Të afërmit e palestinezit: Viktimë e konfliktit me firmat rivale

Tiranë Anwar Rizik, një 43-vjeçar palestinez me nënshtetësi shqiptare u vra mëngjesin e djeshëm në një atentat me eksploziv, në portën e vilës dykatëshe ku jetonte së bashku me familjen. Shpërthimi që shkaktoi panik në Tiranë, edhe për shkak të afërsisë së banesës me ambasadën amerikane ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit, në kohën kur Rizik, shef i financës së fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë po shkonte në punë. Burime nga vendi i ngjarjes i thanë dje MAPO-s se 43-vjeçari ka hapur portën e banesës ku jetonte, duke aktivizuar eksplozivin e lidhur me fije përcjellëse. Shpërthimi ka qenë i fortë dhe fatal për palestinezin që jetonte prej më shumë se 10 vitesh në Tiranë, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Pak minuta pas shpërthimit, vendi i ngjarjes, vetëm 30 metra larg Ambasadës Amerikane është mbushur me specialistë të anti-terrorit, të zyrës së krimeve e drejtues të lartë të policisë, të cilët kanë nisur hetimet e para. Fqinjë të Rizik i thanë dje MAPO-s se shpërthimi ka qenë aq i fortë, sa viktima ka humbur menjëherë jetën. “Kishte marrë plagë në fytyrë dhe në trup”, – bëjnë me dije ata, ende nën panik nga ngjarja e rëndë.

Hetimet

Pasi kanë mbledhur dëshmitë e para në vendngjarje apo kanë shoqëruar në polici persona që ndodheshin në kafetë pranë vendit të krimit, grupi hetimor ka diktuar një kamera të vendosur në një biznes aty pranë. Kasetat filmike janë administruar nga grupi hetimor, ndërkohë që mësohet se autoritetet policore kanë bërë kërkesë dhe pranë ambasadës amerikane, për të marrë pamjet filmike të sistemit vëzhgues, që mbulojnë edhe perimetrin ku ndodhej shtëpia e viktimës Anwar Rizik. Gjatë gjithë ditës së djeshme, kolegë dhe të njohur të viktimës janë marrë në pyetje nga policia, e cila është interesuar për ndonjë konflikt të mundshëm të tij. Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja shqiptare e 43-vjeçarit, e cila ka dhënë detaje mbi momentin kur ndodhi shpërthimi, por edhe për dyshimet e saj lidhur me ngjarjen.

Pistat hetimore

Anwar Rizik, palestinezi nga Betlehemi që jetonte prej vitesh në Tiranë ishte njëri prej drejtuesve të kompanisë “Fushë-Kruja Cement”, çka i ka dhënë grupit hetimor pistën e parë për zbardhjen e ngjarjes. Kompania për të cilën ai punonte është tronditur shpesh nga shpërthime tritoli e konflikte me banorët e zonës, çka përbën për punonjësit e policisë një pistë të arsyeshme për ekzekutimin e djeshëm. Edhe pse të rezervuar, burimet nga policia e Tiranës i thanë MAPO-s dyshimet më të mëdha bien mbi një konflikt të mundshëm mes kompanisë për të cilën punonte Rizik me firmat rivale. “ Ne nuk dimë ç’të themi. Dëgjuam nga mediat që kanë shoqëruar shumë njerëz në Fushë-Krujë nga fiset e zonave pranë fabrikës. Më parë kemi pasur shumë probleme aty, na kanë vënë dhe dinamit brenda fabrikës. Por prej të paktën pesë muajsh nuk ka pasur asnjë problem. Pra kohët e fundit nuk ka pasur as problem me fiset e zonës, por as dhe ndonjë debat që ne ta dinim”, – shprehen ata duke ngritur supet me habi. “Po analizojmë aktivitetin e tij si shef i transaksioneve financiare pranë kompanisë për të kuptuar nëse ka ndonjë konflikt të mundshëm në këtë drejtim”,-tha një burim zyrtar nga policia. E ndërsa janë fokusuar tek aktiviteti i Rizik, anëtarët e grupit hetimor nuk kanë lënë pas dore edhe dyshimet e tjera që lidhen me situatën familjare, apo ndonjë konspiracion të mundshëm që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Hetuesit shqiptarë po gërmojnë edhe në të kaluarën ose lidhjet e viktimës, pasi pista e tretë është ajo e një vrasje të porositur nga jashtë kufijve shqiptarë. Burime nga grupi hetimor thonë se sasia e eksplozivit është vendosur në pjesën fundore të portës hyrëse të shtëpisë. Porta është çmontuar nga ekspertët dhe për katër orë, është analizuar prej tyre. Konkluzioni ka qenë se bëhet fjalë për një bombë artizanale të shpërthyer, e cila ka copëtuar tërësisht trupin e viktimës. Anwar Rizik ka punuar në Shqipëri që prej vitit 1999, në biznesin e çimentos për llogari të pronarëve të saj libanezë. Ai rezulton se në vitin 2004 ka regjistruar një biznes në emrin e tij, i cili gjithashtu kishte për objekt fushën e prodhimit dhe eksportimit të çimentos.

 

Rizik mori nënshtetësi shqiptare

Kolegë të Anwar Rizik thanë dje për MAPO-n se ai mbante titullin e zv/drejtorit të kompanisë “Fushë-Kruja Cement Albania” dhe puna e tij përfshinte mbulimin e një game të gjerë aktivitetesh. I mbërritur në Shqipëri në vitin 1999, Rizik kishte marrë nënshtetësinë shqiptare në vitin 2010, me dekret të Presidentit. Ai ka dy fëmijë me gruan e tij shqiptare. Hetuesit kanë urdhëruar ditën e djeshme verifikime edhe në lidhje me pasurinë e disponuar nga viktima në banka apo në prona të paluajtshme, për të përjashtuar ose jo dyshimet mbi një ekzekutim për motive ekonomike.

 

 

Vrasja në Tiranë, RENEA “pushton” fshatin në konflikt me fabrikën

 

Kontrolle të imtësishme deri edhe në mullarët e barit dhe kasollet e kafshëve në kërkim të municioneve. Shoqërohen 20 persona me të njëjtin mbiemër, ndërsa janë shtuar masat e sigurisë në zonën e fabrikës

 

Pak orë pas vrasjes në Tiranë të palestinezit Anwar Rizik, zv/menaxher i fabrikës së çimentos, forcat e RENEA-s kanë bastisur disa banesa të fshatit Zallë në Fushë-Krujë, si dhe shoqëruan në polici 20 persona me mbiemrin Zalla. Mësohet se disa nga këta persona janë arrestuar disa muaj më parë për vendosjen e tritolit në ura dhe hekurudha që lidhin zonën me fabrikën e çimentos, por me vendim të gjykatës kanë dalë të pafajshëm.  Fisi Zalla pretendon të jetë pronar i tokës ku është ndërtuar fabrika e çimentos dhe kanë pasur konflikte me pronarët e saj. RENEA ka kontrolluar edhe banesën e Ylli Zallës, i cili para pak muajsh është arrestuar dhe vazhdon të jetë në qeli, i akuzuar si posedues i një sasi të konsiderueshme lëndësh plasëse kryesisht tritol si dhe armë luftarake dhe municione. RENEA në këtë operacion është udhëhequr nga ana e drejtuesve të policisë së Fushë Krujës. Ndërsa ka ushtruar edhe kontrolle të hollësishme në banesa e në afërsi të shtëpive të banimit, duke kontrolluar imtësisht edhe kasollet e  bagëtive apo mullarët e barit. Ndërsa puna në fabrikën e çimentos në Fushë -Krujë ka vazhduar normalisht, edhe pse masat e sigurisë janë shtuar, ku policia kontrollon me imtësi të gjithë mjetet që hynë dhe dalin nga fabrika. Vrasja e palestinezit Anwar Fouad Rizik vjen pas një sërë atentatesh ndaj kësaj fabrike, ku janë vendosur plot 12 herë eksplozivë në rrugët që lidhin këtë fabrikë, pas tensionit me banorët e zonës, që pretendojnë se ajo është ndërtuar në tokat e tyre. Tensioni është rritur pas vrasjes edhe një të riu nga roja e i fabrikës banorë i zonës, ku i riu kishte hyrë në ambientet e fabrikës për të vjedhur.  Pronarët e fabrikës fillimisht paguanin banorët që pretendonin se kishin pronësi mbi truallin, por më pas i ndërprenë ato, duke nxituar kështu valën e hakmarrjeve. Vazhdimisht, sa herë ka pasur shpërthim janë shoqëruar banorë të fshatit Zallë, por që nga organet e drejtësi janë shpallur të pafajshëm.

 

Jeta e panjohur në Tiranë e të birit të ish-kreut të Partisë Popullore të Palestinës. Të afërmit: Mbeti viktimë e konfliktit me firmat rivale. Si u njoh me studenten nga Lushnja në Palestinë dhe vendimi për t’u zhvendosur në Tiranë

 

Tiranë Anwar Rizik, një financier thuajse i panjohur në Shqipëri, në Palestinë nuk ishte askushi. Bir i ish-shefit të Partisë Popullore Palestineze, Fouad Rizik, vrasja me eksploziv e 43-vjeçarit në Tiranë ka zënë hapësirë në median vendase, gjatë ditës së djeshme. Sipas agjencisë së lajmeve “Ma’an”, një media e njohur kjo për botën palestineze, vrasja e Anwar Rizik është komentuar nga të afërmit si e motivuar nga konfliktet në biznes.  “Familja e tij beson se Rizik ishte viktimë e një konflikti mes kompanisë për të cilën ai punonte dhe firmave rivale”,-raporton kjo agjenci lajmesh. Babai i palestinezit të vrarë me bombë dje në Tiranë ka qenë një personazh shumë i njohur në Palestinë, ku për shumë vite ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Popullore të Palestinës. Fouad Rizik, i njohur si një personazh progresist ka ndërruar jetë në vitin 2008, ndërsa në Tiranë, mbetet ende e paqartë sesi i biri i tij, Anwar Rizik vendosi të emigrojë në Shqipëri, ku punoi prej 12 vitesh në biznesin e çimentos.

Martesa me studenten nga Lushnja

Prej katër vitesh, Anwar dhe Elda Rizik jetonin me qira në ndërtesën dykatëshe pranë ambasadës amerikane në Tiranë, së bashku me dy djemtë e tyre të vegjël. Të afërm të saj treguan dje për MAPO-n se çifti është njohur gati 12 vite më parë në Palestinë. “Janë njohur në Palestinë, ku Elda ka studiuar për Ekonomik. Më pas kanë bashkëjetuar dhe janë martuar e prej shumë vitesh, të dy jetonin në Tiranë, së bashku me dy djemtë e tyre”, -tha dje një e afërme e bashkëshortes së Rizik. Përgjatë gjithë ditës së djeshme, pranë banesës së Rizik kanë qëndruar kryesisht kolegë të tij të punës. “Ne e njohim prej vitesh dhe ka qenë një ndër njerëzit më të qetë dhe më komunikues me të cilët kishim të bënim. Një profesionist i mirë dhe njeri i mbledhur, i fokusuar te puna dhe familja”, – tha dje njëri prej kolegëve. Nga ana tjetër, të njëjtin konstatim duket se kanë dhe fqinjët e viktimës. “E dinim që ishte arab dhe përshëndeste çdo mëngjes. Jetonte me gruan dhe fëmijët tek shtëpia përballë me qira  dhe pasditeve apo në fundjavë pinim dhe kafe këtu në lagje”, -tha dje një fqinje e moshuar e viktimës. Bashkëshortja e viktimës, Elda Rizik është me profesion ekonomiste dhe mësohet se punon pranë një kompanie që administron shitjen e duhanit në Shqipëri. Ajo dhe të afërmit e saj kanë qenë të vetmit persona që kanë mbajtur zi dje në shtëpinë e marrë me qira nga çifti, pasi të afërmit e viktimës janë të gjithë në Betlehem.

Varrimi në Betlehem

Trupi i Anwar Rizik do të qëndrojë në morg, me kërkesë të veçantë të të afërmve të tij në Palestinë. Të afërmit bëjnë me dije se varrimi i tij është planifikuar të bëhet në vendin e tij të lindjes, në Palestinë. Këtë fakt e kanë konfirmuar dje dhe zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, të cilët kanë kryer dhe autopsinë e viktimës paraditen e djeshme. Nga ana tjetër mësohet se bashkëshortja e Rizik, Elda është kontaktuar nga hetuesit e çështjes për të marrë disa të dhëna paraprake në lidhje me aktivitetin e tij të kohëve të fundit.

 

 

Libri i harruar, shpëton për mrekulli i biri

Një rastësi fatlume ka qenë ajo që ka shpëtuar dje nga atentati djalin 6-vjeçar të Anwar Rizik, pak çaste përpara shpërthimit tragjik. Një e afërme e bashkëshortes së Rizik ka treguar dje për MAPO-n dhe momentet e fundit të viktimës, ndërsa ka shtuar se shpërthimi me gjasë mund të kishte rrezikuar dhe të birin e Rizik. “ Ai çdo mëngjes bëhej gati për në punë dhe përpara se të nisej çonte djalin e madh 6 -vjeçar në shkollë. Shkolla e djalit  është jo shumë larg shtëpisë. Pasi shpërthimit të tmerrshëm neve na tregoi vetë djali se si ka shpëtuar mrekullisht”, -shprehet e afërmja e familjes. Sipas saj, djali ka dalë nga dera e shtëpisë me të atin, për t’iu drejtuar portës kryesore ku ishte vendosur dhe lënda eksplozive. “Porsa ka zbritur shkallët i biri i ka thënë se do shkonte sërish brenda për të marrë një libër që e kishte harruar. Anwari i ka thënë: Shko mere me vrap, sa të hap derën unë, mos u vono. Më pas ka ndodhur shpërthimi dhe fatmirësisht me sekonda kishte që i biri ishte futur brenda në shtëpi. Në shtëpi ndodheshin gjithashtu edhe Elda dhe djali i vogël”,- shprehet për MAPO-n e afërmja e familjes.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login