Reformimi i bankave – një përgjigje ndaj krizës

Kriza financiare evidentoi si domosdoshmëri reformimin e bankave dhe sistemit bankar aktual. Fillimi i një reforme fondamentale në këtë drejtim u lajmërua gjatë takimit të G20 në prill 2009 në Londër. ShBA dhe Britania e Madhe, kampionët e derregullimit dhe liberalizmit financiar, në mënyrë paradoksale u prononcuan në favor të “rregullimit bankar” dhe ndarjes së “qartë ndërmjet aktivitetit të depozitave dhe kredisë, nga aktivitetet e investimeve në tregje të ndryshme”. Objektivi kryesor: të mbrohen depozitat nga risqet spekulative.

Nuk është hera e parë që ShBA tentojnë të frenojnë oreksin e bankierëve. Përkundrazi, ky mund të quhet refren normal mbas shpërthimit të çdo krize të madhe financiare. Të nesërmen e shpërthimit të krizës së depresionit të madh në vitin 1929, presidenti Roosevelt, në kuadrin e “New deal” urdhëroi një ndarje të qartë ndërmjet bankave tregtare dhe bankave të investimeve. Ligji “Glass-Steagall”, që shpalli papajtueshmërinë ndërmjet bankave tregtare dhe atyre të investimeve, që krijoi sistemin federal të sigurimeve për depozitat bankare dhe përcaktoi një tavan për përqindjet e interesit për depozitat jetoi pothuajse për 70 vjet në ShBA. Në Europë, ishte Franca që adoptoi një ligj të ngjashëm në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

Por në mbarim të viteve 1980 konceptet e praktikat derregulluese e liberalizuese u rikthyen me forcë. Më 1984, Franca që i dha fund ndarjes së bankave duke iu rikthyer modelit universal; më 1986, kryeministrja britanike Margaret Thatcher inicioi një proces intensiv e spektakolar derregullimesh në gjirin e City të Londrës. Në ShBA filloi një sulm i hapur ndaj ligjit “Glass-Steagall”, sepse, si pasojë e konkurrencës europiane dhe britanike, kapitalet amerikane filluan të largohen masivisht drejt Londrës dhe Europës. Kongresi amerikan, në nëntor 1999, duke votuar “Gramm-Leach-Bliley Act” e abrogoi këtë ligj duke iu rikthyer eksperiencës së bankave universale. Por, 9 vite më vonë, Lehman Brothers, simboli financiar “made in USA” falimentoi duke shkaktuar një panik të madh në bursat botërore, duke detyruar mjaft qeveri që t’i rifinanconin bankat. Në ShBA me mijëra njerëz u dyndën në sportelet e bankave për të tërhequr depozitat, duke rikthyer frikën e një “bank run” të ri. Administrata e presidentit Obama reagoi duke garantuar depozituesit dhe ndëshkuar bankat. Në korrik 2010 presidenti Obama nënshkroi “Dodd-Frank Wall Street Reform and Consumer Protection Act”, i cili i detyronte bankat që, duke u nisur nga 2014-ta, të “zgjidhnin ndërmjet spekulimit në treg me fondet e tyre dhe aktivitetit si banka të zakonshme tregtare depozitash e kredish”.

E njëjta situatë në Angli. Vetëm tre vjet mbas injektimit të 70 miliardë eurove për të evituar falimentimin e Royal Bank of Scotland dhe Lloyds Banking Group, Londra njoftoi për “një reformë radikale” në sistemin bankar, më ambiciozen mbas periudhës Thetcher. Thelbi i kësaj reforme ishte përsëri “garantimi i depozitave në sistemin bankar britanik. Më 12 shtator 2011, Komisioni për bankat në Parlamentin britanik, i kryesuar nga J.Vickers, paraqiti propozimet e reja për reformimin e bankave, të cilat gëzuan mbështetje të plotë nga qeveria konservatore e Cameron-it. Ligji i ri parashikonte një ndarje pjesore nëpërmjet një sistemi filialesh ndërmjet aktiviteteve tregtare me depozitat dhe kreditë nga aktivitetet e investimeve. Depozitat do të ishin të mbrojtura nga risqet spekulative dhe nuk do të shërbenin më për të financuar “kazinonë” e tregjeve. Si për të vërtetuar drejtësinë e këtij ligji, vetëm 3 ditë mbas miratimit, një spekulator financiar i quajtur K.Adoboli i humbi bankës së madhe zvicerane UBS 2.3 miliardë usd, si pasojë e spekulimeve aventurore të tij në treg. Qeveria britanike e mbrojti ligjin e saj duke u shprehur se “ky rast dëshmon akoma më shumë se është absurde t’ia lësh depozitat në dorë institucioneve të papërgjegjshme që mund të bëjnë të shpërthejë armë financiare të shkatërrimit në masë”. Dhe çfarë ishte më e rëndësishme nga pikëpamja e financave publike, në rast falimentimi të bankave, autoritetet qeveritare ndërhynin vetëm për shpëtimin e bankave tregtare dhe jo për gjithë bankat. Si pasojë e ndërhyrjes së lobit bankar britanik, kjo reformë që kushton 5-8 miliardë euro në vit vetëm për katër bankat më të mëdha britanike, u parashikua që të hyjë në fuqi në vitin 2019. Ky duket si një revolucion i vërtetë në sektorin bankar. Ndërkohë që Londra, në emër të mbrojtjes së interesave të City, vuri veton e saj kundër traktatit europian të disiplinës financiare, qeveria britanike premton se do të shkojë shumë më larg se Europa në mbrojtje të depozitave bankare.

Europa kontinentale duket se nuk është gati të heqë dorë kollaj nga sistemi dominues i bankave universale, që strehon nën të njëjtën çati si depozituesit e vegjël dhe depozitat e tyre, ashtu dhe fonde të ndryshme investimesh e spekulative me fitim por dhe me risk të lartë. As kriza e subprimes dhe as ajo e borxheve sovrane nuk e kanë vënë akoma në dyshim këtë formulë për europianët, përkundrazi, në Europë, kjo formë universale e bankave citohet si “mbrojtëse kundër spekulimeve të tregut”. Argumentet kryesore mbështeten në fakte që i referohen dy falimentimeve spetakolare: “Northern Rock ishte një bankë e zakonshme dhe e thjeshtë tregtare, ndërkohë që gjiganti tjetër “Lehman Brothers” nuk kishte asnjë dollar depozita. E megjithatë, të dyja falimentuan. Për europianët, te rëndësishme janë “ndryshimet dhe përmirësimet institucionale”, që kanë të bëjnë me krijimin dhe funksionimin e autoriteteve të rregullimit bankar dhe tregjeve financiare në nivel europian, ndryshimet dhe adaptimet në kuadrin prudencial etj.

Debatet dhe filozofia e reformimit të bankave duket se më në fund po kanalizohen në dy tema thelbësore: “arkitektura e strukturave të sistemit bankar” dhe “rregullat e reja të administrimit të politikës prudenciale”.

Arkitektura e re e sistemit bankar po diskutohet në shumë pika: madhësia e bankave, specializimi i bankave dhe qartësimi i roleve, niveli i kapitalizimit, roli i shtetit etj.

Gjatë 3-4 dekadave të fundit, sektori bankar ka njohur një konsolidim masiv, horizontal e vertikal, duke i shumëfishuar përmasat e tij. Shumë prej këtyre grupeve bankare janë bërë tashmë ndërkombëtare. Falimentimi, apo qoftë dhe performanca problematike e tyre shkakton kriza të rënda. Në përmasat e tyre aktuale “gjigante” ekspozimi i lartë ndaj riskut operacional e sistemik e bën shumë të dëmshëm për gjithë sistemin monetar e financiar çdo falimentim të tyre. Kostot e këtij falimentimi mund të jenë të papërballueshme edhe ndaj ndërhyrjes publike të qeverive. Sipas shprehjes tashmë të famshme të N.Roubini-t, një bankë “too big to fail” është gjithashtu edhe një bankë “too big to be menaged”. Edhe përcaktimi i rolit dhe prezencës së shtetit në raport me bankat mbetet për t’u përcaktuar. Kur ato janë në vështirësi duhet të ndërhyjë me kapital apo t’i shtetëzojë? Duhet vetëm t’i mbështesë apo t’i kontrollojë? Arkitektura e re e sistemit bankar kërkon një “përcaktim e përkufizim të qartë të madhësisë së lejuar të bankave”.

Specializimi i bankave apo eliminimi i një pjese të aktiviteteve të pastra “spekulative në treg” për një pjesë të tyre përbën pistën e dytë të reformimit. Bankat universale, nëpërmjet inovacioneve financiare komplekse apo produkteve spekulative, në shumë raste ndërmarrin operacione me risk të lartë, duke e shtrirë efektin e këtij risku te të gjithë klientët e tyre. Paul Volker shikon te bankat universale që kryejnë dhe shumë operacione spekulative mundësinë e “një devijimi të politikave monetare”, pasi këto banka kanë akses në rifinancimet nga bankat qendrore, dhe ndërkohë që këtë masë monetare duhet ta përdorin për garantimin e likuiditetit të depozitave dhe financimin e ekonomisë reale nëpërmjet kredive, ato e përdorin atë “për aktivitete të pastra spekulative tregu”. Paraja është një pronë dhe e mirë kolektive që nuk ka për mision të mbështesë pozicionet spekulative të agjentëve financiarë të caktuar, dhe as fryrjen e aktiveve në degë e aktivitete që pastaj përfundojnë në flluska financiare. A mund…dhe si mund të realizohet një ndarje dhe specializim i bankave? Zgjidhja e këtij problem dhe përcaktimi më i saktë i “Bussines model” të bankave do përbëjë thelbin e reformës.

Rregullat e reja të administrimit të politikave prudenciale, sidomos ato që lidhen me solvabilitetin dhe likuiditetin, janë bërë më të ashpra në këto vite krize. Për t’u mbrojtur nga rreziku i falimentimit të bankave, një reformë e rëndësishme është marrëveshja “Bazel 3”, e finalizuar në dhjetor 2010, e cila fokusohet tek aktivitetet jashtë bilancit të bankave – sidomos te produktet derivative, te mjaftueshmëria e kapitaleve të tyre në raport me risqet në treg, si dhe te risku i nivelit të likuiditetit. E parashikuar të hyjë në fuqi më 2013,“Bazel 3” përqendrohet te: fiksimi i një niveli të caktuar likuiditeti për bankat; fiksimi i një niveli të dhënë për “efektin levë”; ripërcaktimi i nocionit dhe përmbajtjes së kapitaleve të vetë bankave; revizionimi i mënyrave dhe formave të mbulesës së disa lloje risqesh, sidomos atyre të lidhura direkt e indirekt me likuiditetin; dhe kushtet e aplikimit të masave kundër-ciklike.

Debati për reformimin e bankave dhe sistemit bankar zhvillohet dhe në një rrafsh tjetër. Modelet e financimit të ekonomive janë të ndryshme në vende të ndryshme. Në Europë p.sh., 70% e financimeve sigurohet nga ndërmjetësimi bankar, ndërkohë që në vendet anglo-saksone ky ndërmjetësim garantohet nga tregjet financiare. A mundet që të njëjtat reforma rregullatore të jenë njësoj efektive si për garantimin e stabilitetit financiar ashtu edhe për garantimin e konkurrencës së barabartë? Përgjigjja duket se merr nuanca politike. A duhet privilegjuar hapja dhe liberalizimi financiar kundrejt shtimit të riskut të destabilitetit financiar? Por, ngërçi më i madh në çështjet e rregullimit bankar ndërkombëtar qëndron në fleksibilitetin e vendeve të ndryshme për t’i zbatuar ato. ShBA, që inspiruan standardet ndërkombëtare të kontabilitetit si dhe rregullat prudenciale në kuadrin e “Bazel 2”, nuk i zbatuan kurrë strikt ato. Europa, që gjithashtu përbëhet nga një heterogjenitet kulturash financiare e monetare nuk po konsolidon dot një grup rregullash bazë të aplikueshme rigorozisht nga të gjithë anëtarët e saj.

 

*Botuar së pari në revistën Bankieri, nr.3.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "Reformimi i bankave – një përgjigje ndaj krizës"

  1. Male osdrimi  26/05/2012 at 3:48 pm

    Po kjo eshte kopje e artikujve te wall street jurnal, the economist dhe artikujve te Paul krugman. Ka ndonje mendim te vetin ky bicim kopjaci

  2. Agim Anastasi  27/05/2012 at 2:48 pm

    Nga 2008 kane kaluar plot 4 vjet.Por do te kalojne dhe 14 vjet ,ne se vazhdohet te besohet, se ne kete metodologji qe fuksionijne bankat sot, do te ndryshoje situata. Kriza do te thedhohet, per te ardhur deri tek lufta. Kur nje drejtus i rendesishem i bankes sic eshte Zoti Dimon pyet i habitur e plot naivitet-Nga vine e ku shkuhan parate, kush jane pergjegjesit, e te tjera, tregon se keta njerez kane humbur kontrollin ndaj realitetit te mbydhur ne zyra apo makina te blinduara. Pikerishte keshtu pyeste vite me pare nje burre policine e Tiranes, se ku e kishte gruan? Dhe policia pa hezitim ju pergjigje se kur ti nuk e di ku eshte gruja jote, cfare mund te dime ne? Por te ngushllohemi Zoti Dimon, ju thate nje te vertete.-Kjo nuk eshte menyra se si ne po bejme bissnes. Atehre cfare pret Zoti Dimon?! Kujt i trembesh? Ju nuk do te permbysni sistemin, por vetem reformat qe kerkon koha Globalizmi i sotem nuk shkon me menyren se si funksiojnen Bankat sot. Ju jeni mbeshtetur tek tregues Global ne vlere e aspak te struktura e vleres. Kjo menyre Globale e shifrave, po bie renien e Bankave, ashtu si 20 vjet me pare, pikerishte metodologjia e Globalizmit ne prodhim, rrezoi sistemet totalitare. A nuk po ndodh sote kjo, ne procesin e kembit e jo te prodhimit.Te ardhurat reale nuk realizhohen me lojra te rezikshme qe nuk bie vlera reale.Si mund te kuptohet kur produkti shitet dy apo me shume here.Apo si mundet qe bankat te fuse nje kapital abuzhiv,qe vjen nga korupsioni,e jo nga puna.Cfare vlere reale pretendohet kur nje ndeshje futbolli shitet dy here,njehere me bileta per shikuesin dhe rezultati shitet per firmat e basteve.Ky eshte nje rast i thjeshte para spekullimit masiv qe po ndodh kudo.Fakti qe ne qytetet e sotme po mbydhen me shpejtesi dyqanet e shitjes duke i lene vendin lojrave te fatit apo basteve eshte pasqyra me aktuale se ku po shkohet.Jo prodhim por abuzhim.Sigurisht ju Zoti Dimon e dini me mire se kushdo kete,ndaj mos beni lojen e te paditurit.Kembimi privat realizohet ne shoqeri,e per pasoj fitimi nuk duhet te jete monopol i privatit.Po si duhet te reagoje shoqeria.Ashtu si ju nuk e pranuat,per nje kontroll me te rrepte nga ana e shtetit.Sepse shteti nuk mund te bej sehir kur po ivestohet aq shume dhe eshte detyre e shtetit te mbroi interesat e shoqerise.Sigurisht jo nga deshira juaj,reformat do te vine te imponuara per te vajtur tek nje kapitalizem shoqeror e demokratik.Globalizmi qe ju e donit aq shume ju te vini deri ketu,tani mos hezitoni.Nuk ka kthim mbrapa.Ekonomia nuk e pranon arbitraritetin dhe spekullimin.Reforma do te imponohet si e vetmja zgjidhje.Politika nuk mundet te fsheh me realitetin.Prandaj me te drejte Zonja Merkel,perseri beri thirje per reforma.

You must be logged in to post a comment Login