Berisha: Pagat dhe pensionet rriten në korrik me 5%

Rritja e pensioneve mbi 4 për qind dhe rrogave rreth 5 për qind do të hyjë në fuqi gjatë muajit korrik. Lajmin e ka dhënë dje gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri Berisha, i cili tha se kjo rritje do të bëhet pavarësisht kundërshtimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare. Kryeministri njoftoi se sipas vendimit që po përgatitet, pensionet në qytet rriten rreth 4 për qind dhe pensionet në fshat rriten me mbi 5 për qind. Gjithashtu, edhe rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind dhe do të ketë një shpërndarje të tyre, sipas së cilës, rrogat e larta do kenë rritje minimale, ndërsa të ulëtat do të kenë maksimumin e lëvizjes. Më parë, Ministria e Financave në ligjin e buxhetit të këtij viti ka planifikuar të rrisë pagat dhe pensionet me ritmet e inflacionit, maksimumi 4 për qind. Ndërkohë që zhvillimet e para ekonomike të këtij viti flasin për grumbullim të të ardhurave poshtë parashikimeve buxhetore. Vetëm për tremujorin e parë të vitit arkës së shtetit i mungojnë 30 milionë euro nga të ardhurat e programuara. Nga ana tjetër, në këtë kohë krize qeveria është e detyruar të mbajë deficitin buxhetor nën kontroll, çka do të thotë se për të arritur këtë objektiv duhet të shkurtojë edhe disa shpenzime që ishin planifikuar në janar. Edhe Kryeministri theksoi se kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë, në një nga kulmet e krizës së euros dhe të borxheve, të cilat në mënyrë të padiskutueshme kanë ndikuar dhe ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare. Por duket se për të arritur synimin e rritjes së pagave në përqindjet e publikuara dje nga Kryeministri, do të ndihmojnë të ardhurat nga privatizimi, pasi shitja e katër hidrocentraleve është në prag. “Në këtë mbledhje dëshiroj të informoj qytetarët se qeveria, Ministria e Financave po përgatit vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve në përputhje me platformën tonë, premtimin e bërë për rritje të rrogave dhe pensioneve, rritje që prek direkt  800 mijë familje shqiptare, që ndikon dhe rrit të ardhurat mujore familjare të 800 mijë familjeve shqiptare”, – tha kryeministri Berisha. Sipas planit të zbardhur nga Kryeministri, rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind. Natyrisht, rrogat e larta mund të mos rriten fare ose do rriten 1 për qind. Rrogat më të ulëta do të proporcionohen siç është drejtimi themelor që ne kemi. “Mjekëve u është rritur rroga me 146 për qind, infermierëve 132 për qind, ministrit vetëm me 15 për qind, nga 2006 e deri tani të marra së bashku. Këto janë disa nga të dhënat”, – tha Berisha. Ndërsa pensionet në qytet rriten rreth 4 për qind dhe pensionet në fshat rriten mbi 5 për qind. “Ka pasur debate me partnerët tanë, institucionet ndërkombëtare mbi këtë lëvizje, por ne kemi mbajtur një politikë konstante për këtë gjë. Ky nuk është një vit elektoral, pra nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç një detyrimi të madh njerëzor dhe investimi, së pari, në rroga, në burimet njerëzore dhe së dyti, në mbështetje të pensionistëve”, – tha Kryeministri

 

 

Rritja e pagave dhe pensioneve në %

 

 

 

Rrogat e ulëta rriten    5%

Rogat e larta rriten      0-1 %

 

Pensionet në fshat       5%

Pensionet në qytet       4%

 

Ja sa do të jenë pagat më 2012 në vlerë neto

 

Paga mesatare e arsimtarit në sistemin arsimor të mesëm        588.29 lekë

Pagesa mesatare e arsimtarit në arsimin 9-vjeçar                     5190 lekë

Paga mesatare e mjekut                                                           575.530 lekë

Paga mesatare e infermierit                                                      367.250

Pensionet e fshatit                                                                   8731 lekë

Pensionet minimale në qytet                                                   13.6 mijë lekë

Pensionet maksimale                                                                235 mijë lekë

 

Rritja e pagave aktivizohet më 16 korrik

 

Rritja e pagave këtë vit hyn në fuqi më 15 korrik dhe jo më 1 korrik, siç ishte bërë traditë këto vitet e fundit. Lajmin e ka dhënë Ministria e Financave, në dokumentin e Programit Ekonomik dhe Fiskal të këtij viti. “Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2012 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritjeje selektive për sektorët prioritarë”, – njofton dikasteri i Bodes. Ministria e Financave bën me dije se shpenzimet e personelit për vitin 2012 u bazuan në një politikë që synon rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të burimeve njerëzore. Këto shpenzime parashikohen të ulen në terma realë dhe të jenë rreth 5.1% e PBB-së në krahasim me 2011-ën. Më konkretisht kjo ulje, sipas Financave ka ardhur si pasojë e reformave që parashikohet të kryhen në disa sektorë si: reduktimi i numrit të efektivëve ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, që ulin në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2012 në 88 640 punonjës nga 89 560 punonjës në vitin 2011. Gjithashtu, fondi i pagave është përllogaritur duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave, duke filluar nga data 15 korrik 2011. Ministria e Financave sqaron gjithashtu se këtë vit në përllogaritjen e shpenzimeve për paga është identifikuar si një zë më vetë fondi i veçantë, i cili gjatë vitit 2012 do të përdoret vetëm pas miratimit të ministrit të Financave në përputhje me performancën e të ardhurave sipas rasteve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave. Sipas ligjit të buxhetit, fondi për rritjen e pagave për vitin 2012 do të jetë rreth 1.5 miliardë lekë, i mjaftueshëm për një rritje jo më të lartë se 2-3 për qind. Këto fonde për rritjen e pagave dhe pensioneve që pritet të vërë në dispozicion buxheti i vitit që vjen, mjaftojnë vetëm për indeksim me inflacionin, pohuan të njëjtat burime. Kështu, pavarësisht debateve për linjën që do të mbahej në lidhje me mbajtjen në nivelet aktuale të borxhit publik dhe deficitit, pagat dhe pensionet do të rriten. Qeveria edhe me buxhet nën presion ka vendosur të rrisë pensionet si të fshatit, ashtu edhe të qytetit e gjithashtu pagat e administratës, pavarësisht përqindjeve shumë të ulëta. Sipas programimeve në buxhet, fondi në dispozicion të politikave të reja të pagave dhe pensioneve është rreth 3 miliardë lekë. Ministri i Financave, Ridvan Bode ka bërë me dije se Shqipëria është vendi me faturën sociale më të lartë në rajon, për shkak të politikave shumë agresive që përdori qeveria për të zbutur varfërinë në mandatin e shkuar, por edhe në këtë që vijon.

NJë përgjigje për "Berisha: Pagat dhe pensionet rriten në korrik me 5%"

  1. emigrante  17/05/2012 në 11:06 am

    Na ka mush mendjen.

Komentet janë mbyllur