz, edhe pse ka shkaktuar dëme për rreth duke thyer edhe xhama të banesave që ndodheshin pranë kësaj shtëpie. Burime nga policia thanë se nuk ka pasur dëshmitarë okularë që mund të kenë parë personat që kanë vënë tritolin dhe ende nuk ka ndonjë të dhënë konkrete mbi motivet e tij.

Hetimet

Hetimet deri tani nuk kanë mundur të zbulojnë asnjë konflikt tjetër të Nelit, veç mundësisë që kjo të jetë një hakmarrje për shkak të punës së tij në polici. “Pista e parë ku po hetohet është ajo e konflikteve për shkak të detyrës”, – tha policia. Burime nga kjo e fundit thanë se po kalojnë në “sitë” ngjarjet të cilat ka hetuar shefi i krimeve, për të piketuar të dyshuarit e mundshëm. Ndërkohë disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në banesën e Nelit dhe të fqinjëve të tij. Ndërkohë shpërthimi tjetër ndodhi në Fushë-Arrëz, ku sipas policisë lokale, në orët e para të mëngjesit të djeshëm është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në hyrjen e banesës së shtetasit Leonard Doda.  Të njëjtat burime njoftuan se nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por vetëm dëme të mëdha materiale në të gjithë pallatin. Efektivët e policisë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe autorët e ngjarjes.

Komentet janë mbyllur