Klaudia Pepa: Sekretet e lidhjes sime me Albi Nakon

Klaudia Pepa është një nga balerinat më të veçanta në trupën e Albi Nakos. Kjo, jo vetëm për faktin se ajo është e fejuara e tij, po për shkak të një origjinaliteti që e karakterizon vajzën simpatike. Është mjaft e zhdërvjellët dhe flet ndoshta më shumë se çdo balerinë tjetër me lëvizjet e saj. Kur e sheh në skenë duket sikur lëvizjet kanë lindur përpara Klaudias, aq në harmoni duket çdo pjesë e trupit të saj, që drejton një tingull të caktuar. Të flasësh nëpërmjet baletit dhe të shprehësh gjithçka me gjuhën e trupit nuk është e thjeshtë, por Klaudia ka lindur për të qenë në skenë, për të qenë “Prima Balerina”. Klaudia në këtë intervistë vjen duke na rrëfyer fillimet e saj dhe ëndrrën që preku më vonë, ku sigurisht një ndihmë e madhe ka qenë edhe vlerësimi dhe përkrahja e Albi Nakos. Ajo flet jo vetëm për punën me të, por edhe si nisi historia e tyre e dashurisë.“Takimin e parë drejt tij si iniciativë e kam ndërmarrë vetë, duke u drejtuar drejt e në “Tv klan”, ku si një adoleshente e ndrojtur rrija mbas dere duke pritur që ai të dilte dhe t’i shprehja dëshirën e madhe për të punuar me të”,- tregon Klaudia. Ndërsa për planet në të ardhmen thotë se shumë shpejt e sheh veten të veshur me fustan të bardhë.

 

Klaudia, jeni një balerinë mjaft e veçantë. Është e lindur kjo gjë te ju, apo është më tepër arritje e punës së madhe?

Talenti lind bashkë me njeriun. Ndërsa arritjet e mëdha janë si rrjedhojë e një pune këmbëngulëse, deri në vetëmohim.

Sa orë në ditë ushtroheni për balet?

Në gjininë e baletit po nuk u ushtrove mbi 6 deri në 7 orë në ditë nuk mund të ishim duke e bërë këtë bisedë bashkë.

Kur nisët ta shihnit pasionin për kërcimin si të ardhmen tuaj?

Pasionin për kërcimin nisa ta shoh që në momentin kur mora çmimin e parë te spektakli “Gjeniu i vogël”. Që nga ai moment jeta ime pothuajse ndryshoi dhe mori një drejtim tjetër, duke e parë baletin si një profesion të mirëfilltë për të ardhmen.

Nëse baletin nuk e nis qysh fëmijë, sa shanse ka të jesh një balerinë profesioniste? A është e mundur kjo gjë?

Përderisa po flasim për një zanat që kërkon formimin e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, them me bindje të plotë që është pothuajse e pamundur. Po ju përmendur vetëm një fakt, muskulatura e një balerini fillon të edukohet tamam si fara e një bime që do kujdesin profesional të duhur për ta rritur me kujdesin maksimal dhe që kur të piqet njerëzit mund të kënaqen nga aroma ose shija e saj.

Ju e keni nisur qysh e vogël këtë rrugë. Cilat janë gjërat që kujtoni më tepër në ato ëndërrime të hershme?

Çdo fëmijë padyshim që ëndërron pa fund, por në rastin tim, për të qenë e sinqertë, duke qenë se kam qenë pjesë e grupit “Spektër” të prof. Llaqi Nako ëndërroja gjithmonë të isha pjesë e trupës së “Albi Nako Dance”. Për këtë jam mëse e sinqertë. Teksa shihja Albin me performancat e tij, qaja nga gëzimi dhe euforia e papërmbajtur si fëmijë që isha.

Objektivi juaj ishte televizioni apo opera?

Objektivi im ka qenë padyshim baleti modern dhe kontemporan, që tashmë është më i pranishëm nëpër televizione.

Karrierën jashtë vendit e keni menduar ndonjëherë?

Karrierën jashtë vendit nuk mund të them që nuk e mendoj, por nuk është se e kam si qëllim në vetvete.

Kur njerëzit përpiqen të të përshkruajnë, cilat janë fjalët që dëgjon më shpesh?

Përshkrimet që më bëjnë njerëzit dhe sidomos Albi janë gazele, ndërsa e mrekullueshmja Margarita Xhepa më thotë kaproll.

Klaudia, sa e vështirë është t’u flasësh të tjerëve nëpërmjet trupit, konkretisht baletit?

Padyshim që gjinia e baletit e ka fjalën nëpërmjet lëvizjeve dhe të gjithë fuqinë e saj nëpërmjet emocionit që përcjell te publiku, pa përjashtuar rëndësinë dhe vështirësinë që kanë gjinitë  e tjera të artit. Komunikimi me gjuhën e trupit dhe depërtimi i emocioneve që ajo përcjell direkt te publiku, unë do ta klasifikoja gati më të vështirën dhe më jetëshkurtrën.

Jeni bërë qysh 15 vjeçe pjesë e trupës së Albi Nakos. Sa i rreptë ka qenë ai profesionalisht në fillim?

Është e vërtetë që kam qenë qysh 15 vjeçe pjesë e “Albi Nako Dance”, por ju them se baleti pa rreptësi dhe pa disiplinë nuk bëhet. Këto janë një ndër veçoritë që e karakterizojnë Albin mbi të gjitha. Ai është shumë kërkues, por mbi të gjitha unë do ta personifikoja si një zbulim dhe kultivues talentesh.

Si e kujton prezantimin e parë me të?

Në prezantimin e parë kam qenë shumë e vogël(qesh), sepse ai vinte ndonjëherë te grupi i babait të tij për të na trajnuar edhe ne. Ndërsa takimin e parë drejt tij si iniciativë e kam ndërmarrë vetë, duke u drejtuar drejt e në “Tv klan”, ku si një adoleshente e ndrojtur rrija mbas dere duke pritur që ai të dilte dhe t’i shprehja dëshirën e madhe për të punuar me të. Një gjë kjo që Albi e mirëpriti me kënaqësinë më të madhe, duke pasur parasysh që ai më njihte profesionalisht në atë kohë.

Cili ishte gjesti i parë i dashurisë që Albi ka bërë ndaj teje? Kur e pe tërheqjen e tij?

Ngjitja jonë ishte dhe erdhi në mënyrë kimike. Doja të theksoja që gjestet tona erdhën në mënyrë të harmonizuar.

Mund të na thuash sa ka ndikuar ai në gjithë suksesin tënd?

Mund të them me plot bindjen që Albi ka ndikimin total në formimin tim. Ai është një energji e pashtershme dhe nuk lodhet kurrë me mua. Më thotë gjithmonë që jam frymëzimi i tij dhe që unë në duart e tij jam si plastelina me anë të së cilës ai jep formën që do.

Thonë që kur dy njerëz kërcejnë mrekullisht bashkë, pra ka një harmoni dhe kimi, edhe si çift jeta shkon po kështu. Është e vërtetë kjo në rastin tuaj?

Në rastin tonë është e vërtetë, sepse ai për mua është partneri, shoku, vëllai dhe babai njëkohësisht. Ndërsa në rastet e tjera nuk mund t’ju garantoj

Klaudia, kur e shihni veten të veshur me fustan të bardhë?

Veten të veshur me fustan të bardhë e shoh, pse jo, në një të ardhme të afërt.

Kur e keni ndjerë më shumë xhelozinë profesionale, të themi?

Xhelozinë profesionale e kam ndjerë atëherë kur kam cenuar ose sfumuar profesionalisht dikë tjetër, por mbi të gjitha janë fenomene që në art janë të pashmangshme.

Klaudia, e  keni menduar kohën kur një ditë nuk do të kërceni më? Çfarë do të bëni?

Ne në këtë jetë herët a vonë nuk do jetojmë më dhe të mendojmë që nuk do kërcejmë më është mëse normale. E rëndësishme është të hedhim baza dhe themele të forta, që për çdo të papritur që sjell jeta të dimë të vazhdojmë në rrugën e duhur, duke kontribuar sa më shumë për shoqërinë dhe duke qenë sa më produktivë.

Si e ndryshon arti botën, sipas teje?

Sipas asaj që kam mësuar dhe dëgjuar, arti e bëri botën d.m.th njerëzimin. Arti e emancipon shoqërinë dhe e çon atë përpara, duke e ndryshuar atë dhe duke e rinovuar në çdo drejtim.

Po dashuria?

Dashuria i jep ngjyrën. I jep jetë, forcë, i jep vitalitetin, i jep motivin për të jetuar.

Çasti më i lumtur për ju, cili ka qenë?

Çasti më i lumtur për mua ka qenë, është dhe do të jetë njohja me Albin.

A i mbani ende puantet e para kur keni kërcyer?

Albi më thotë që i kam këmbët si puante dhe nuk kam nevojë t’i vesh ato (qesh).

Lumturia, a ka një emër për ju?

Lumturia e ka një emër për mua. Pikë së pari, ashtu quhet mamaja ime dhe e dyta, lumturi quhet vetë lumturia që për mua e ka emrin Albi.

Romantike apo realiste?

Shuuuumë romantike.

Me ushqimin çfarë raportesh keni? Mbani dietë?

Me ushqimet mbaj raporte të kujdesshme, jo për faktin e shëndetit. Unë i djeg kaloritë, sepse punoj pa fund, por mundohem të ushqehem shëndetshëm dhe jo të shqyhem duke u ushqyer në mënyrë kafshërore.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login