Provimi i Shtetit për mësuesit, 3 mijë pyetje për çdo lëndë

Ministria e Arsimit ngre grupet e punës që do të hartojnë fondin e pyetjeve për Provimin e Shtetit, të cilit mësuesit e rinj do t’i nënshtrohen në tetor. Vetëm mësuesit që do ta kalojnë me sukses këtë provim do të kenë të drejtë të aplikojnë për t’u punësuar në arsim, të tjerët do të duhet t’i nënshtrohen sërish derisa të arrijnë rezultatet e kërkuara. “Me urdhër të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, janë ngritur grupet e punës për të hartuar fondin e pyetjeve, të cilit do i nënshtrohen mësuesit e rinj, që janë duke zhvilluar praktikën profesionale nëpër shkolla. Provimi i Shtetit zhvillohet në tetor të këtij viti. Janë angazhuar rreth 50 pedagogë të shkollave të larta, që do të hartojnë fondin e pyetjeve për rreth 15 lëndë”, – thuhet në njoftimin e MASh. Në të sqarohet se për çdo lëndë parashikohet të hartohen rreth 2000 deri në 3000 pyetje. Ministria bën të ditur se veçoria e këtij provimi është se për çdo mësues, pavarësisht nga lënda, një pjesë e tezës do të jetë drejtshkrimi dhe përgatitja didaktiko-pedagogjike. Pjesa tjetër do të jetë nga lënda ose lëndët ku kandidatët japin mësim, e ndarë kjo në 40 për qind me 60 për qind. “Provimi do të organizohet ashtu si dhe provimet e tjera të shtetit për profesionet e rregulluara, në mënyrë dixhitale. Në provim do të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë vlerësuar pozitivisht në praktikën profesionale nga komisionet e shkollave dhe drejtorive arsimore rajonale. Vetëm mësuesit që kalojnë me sukses Provimin e Shtetit do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve të ndryshme të vendit. Ky është një standard i ri që synon rritjen e cilësisë së përgatitjes së mësuesve të rinj”, – sqaron Ministria e Arsimit. Aktualisht, mësuesit e rinj që i kanë përfunduar studimet e ciklit të dytë në mësuesi nga viti akademik 2011 e në vazhdim janë duke kryer praktikën profesionale në shkolla të ndryshme të vendit, e cila do të zgjasë 1 vit shkollor, thënë ndryshe 9 muaj. Në përfundim të praktikës profesionale, praktikanti do të vlerësohet nga mentori, drejtori i institucionit të arsimit të lartë publik, si dhe komisioni i vlerësimit të praktikantit. Certifikata e praktikës profesionale do të përgatitet nga DAR/ZA përkatëse. Vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik, praktikanti mund të regjistrohet në Provimin e Shtetit.

 

 

Provimi

40% e provimit do të jetë për drejtshkrimin dhe përgatitjen didaktiko-pedagogjike

60% e provimit do të jetë nga lënda ose lëndët ku kandidatët japin mësim

 

“Provimi do të organizohet, ashtu si dhe provimet e tjera të shtetit për profesionet e rregulluara, në mënyrë dixhitale. Në provim do të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë vlerësuar pozitivisht në praktikën profesionale nga komisionet e shkollave dhe drejtorive arsimore rajonale”

 

 

Matura, nis hartimi i tezës së Letërsisë

Qendrat e korrigjimit të provimeve do të ruhen me policë, ja 6 shkollat ku do të vlerësohen testet

 

Nis puna për përzgjedhjen e pyetjeve për provimin e parë të Maturës, që është ai i Gjuhë-Letërsisë, i cili do të kryhet nga maturantët në datën 2 qershor. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur së fundi edhe udhëzimin me masat për zhvillimin e provimeve të Maturës, i cili është dërguar në të gjitha drejtoritë arsimore. Sipas këtij udhëzimi, përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP), në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP). Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, thotë se këtij provimi do t’i nënshtrohen mbi 42 mijë maturantë. Ai sqaron se testi për provimet me detyrim do të vlerësohet me 50 pikë, ndërsa për ato me zgjedhje me 40 pikë. Pas zhvillimit të çdo provimi të Maturës, testet e maturantëve do të dërgohen nën masa të rrepta sigurie në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani” në Tiranë. AKP kryen inventarizimin dhe shpërndarjen e tyre në 6 qendrat e vlerësimit, të cilat do të ruhen, gjatë gjithë kohës së korrigjimit të testeve, me policë. Ndërkaq, për të pasur më shumë siguri, transporti i testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjelltas, do të bëhet nën masa të rrepta sigurie, me automjete të DAR-së përkatëse, nga grupi i administratorëve të përcaktuar. MASh sqaron se vlerësimi i testeve të Maturës do të ndjekë procedurat e përcaktuara në nenin 50 të rregullores së Maturës 2012. Por, gjatë këtij procesi, qendrat e vlerësimit të testeve do të monitorohen nga grupe të posaçme, ku personat që do të bëjnë pjesë do të caktohen nga ministri i Arsimit. Lidhur me shpërndarjen e Formularit A2, drejtues të AKP-së bëjnë të ditur se ai do të plotësohet pasi maturantët të kenë në duar të gjitha notat e provimeve të Maturës.

 

Hartimi i testeve

Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për Maturën Shtetërore 2012 do të jenë:

26 maj-2 qershor, për lëndën Gjuhë shqipe dhe Letërsi

9 qershor-16 qershor, për lëndën Matematikë

23 qershor-30 qershor, për lëndët me zgjedhje

6 qendrat e vlerësimit të testeve

Vlerësimi i testeve të maturantëve në provimet e Maturës do të bëhet në qendrat e mëposhtme:

1. Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Qendra Nr.1;

2. Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Qendra Nr.2;

3. Në Elbasan, në godinën e shkollës “Vasil Kamami”;

4. Në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”;

5. Në Fier, në godinën e shkollës “Naim Frashëri”;

6. Në Korçë, në godinën e shkollës “Sevasti Qiriazi”.

Monitorimi i korrigjimeve

Periudha e monitorimit dhe grafiku i paraqitjes së përfaqësuesve të grupit monitorues në AKP është:

3-13 qershor, për lëndën Gjuhë dhe Letërsi shqipe

17-29 qershor, për lëndën Matematikë

2-10 korrik, për lëndët me zgjedhje

Punësohet kush merr provimin

Mësuesit që do të kalojnë me sukses Provimin e Shtetit do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve të ndryshme të vendit. Pas përfundimit me sukses të Provimit të Shtetit, praktikanti aplikon për punësim pranë DAR/ZA-ve që kanë vende të lira pune.

 

15 do të jetë numri i lëndëve për provimin e mësuesve

50 pedagogë të universiteteve do të hartojnë fondin e pyetjeve

2000 deri në 3000 pyetje do të hartohen për çdo lëndë

 

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur