visi baner 5

Bilanc “lufte” në aksidente,3 të vdekur dhe 5 të plagosur në një ditë

Gëzim Keçi, 59 vjeç, ka humbur jetën në vend pasi u përplas nga një automjet i drejtuar nga një 19-vjeçar

Ishte shitës ambulant dhe dilte çdo ditë në të njëjtin vend, pranë Shkollës së Bashkuar, për të shitur paketa cigaresh, por dreka e së dielës qëlloi fatale për të.  Atëherë kur s’e priste, 59-vjeçari Gëzim Keçi teksa po shiste cigare është përplasur për vdekje nga një makinë, pa pasur as mundësinë më të vogël për t’i shpëtuar aksidentit.  Aksidenti i rëndë që i mori jetën shitësit ambulant ndodhi rreth orës 15:30 pranë kryqëzimit të Rrugës së Dibrës me rrugën “Niko Avrami”, mu pranë Shkollës së Bashkuar.  Efektivë të policisë rrugore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Sipas policisë, rreth orës 15:30 një automjet që po vinte nga Kinostudio, ku udhëtonin Pajtim Shanaj 22 vjeç; Anton Talanishi 19 vjeç dhe Armand Tujani 17 vjeç, ka hyrë me shpejtësi në këtë kryqëzim, teksa po shkonte për në drejtim të qendrës së Tiranës.  Në fare pak çaste drejtuesi i automjetit, Pajtim Shanaj, ka humbur kontrollin e makinës, duke goditur bordurën e trotuarit, e duke marrë përpara dy pemë dekorative dhe një tabelë.  Pemët dhe tabelat nuk e kanë ndalur mjetin që ka përplasur për vdekje edhe shitësin ambulant Gëzim Keçi, që në atë orë po shiste ende buzë rruge. Por nuk ka mjaftuar me kaq. Në momentet e fundit përpara se të ndalonte, mjeti ka goditur dhe një tjetër kalimtar të rastësishëm. Ky i fundit mësohet se ka marrë disa plagë të lehta dhe është dërguar menjëherë në spital. Ngjarja ka ndodhur aq shpejt, saqë viktima Gëzim Keçi e ka pasur të pamundur të lëvizë nga vendi ku ndodhej për të shmangur përplasjen fatale. Si pasojë e përplasjes, janë lënduar edhe tre personat që ndodheshin në makinë. Drejtuesi i makinës, Pajtim Shanaj, dhe dy të tjerët që ndodheshin në makinë me të, janë shoqëruar nga policia për të dhënë shpjegime për ngjarjen. Sipas policisë, shkak për aksidentin e rëndë që i mori jetën një personi u bë shpejtësia e madhe tej normave të lejuara, me të cilën po qarkullonte automjeti. Të kontaktuar dje nga gazeta, drejtues të policisë rrugore nuk pranuan të komentonin nëse drejtuesi 19-vjeçar i mjetit kishte leje drejtimi, ata u shprehën se do të njoftojnë në një kohë të dytë detaje të hetimit.

 

 

Shpejtësia dhe parakalimet, vdesin dy 21-vjeçarë në aksidente

 

Dy aksidente të rënda u kanë marre jetën dy të rinjve në Fushë-Krujë dhe Lushnjë, ndërsa dy persona janë plagosur në këto aksidente. Sipas policisë, një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në orët e parë të ditës së djeshme në Fushë-Krujë. Një 21-vjeçar ka humbur jetën ndërsa dy persona të tjerë janë plagosur nga përplasja e një fuoristrade me një trajler. Viktima është Ervin Gjika, 21 vjeç, i cili drejtonte fuoristradën. Dy të plagosurit e tjerë janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën udhëtonin mjetet. Ndërkohë edhe një 21-vjeçar nga qyteti i Divjakës ka gjetur vdekjen pas një aksidenti rrugor në Kemishtaj, teksa po lëvizte me motor. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në kilometrin e parë të segmentit rrugor “Pushimi Shoferit-Kemishtaj”, ndërsa viktimë e aksidentit ka mbetur Fatjon Mëhilli, 21 vjeç. Ai po udhëtonte me motorin e tij Yamaha 50 kubikësh, në momentin kur u përplas me një fuoristradë, të drejtuar nga 57-vjeçari Mark Ndoni. Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e motorit, i cili përfundoi në një kanal anës rrugës. Sipas policisë rrugore, shkak i këtij aksidenti ka qenë parakalimi i gabuar i drejtuesit të motorit si dhe shpejtësia e lartë me të cilën ai po ngiste mjetin. Policia bën me dije se në momentin kur drejtuesi i fuoristradës po merrte kthesën, viktima nuk ka mundur dot të parakalojë, duke u përplasur në pjesën e pasme të fuoristradës e duke përfunduar në kanal.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur