Formulari A2, pikët që duhen për të fituar shkollën e lartë

Zbardhet pragu i pikëve që duhet të kapërcejnë këtë vit maturantët për të vijuar shkollën e lartë në degën e preferuar. Ministria e Arsimit publikon pikët e fituesve të fundit për 290 degë të universiteteve publike, duke filluar që nga viti 2007 deri në vitin 2011. Për pjesën më të madhe të programeve të studimit vihet re se pragu i pikëve ka ardhur në rritje nga viti në vit, sidomos kur bëhet fjalë për degë të preferuara. Në këto të fundit, pikët e fituesve të fundit janë rritur mesatarisht me nga 100 për çdo vit, çka do të thotë se në to janë shpallur fitues maturantët me rezultate të larta. Nëse marrim rastin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Tiranës, në vitin 2007 kjo degë është “kapur” me 5721.40 pikë, ndërsa vjet pikët e fituesit të fundit kanë qenë 6350.9. Por midis degëve në rritje, që janë edhe më të preferuara nga të rinjtë, ka edhe disa në të cilat pikët janë ulur. Të tilla janë ato të shkencave sociale, që në hapje të tyre u kërkuan nga shumë maturantë, ndërkohë që tashmë për shkak edhe të mungesës së tregut të punës, ato kanë filluar të jenë më pak të preferuara. Para se maturantët të plotësojnë Formularin A2, duhet të shikojnë me kujdes lëvizjen e pikëve në vite sipas programeve të studimit dhe në bazë të rezultateve të tyre të bëjnë përllogaritjet se në cilat prej tyre arrijnë të jenë fitues. Formularin A2 do e plotësojnë vetëm maturantët kalues në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje. Ky formular do të plotësohet pasi maturantët të jenë njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës. Sipas rregullores së Maturës, MASh do të miratojë deri në datën 30 qershor Formularin A2 të personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit të shpallura nga universitetet si dhe udhëzuesin e plotësimit të tij. Brenda datës 20 korrik Formulari A2 do të dërgohet në drejtoritë arsimore për t’u shpërndarë një ditë më pas edhe në shkolla. Duke filluar nga data 22-28 korrik maturantët e tërheqin dhe e dorëzojnë Formularin A2 të plotësuar në shkollat e tyre, bashkë me mandatpagesën përkatëse. Drejtues të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) bëjnë të ditur se po punohet intensivisht që, ndryshe nga vitet e tjera, sivjet Formulari A2 të plotësohet online nga maturantët.

 

 

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur