visi baner 5

Matura, dy teste për Biologjinë, çfarë do të përmbajë provimi

Për herë të parë këtë vit në provimet e Maturës maturantët do të kenë përpara vetes dy teza për lëndën e Biologjisë, ndërsa do të zgjedhin t’i përgjigjen njërës apo të dyjave. Specialistët e provimeve shpjegojnë se risia për Maturën e vitit 2012 në lëndën e Biologjisë është se do të hartohen dy teste, kështu nxënësit do të mund të zgjedhin njërin ose të dy së bashku. “Për lëndën e Biologjisë janë hartuar dy programe që janë: programi për Biologjinë bërthamë dhe programi për Biologjinë e thelluar. Të dyja këto programe përfshijnë njohuritë, konceptet dhe aftësitë kryesore që duhet të zotërojnë nxënësit për të kaluar me sukses provimin e Maturës Shtetërore në këtë lëndë. Testet specifikohen për Biologjinë bërthamë dhe Biologjinë e thelluar. Për hartimin e dy testeve të Biologjisë do të zbatohen me korrektësi nga specialistët: peshat në përqindje që zënë të gjitha linjat në programin e Biologjisë; përgjigjet që do të zënë pyetjet duke iu referuar taksonomisë së Blumit; si dhe llojin e pyetjeve dhe teknikat në hartimin e tyre”, – shpjegojnë specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP).

Pyetjet dhe pikët

Specialistët kanë përcaktuar se çfarë temash do të përmbajë provimi për të dyja lëndët, Biologjia bërthamë dhe Biologjia e thelluar dhe se cila do të jetë pesha e tyre. Specialistët e provimeve shpjegojnë se në lëndën e Biologjisë pyetjet e nivelit të parë (njohje të kuptuar) janë në përgjithësi pyetje që kërkojnë përshkrime të thjeshta të ndërtimit të trupit të gjallesave, emërtime të gjallesave sipas klasifikimit të tyre etj. “Këto pyetje në testet e Biologjisë zënë një përqindje të lartë, kryesisht te pyetjet me zgjedhje (me alternativa), si dhe mund të përfaqësojnë kërkesën e parë në ushtrimet me zhvillim. Pyetjet e nivelit të dytë (zbatim në situata të reja) dhe pyetjet e nivelit të tretë (analizë, sintezë, dhe vlerësim) kryesisht kanë shtrirje kanë shtrirje më të gjerë në pyetjet me zhvillim”, – sqarojnë specialistët. Ata bëjnë të ditur se testet e Biologjisë, që do të kenë në total 40 pikë, do të kenë 10 kërkesa me alternativa që vlerësohen të gjitha me 10 pikë si dhe 10 ushtrime me zhvillim që vlerësohen të gjitha me 30 pikë.  Po kështu, specialistët kanë përcaktuar që shpërndarja e pyetjeve sipas nivelit dhe pikëve të testit të jetë e tillë: 40 për qind e pyetjeve të testit do t’i përkasin nivelit I, (njohje e kuptuar) me 16 pikë; 40 për qind e pyetjeve të testit do t’i përkasin nivelit II (zbatim në situata të reja) me 16 pikë; 20 për qind e pyetjeve të testit do t’i përkasin nivelit III, (analizë sintezë vlerësim) me 8 pikë. Sipas specialistëve të provimeve, hartimi i testit është i lidhur ngushtësisht me çelësin e zgjidhjes së skemës së vlerësimit. Ata thonë se një test me nivel konform rregullave gjithmonë ka një skemë vlerësimi të qartë, gjë që ndihmon për një proces korrigjimi sa më korrekt. Ndërkaq, skema e përgjigjeve do të publikohet në faqen e AKP-së, menjëherë pas provimit.

 

BIOLOGJIA BËRTHAMË

Linja e programit dhe pesha për secilën linjë

Studimi i së gjallës 34%

Trashëgimia e tipareve dhe evolucioni 23%

Studimi i organizmit (anatomia dhe fiziologjia e njeriut) 43%

Nënlinjat e programit dhe pesha për secilën nënlinjë

Kimia e jetës  7%

Biologjia qelizore 15%

Ekuilibrat në biosferë 7%

Mekanizmat e trashëgimisë 11%

Si funksionojnë gjenet 8%

Origjina dhe evolucioni i jetës 4%

Mbrojtja, mbështetja dhe lëvizja 7%

Të ushqyerit dhe tretja 6%

Frymëkëmbimi, qarkullimi dhe ekskretimi        13%

Riprodhimi te njeriu 5%

Sistemi nervor dhe hormonal 12%

Larmia e qenieve të gjalla 5%

BIOLOGJIA E THELLUAR

Linja e programit dhe pesha për secilën linjë

Energjia kimike për jetën  24%

Ndërtimi dhe funksionet jetësore të bimëve 20%

Fiziologji shtazore krahasuese 56%

Nënlinjat e programit dhe pesha për secilën linjë

Metabolizmi qelizor 8%

Fotosinteza 8%

Frymëmarrja qelizore 8%

Anatomia, morfologjia dhe funksionet jetësore të bimëve 11%

Riprodhimi bimor 9%

Tretja 8%

Qarkullimi i lëngjeve 9%

Frymëkëmbimi  9%

Ekskretimi  9%

Mbështetja dhe lëvizja  5%

Riprodhimi shtazor  8%

Sistemi nervor dhe hormonal  8%

 

Pikët dhe pyetjet në teste

Për hartimin e testeve të Biologjisë do të kihen parasysh këto rregulla:

10 kërkesa me alternativa që vlerësohen të gjitha me 10 pikë

10 ushtrime me zhvillim që vlerësohen të gjitha me 30 pikë

Totali i pikëve të testit është 40

Shpërndarja e pyetjeve sipas nivelit dhe pikëve do të jetë e tillë:

40 për qind e pyetjeve të testit do t’i përkasin nivelit I, (njohje e kuptuar) me 16 pikë.

40 për qind e pyetjeve të testit do t’i përkasin nivelit II (zbatim në situata të reja) me 16 pikë.

20 për qind e pyetjeve të testit do t’i përkasin nivelit III, (analizë sintezë vlerësim) me 8 pikë.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur