visi baner 5

Tokat bujqësore/ Vendimet e parregullta, hiqet 1/3 e titujve të pronësisë

Ministri i Inovacionit, Genc Pollo sqaron se ligji i sapomiratuar për vlefshmërinë e titujve të pronësisë dhe kthimin e tokës bujqësore pa shpërblim, do të vërë në vend drejtësinë e munguar në 20 vjet, duke ligjëruar pronat që fshatarët i kanë në përdorim por që nuk disponojnë tapi për to. Ministri Pollo, duke e kaluar në skaner tokën bujqësore në vend, thekson se 95% e tyre janë në përdorim pa dokumentacion ligjor. Nga vlerësimi i komisioneve vendore dhe komisionit qeveritar të tokës, nga 2 034 vendime për tokat bujqësore, rezulton se 1/3-ta e tyre ka të bëjë me pavlefshmëri të plotë, që do të thotë se toka bujqësore e marrë nga përdoruesi është përftuar në mënyrë të kundraligjshme dhe titulli është shfuqizuar. Sipas hartës së prezantuar nga ministri Pollo, nga  430 ha sipërfaqe e trajtuar në këto 2034 vendime, 60 ha e përkthyer në 600 mijë metër katror tokë bujqësore kalon në fondin fizik të kthimit të pronave. Referuar tokave bujqësore në përdorim me mungesë tapie, vetëm në qarkun e Shkodrës janë 18 551 ha  tokë bujqësore pa tapi, 3 892 ha në Shkodër ose 12.8%, në Pukë 2773 ha ose 54%, dhe në Malësinë e madhe 11 886 ha ose 80% e tokës bujqësore pa tapi dhe në Lezhë, Mirditë janë 2 079 ha tokë bujqësore në përdorim ose 80%. Në qarkun e Dibrës rezulton 3.9% e tokës bujqësore pa tapi ose e përkthyer në ha, 1134 ha mes Dibrës, Matit dhe Bulqizës. Ndërkohë që qarku i Kukësit renditet në rekordet e paligjshmërisë, pasi atje rezulton që 55,1 % e tokës bujqësore në përdorim është pa tapi. Fshatarët që janë duke përdorur tokat bujqësore pa tapi, toka që rezultojnë të jenë në pjesën më të madhe të tyre në zonat e thella në veri të vendit dhe në zonat kodrinore në jug, janë fshatarë të kthyer me konsensus të komunitetit tek tokat e paraardhësve të tyre, por kundra ligjit, pasi nuk rezulton asnjë dokumentacion që të vërtetojë pronësinë. Duke vlerësuar ligjin e sapomiratuar në Kuvend, i cili synon me pajisjen me tapi të përdoruesve të këtyre tokave, Pollo thekson se për të përftuar këtë ligj janë bërë konsultime me ekspertë të fushës dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët do të miratojnë në këshill me 3/5-at vlefshmërinë e titujve, por në asnjë moment nuk do të pajisin me tituj të rinj, pasi nuk është në tagrin e tyre.

 

Ligji

 

Ligji për vlefshmërinë e titujve të pronësisë dhe kthimin e tokës bujqësore pa shpërblim ka si qëllim rregullimin ligjor për të pajisur me tapi pronësie ata individë ose familje bujqësore, të cilat që prej dy dekadash kanë në përdorim tokën, por nuk e kanë të dokumentuar që e zotërojnë. Qëllimi i shtesave në ligjin e sapomiratuar është përcaktimi si përfitues i familjeve bujqësore dhe individëve që e kanë tokën bujqësore në përdorim, e shfrytëzojnë, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit. Në të njëjtën kohë, përfitojnë nga projektligji në fjalë edhe ata që janë zhvendosur në territoret e ndërmarrjeve shtetërore. Projektligji parashikon të pajisë me tituj pronësie në të njëjtën kohë edhe familjet bujqësore apo individët që kanë përfituar tokë me ligjin 7501; ata që janë banorë të komunës ose bashkisë në rastin e hyrjes dhe në asnjë rast s’kanë ndryshuar vendbanimin që nga 1.10.1992, ose kryejnë veprime bujqësore. Projektligji u jep të drejtë krerëve të pushtetit vendor që të plotësojnë dokumentacionin që nuk e kanë plotësuar pas viteve ’90 komisionet e atëhershme të ndarjes së tokës bujqësore. Pas këtij procesi parashikohet regjistrimi i menjëhershëm i pronës në regjistrin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Katër hapat përmes të cilëve do të kalojnë përdoruesit e tokës për ta marrë atë në pronësi; Ligji ngarkon kryetarët e komunave apo bashkive, që për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit Nr.7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore. Në hapin e dytë, kryetarët e fshatrave, kryesitë e tyre, administrata e komunës apo bashkisë dhe kryetari i Komunës/Bashkisë, do të realizojnë procesin e evidentimit, përcaktimit e saktësimit të përdoruesve realë të tokës, vendndodhjen e saj, sasinë dhe kufitarët për çdo përdorues. Më pas këshilli i Komunës do të jetë organi vendimmarrës, i cili shqyrton informacionin e mësipërm së bashku me pretendimet e mundshme. Vetëm pas kësaj vendimmarrjeje do të fillojë procesi i plotësimit të akteve të marrjes së Tokës në pronësi nga kryetari i Komunës, sipas një procedure të mirëpërcaktuar. Dhe si hap të fundit, dokumentacioni ligjor i pronësisë, i përgatitur nga Komuna/Bashkia, do të jetë i gatshëm për regjistrim në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme.

 

 

 

Harta e tokës bujqësore në përdorim

 

2034 vendime të shqyrtuara për 430 ha tokë

60 ha pavlefshmëri të plotë dhe kalon në fondin fizik të kthimit dhe kompensimit të pronave

Shkodër- 3892 ha ose 12.8% në përdorim pa tapi

Pukë- 2773 ha ose 54%

Malësi e madhe 11886 ha ose 80%

Mirditë- 2079 ha ose 80%

Dibër, Mat, Bulqizë- 1134 ha ose 3.9%

Kukës- 55.1 %

 

Formula e vlerësimit të tokës, gati në qershor

 

Qeveria do të miratojë në muajin qershor formulën, me anë të së cilës do të përllogaritet vlera e tokës e bazuar në strategjinë kombëtare të kthimit dhe kompensimit të pronës. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për gazetën MAPO se qeveria me VKM do të miratojë vlerën e tokës. Referuar Strategjisë Kombëtare, ajo do të vlerësohet në bazë të çmimit të tregut, llojit të pasurisë dhe qëllimit të përdorimit. Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se metodologjia aktuale për vlerësimin e tokës është jashtë kontekstit dhe situatës, sepse tregu i tokës ka ndryshuar në 20 vjet dhe zonat e thella, ato turistike dhe tërësisht urbane kanë funksionuar pa një tabelë reference çmimesh. Metodologjia e re e vlerësimit të tokës bëhet me qëllim që të rrisë eficiencën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme duke u bazuar në standardet ndërkombëtare. Sipas specifikave të tokës, edhe metodologjia e cila sugjerohet nga ndërkombëtarët për vlerësimin e tokës jepet e ndryshme. Për pronat që shërbejnë si rezidencë me shumë familje, ekspertët ndërkombëtarë rekomandojnë që vlerësimi i çmimit të tokës të shikohet në varësi nga shitjet dhe të ardhurat. Nëse tokat shiten ose të ardhurat që mund të merren prej tyre janë të larta, edhe çmimi i vlerësimit të tokës që kompensohet do të jetë më i lartë. Sipas standardeve ndërkombëtare, qasja e të ardhurave është metoda më e përshtatshme për aplikim kur vlerësojmë pronën komerciale dhe atë industriale. Pra, nëse shitjet në këtë zonë janë të larta, atëherë dhe vlerësimi i kësaj toke do të jetë më i lartë se për tokat e tjera. Ndërkohë, Shoqata për Pronësi dhe Drejtësi e gjykon si të drejtë hartimin e një metodologjie të re për t’iu përshtatur kushteve të reja të tregut të pasurive të paluajtshme, por kundërshton vlerësimin e tokës nga qeveria. Agim Toro thotë për MAPO-n se qeveria ka konflikt interesi dhe nuk mund të kthejë pronën në një kohë që vendos edhe çmimin. Në këtë mënyrë sipas Toros, të gjitha qeveritë që do të vijnë, nisur nga ligji i sapokaluar në parlament, do të jenë të detyruara të ndryshojnë çdo vit vlerën e tokës dhe kjo do të bëhet konform interesave të çdo qeverie në fuqi. Një muaj më parë, Ministria e Drejtësisë ka prezantuar Strategjinë Ndërsektoriale që reformon të drejtat e pronësisë. Metodologjia e parashikuar në strategji dhe formula që do të zbulohen shumë shpejt, do të shërbejë si referencë për çdo pasuri të paluajtshme në të gjithë vendin.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur