Koha që nuk kemi

Koha është dhurata më e madhe që na jep Zoti. E gjatë aq sa do Ai. Zoti. Koha, pra, është ajo hapësirë lineare që na është dhënë për ta jetuar, për t’u shprehur, për t’u shfaqur dhe mundësisht për të vdekur sa më vonë brenda saj.

Çdo ditë, cilado ditë, mund të jetë e fundit dhe më pas, në vartësi të besimit që ka cilido frymor, ose do të shkojmë diku, diku ku është më bukur dhe më ëmbël se këtu, ose do të zhdukemi krejtësisht, duke prerë njëherë e përgjithmonë lidhjet me këtë botë dhe krejt ngrehinat gënjeshtare të kësaj toke.

Ky është një realitet që ne, frymorët, ne, vdekatarët, e fshehim diku, në një kënd të padukshëm të psikës sonë.

Vetë psika jonë, është si një guaskë mbrojtëse, që ka në brendësi ose një perlë të çmueshme rrezatuese, ose një molusk të ngordhur.

Por ja, sa më shpesh sheh Tv, vë re që mjaft prej nesh, të qeshur apo seriozë, me kostum politik apo me kostum social, brenda guaskës së psikës së tyre kanë një molusk të ngordhur, një botë psikike të dystë dhe të zbrazur. Të mbushur me vetveten, mjerisht me një vetvete boshe, ata, shumica e atyre që na drejtojnë, nuk kanë asnjë marrëdhënie me Kohën, dhe natyrën e fundme të kohës njerëzore.

Pandehen të pavdekshëm dhe të pagabueshëm.

Dhe sillen shpesh si të ishin të tillë.

Sepse aq është aftësia e tyre për të perceptuar të gjitha përmasat e fundme, që ka jeta njerëzore. Sigurisht, në një lloj kuptimi këta, psikë-fjeturit me molusk të ngordhur brenda guaskës, janë njerëz përgjithësesisht të lumtur dhe të ushqyer mirë.

Për ta, për mosoptikën e tyre për Kohën, jeta është e pafundme dhe këta, këta lloj njerëzish pra, jetojnë pafundësisht seriozisht rrjedhën e ngjarjeve të saj.

Këta lloj të shumtësh me tipare njerëzore, padyshim ose janë skllevër të përjetshëm të të gjitha kohërave, pra janë disa makina në shërbim të ca makinave të tjera.

Ata, shumica e atyre që na drejtojnë, janë psiqikisht të ngjashëm me shumicën e atyre, turmës, që drejtojnë.

Sado të mundohesh të çelësh korridore ‘Drite’, në kafkën e tyre, shanset që ‘Drita’ të bashkëjetojë gjatë me shpirtin e tyre, janë të pakta.

Disa fare pak të tjerë, një komunitet i nëpërkëmbur, kanë prirjen të ‘dialogojnë’ me Kohën.

Ata e perceptojnë Kohën si një pafundësi, në brendësi të së cilës jeta njerëzore është një grusht minutash. Pikërisht për këtë, duket e pa vlerë, për psikën e tyre, perceptimi i luftës për pushtet dhe para, si një luftë për të cilën ia vlen të vdesësh apo të mbjellësh vdekje.

Ata kanë fatin apo tragjedinë që të mos jenë makina. Ndonëse veprojnë edhe ata, nën diktaturën e të përditshmes, si të ishin ca makina si të gjitha të tjerat dhe përgjithësisht u binden pothuajse të gjitha shenjave të tabelës së trafikut të makinave, pa qenë njëkohësisht thjesht ca makina.

Mirëpo kujt i duhen këto konstatime apo refleksione?

Refleksione mbi Kohën dhe përdorimin sa më shpirtëror dhe pozitivist të saj?

Ne, dhe shoqëria, ende shumë  primitive në të cilën jetojmë, kemi hallin vetëm sesi të zgjedhim Presidentin, që të jetë sa më pak president dhe sa më shumë konfident.

Ne, (më saktë ata) kemi hallin sesi të shtojmë paratë dhe materien që kemi në zotërim të përkohshëm.

Sepse paraja është pushtet i pakufizuar mbi jetën e tjetrit që nuk i ka ato, paratë.

Sepse pushteti mbi tjetrin, cilindo ‘Tjetër’, na jep një përkëdhelje të madhe dhe një iluzion të madh. Me shumë para, ndihesh më shumë Zot. Ndërkohë që për t’i fituar ato para, i largohesh gjithmonë e më shumë Zotit, edhe nëse beson edhe nëse nuk beson se ka një të tillë.

Ne, kemi hallin si dhe sa, të rrisim pushtetin individual, se sa dhe si, të rrisim privilegjet për vete, qofshin këto brenda apo jashtë ligjit…(për ata që nuk e dinë apo nuk mendojnë etimiologjikisht, privilegj buron  nga,  privo di legge, privo… nga italishtja përkthehet: pa, në mungesë të dhe legge, ligj.)

Sepse ‘ligji’ në Shqipëri është një llastik, një llastik që mbërthen brekët e ca si shumë pushtetarëve, një llastik që nuk këputet kurrë dhe në fakt nuk janë pak ata që, privo di legge, sa të kenë llastikun, mund të na vërtiten me apo pa brekë, me brekë ose fare pa brekë morale minimale, nëpër qytetet e paqytetëruara ende të Shqipërisë.

Ne, ose më saktë ata, duan të përkëdhelen në avujt e famës dhe të vështrimeve të perënduara të adhurueseve, të përkëdhelen nga adhurimi i oborrit të skllevërve, të duartrokitësve të përjetshëm që jetojnë për kockën e shijshme të radhës.

Vërtet sot në kohërat moderne, skllavëria si përkufizim është zhdukur. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, por jo përpara llastikut të ligjit, privilegj ky i ca të paktëve.

Por nuk është kjo më e rëndësishmja, ndonëse e rëndësishme është gjithsesi.

Sot, në shoqëritë pa skllavëri zyrtare, dominon ai ose ata, që kanë në grusht Monopolin e Kohës.

Skllavi i sotshëm, pranga skllavi vërtet nuk ka, por në vend të prangave prej bronzi apo hekuri, janë shpikur si zëvendësuese të tyre, ‘ca pak para’.

‘Ca pak para’ pra, në këmbim të Kohës, që të shkëmbehet si porcion energjie, në shërbim të makinerisë së tjetrit apo të të tjerëve, që zotërojnë monopolin e kohës tokësore. Monopolin e Kohës së Përkohshme.

Atij që të jep ato ‘pak paratë’, në këmbim të kohës dhe të atyre porcioneve jete që të kërkon në shkëmbim, porcione gjithmonë e më të mëdha le të kuptohemi, sot nuk e thërrasin më skllavopronar, por pronarin e Kohës, që nuk e ke më tënden, sepse shitur e ke, për ato ‘ca pak para’.

Por në fund të fundit, kjo nuk është akoma e keqja më e madhe shqiptare, në një shoqëri pa kulturë garantiste dhe pa kulturë shtetare, pa sindikata dhe pa sindikalizëm në traditën e vet.

E keqja më e madhe për të gjithë, përfshirë këtu edhe monopolistët e përkohshëm të Kohës, (çfarë fuqie të madhe ka gjuha shqipe, të lejon të shkruash edhe kështu: ‘kohëmbajtësit e përkohshëm të Kohës’), e keqja më e madhe pra, është se Koha mbaron një ditë për të gjithë, pavarësisht postit, pushtetit apo parave.

Mjafton të shikosh Piramidat e madhërishme të Egjiptit, Piramida të jashtëzakonshme AntiKohë, apo Mumiet mijëravjeçare, të cilat udhëtojnë në Kohë, prej mijëra vitesh dhe ato.

Pavarësisht fuqisë së tyre të mrekullueshme, ndaj Kohës, ato, Kryeveprat AntiKohë, vijnë në Kohën tonë, si gërmadha rrëqethëse të një të kaluare të zhdukur në humbëtirë…

… Dyshoj të kenë lexues të shumtë këto radhë, por kjo sinqerisht nuk më shqetëson aspak. Sepse ajo që është për të thënë, ai vlim i të vërtetës që pulson brenda kraharorit, duhet të thuhet. Pavarësisht shkretëtirës së zakonshme, të mosvëmendjes së përgjithshme. Sepse mosvëmendja e përgjithshme, është përgjithësisht një konstante e përhershme e këtyre mijëra viteve të fundit dhe nuk habit më.

Prandaj duket qesharake çehrja hijerëndë dhe serioze që e Përditshmja mban veshur, me kostum presidencial, kryeministror apo prej pasaniku e fodull.

Ndërkohë që dihet, një ditë jetë ka banori i të Përkohshmes, në raportin dramatik me Universin e të Përjetshmes.

Ashtu si ca flutura që jetojnë 24 orë. Dhe në ato 24 orë, zhvillojnë një jetë të tërë, me lot dhe gëzime, triumfe dhe dështime.

E pra, ai, i pakti lexues që ka mbërritur deri në këto radhë e ftoj të mos luhatet në vendosmërinë e tij, që ia mbërriti për të shkuar deri në fund.

Sepse Shqipëria dhe shqiptarët vuajnë pra, për Kohën që nuk kanë.

Sepse nuk ka më kohë për të mos pastruar llumin e shumtë që na rrethon në të gjitha nivelet dhe pothuajse në të gjitha poret e shoqërisë sonë që nuk po rilind dot.

Mosdashuri dhe shumë hipokrizi.

Pabesia e shndërruar në art dhe në krenari.

Korrupsion transversal me një pangopësi dhe grykësi të egër.

Ankorimin e shqiptarëve në një pellg, që po shndërrohet në një kënetë të sëmurë dhe të pashpresë morale.

 

We cannot load blog data at this time.

32 Përgjigjet për "Koha që nuk kemi"

  1. Kasem Fodulli  13/06/2012 në 11:30 am

    Cfare thote more aman… pse s’e marr vesh fare!

    • nik  13/06/2012 në 11:13 pm

      Po se nuk eshte numri yt vllai, provo ndonje number tjeter…

  2. Anila Rezhda  13/06/2012 në 11:38 am

    Sa bukur, sa thjesht, sa Madheshti!
    Mreti i botes leku dhe une skllavja e tij!
    Trup qe luaj, kercej, qesh e shndrri se jam kryeveper e Zotit…por njerezit me duan shume me pak se nje makine, nje shpi, nje ore flori!
    Germadhat e Epokave, “Monumente Kulture”…varret e miliona jeteve…presim bilete ti shohim!!!
    Germo pak dhe tek Muri Kinez dhe eshtra, eshtra do therresin me dhimbje!!!
    Mjeku i shenjte ecen rrugeve te qytetit mbas 12 oreve operacion, shpetoi nje Jete o njerez…askush nuk i hap kraheun, nuk i le vend ne nje tavoline me pamje…sepse kemishzberthyera ka me efekt! Kafe me pamje gjoksi te fryre qe ne mengjes!
    Meshkujt shikojne te ngopur qe ne agim…Femrat shtojne rrudhat nga inati e zilia e meria…s’kane faj, ku vajti puna ne pune e puna ne shpi e nata erotike per te lindur femije????
    Me jepni nje ide te dua te kthehem me buzkuq ne buze dhe nje trendafil origjinal roze ne floke…rrugeve qe nuk dija te ecja, mesova te eci, me thyen shtyllen kurrizore dhe zvarritem…i falte Zoti c’me bene!!! Me jepni nje ide o njerez te mire! Erdha Femije dhe dua te iki Femije…joooooooo Njeri! E folura me ta me la gjoks pa zemer, tru me tym, e buze te thara! Dashurise i Falem! Uroj te behet stine!
    Te falenderoj o Pene e Arte!
    Jam ne mergim e te perqafova fooooooort sikur tet kish avella!
    Fol per mua se je dhe zeri im…tu shtofte mbaresia…dhurate nje yll do tet bije nga qielli! NilaR

  3. max  13/06/2012 në 11:39 am

    1. Autori duhet te gjobitet, ose me sakte redaksia e gazetes qe lejon plagjiaturen. Ne shumicen e cfare asaj qe shkruan autori,jane kopie te marra nga leksionet e Martin Heidegger ne vitin 1924.Me sakte nga “The Concept of Time”.
    Shame on you. !!!

    • Heidegger  13/06/2012 në 12:06 pm

      E kape mat e kape mat! ahahhaha

  4. ermal  13/06/2012 në 11:53 am

    Me thene te drejten nuk na e thote troc ne kete shkrim se cfare e ka shtyre z.Zheji te beje keto fluturime fillozofike mbi nocionin e kohes dhe psikes se njerezve.
    Koha eshte nje nocion disi me objektiv, vecanerisht kur flasim per nje kohe te perjetuar. E ardhmja po. Nuk dihet. Ajo eshte e nderlidhur me nocionin subjektiv te psiqikes se njerezve.
    Ndersa kohen e kaluar nuk e kthejme dot, kohen e ardhme e kemi te ndervarur nga psika e njerezve qe perfshire edhe z.Zheji ka ndryshuar e mund te ndryshoje shpesh ne vartesi te interesave.

  5. Andy  13/06/2012 në 12:04 pm

    Nga diku do marresh dicka, por kete radhe Zheji eshte prefekt

  6. Endri  13/06/2012 në 12:10 pm

    Ej po me duket se u kap mat Turi…

  7. hajrishehu@ymail.com  13/06/2012 në 12:11 pm

    “Mosdashuri dhe shumë hipokrizi”.Kjo është fjalia afër fundit të shhkrimit.
    Z.Zheji! Përpara se të përfundoni shkrimin Tuaj brilant, më lejoni t’ju jap opinionin tim jo të dakortësuar me Ju, vetëm për shprehjen :
    “Pabesia e shndërruar në art dhe në krenari”.
    Ky postulat është shoqërues i përjetshëm i misterit “NJERI”e NE si të tillë s’mund të bëjmë përjashtim.
    UNË JAM NJË 54-VJEÇAR QË JU RESPEKTOJ DHE JU DUA.

    • lymi  13/06/2012 në 6:29 pm

      Atehere, perse te mos perfundoje kjo lidhje e sinqerte ne nje martese? Edhe turi eshte 54 vjec(packa se duket si 70). Saliu i lejon martesat gay.

  8. glauk  13/06/2012 në 12:14 pm

    Mire paster bukur dhe pa gabime…Por “hapsira lineare” ja kalon te gjithave. Per nje publicist, Analist, aktiv si ju nuk lejohen keto lapsuse kuptimore. Fjala hapsire me tingellon me horizontin e paane, te pa kufizuar ne te cilin ke mundsi tre dimensionale te shkosh pa kufi anash drejt lart poshte pa kufi, me pak fjale JETA. Por ju me sa duket ja paskeni gjetur limitin horizontit, hapsires “Jete” dhe paskeni nje drejtim linear, e njihekeni dmth rrugen drejt fundit, fort i lodh nga Jeta me dukeni zotnia juj!

  9. k...  13/06/2012 në 12:21 pm

    Ne realitet koha nuk ekziston pasi eshte produkt i mendimit. Koha eshte nje mareveshje mes njerezve qe te bejne sikur koha ekziston, psh ne në toke kemi vendosur qe kohe te quajme rrotullimin e tokes rreth diellit, por çdo njeri me pak mend ne koke e di se nuk eshte keshtu. Sepse nuk mundet te jete kohe gjatesia qe pershkuan toka rreth diellit, qe pastaj kete gjatesi qe matet me kilometra ta quash kohe. Per kete deshmitar eshte Galileu qe e mohoi dhe rrojti, apo Xhiordano qe nuke mohoi dhe u dogj i gjalle si pishtar. Ne te dy rastet ishte vendim personal dmth mendimi vendosi nese koha ekzistonte apo jo. Ketu ne Shqiperi ky problem ju intereson pak veteve, mes te cileve duket se ka vendosur te hyje edhe z Zheji, ndersa politika nga ana e saj ka vendosur ta perjetoje kohen ne menyre filozofike, dmth eshte parendesishme qe individi ta jetoje kete jete si njeri me interesat e tij materiale, sepse e rendesishme eshte ndergjegjesimi per ekzistencen, dmth frymen, sepse a nuk eshte ky mendim edhe me thelb fetar?

  10. natasha  13/06/2012 në 12:31 pm

    Nuk mund mos e lexosh deri ne fund Zhejin. Ai nuk ka nevoje per komente, por per te reflektuar ndaj atyre qe shkruan. Ne kete shkrim per here te pare nuk ndjeva (vec)”krenarine” sarkazmen e shkrimeve te tij, por nje thirrje ndaj atyre qe ne “psiken e tyre kane molusk te ngordhur” apo “kohëmbajtësit e përkohshëm të Kohës” dhe ndaj Skllavit te sotshëm,me pranga te tipit ‘ca pak para’. Thirje te tilla kane njeres si Zheji apo “ata qe dialogojne me kohen”, por… qe ka kaluar ne humbetire deri tani. Shresojme qe te organizohen shume zera te tille qe te tronditen dhe pastrohen molusqet e ngordhur.

  11. B.D  13/06/2012 në 12:51 pm

    I sakte.Me qendrimin teper serioz te koheve te fundit,pritej ky shkrim i yti.Dicka duhet te te kete ndodhur,a mendimet po te ndryshojne per mire besoj.Jam dakort me shkrimin dhe mund ta krahesoj me rreshtat e fundit te WILLIAM THACKERAY-t tek VANITY FAIR i cili e mbyll vepren keshtu:
    Which of us is happy in this world.Which of us has his own desire and having it is satisfied.Come on babies,let us shut up the box and the puppits for the play is played out.
    Suksese ne detyren tende fisnike dhe komplimente!

  12. Ilir  13/06/2012 në 1:14 pm

    Koha me per ne ska kohe…

  13. edmond  13/06/2012 në 2:18 pm

    I nderuar z.Zheji!
    Jam plotesisht dakort me cfare keni shkruar.Ju pergezoj.Koha punon.

  14. miri  13/06/2012 në 3:32 pm

    Urime shkrim dinjitoz Z. Zheji
    Problemi eshte per cilin e shkruan dhe kush pret ta lexoj… Ke vlera sepse nuk shkruan per tu shit por per te emancipuar shqipet

  15. Bard  13/06/2012 në 3:34 pm

    Shkrim i persosur, Zheji kohet e fundit eshte bere me human ne kete shkretetire njerzilleku te mbipopulluar nga njerezit.

  16. Lela  13/06/2012 në 3:37 pm

    I sakte: koha me per ne s’ka kohe! Te lumte pena Zheji! Nje popull dhe nje qeveri qe do te jetonte ndryshe dhe jo te varej per “llastikesh” qe gjithsesi nje dite do keputen. Nje big like per kete artikull!

  17. Lela  13/06/2012 në 3:37 pm

    I sakte: koha me per ne s’ka kohe! Te lumte pena Zheji! Nje popull dhe nje qeveri qe do te jetonte ndryshe po te kishte friken e Perendise dhe jo te varej per “llastikesh” qe gjithsesi nje dite do keputen. Nje big like per kete artikull!

  18. Gjakovari  13/06/2012 në 4:04 pm

    Shkrim i mrekullueshem, reflektiv dhe kreativ… Z. Zheji, ju pergezoj per kontributin tuaj intelektual te cilin e jepni ne diskursin publik shqiptar!

  19. Ibrahim  13/06/2012 në 4:05 pm

    Koha vertet po kalon por ju zoti zheji dhe analisteve peka e fefziu ju kish mbet ora te fatos nano per habi gati sa nuk qave qe u zgjodh nishani kjo vlen edhe per qim peken.

  20. bobi  13/06/2012 në 5:39 pm

    he ma zheji a tka hi frika se po vdes aa,nejse mu mpelqen qe njerezit te jen fetar dhe paqesor por sa dalim ne realitet dhe provokohena kthehena ne egersira.shife salen si ja u heki kompensimin e energjis invalidve,duhet tket nji sakat nfamilje dhe sdo ta bate at gja.p.s.mduket se je zhgenjy qe meta ste propozoi per president po fajin ta ka cani qe ta permente emrin se tan lista e canit a hedh fill posht

  21. moralisti  13/06/2012 në 7:48 pm

    OK Zheji, eshte me mire te shkruash filozofira te tilla me vend, se sa te mbrosh ceshtje TE SE Perditshmesh, sic e quan ti.

    “Mirëpo kujt i duhen këto konstatime apo refleksione?”

    Me fal Zheji, por keto i duhen te gjithe atyre qe kane pasur fatin te kene Kohe ne dispozicion dhe poziten ose profesionin per te medituar dhe per ta arritur ne konkluzione te rendesishme per Kohen kur jetojne), per te kuptuar se secili prej nesh duhet te beje dicka per ti kthyer nje pjese te Kohes se vjedhur nga jeta atyre me fatkeqeve, qe kohen nuk e kane as per te jetuar per veten e tyre, as per te medituar sic e kane ata dhe aq me pak per te filozofuar dhe per te kuptuar si shkojne punet e kesaj bote!

    Me thjesht kjo do te thote te dhurosh me teper drejtesi dhe me teper liri per te tjeret! Pjeserisht e ke bere me kete artikull, por ky mund te jete vetem nje fillim per te hyre ndoshta ne nje fushe tjeter.

    • KOSOVA  14/06/2012 në 12:05 pm

      Koha eshte njeisa matese me të cilen kuptohet dhe matet rrjedha e ngjarjeve, nga ndergjegjja njerezore. Sa here i themi vetes psh qe “fillimi i viteve ’90 na duket sikur ishte dje”, por ama kane kaluar shume kohe! Ne kete moment kuptojme iluzionin e kohes dhe kohes mbi evenimentet ne Shqiperine tone qe ben nje hap para dhe dy pas. Mesa duket ne kemi probleme me vleresimin e kohes, sic kemi problem me dimensionin e te qenurit koshient dhe te vemendshem mbi c’ka po jetojme. Se po te ishte ndryshe, ne shqiptaret do ta kishim arritur ekuilibrin e brendshem qe eshte esencial per zhvillimin shpirteror dhe zgjimin nga apatia.
      Pergezime z. Zheji!

  22. Hilda  13/06/2012 në 7:50 pm

    Nje shkrim perle. Ky refleksion per opinionin tim e vendos Artur Zhejin ne poziten e nje SENEKE shqiptar i koheve te mbrapshta qe po kalon Shqiperia dhe Shqiptaret. Respekte z.Zheji. Nga Kanadaja nje ndjekese virtuale e politikes shqiptare.

  23. Kohegjeturi  14/06/2012 në 12:42 am

    Carturira ekzistencialiste qe sillen rrotull si qeni pas bishtit, te dehura nga gazrat e orificeve poshtebishtore. Si post-script presidencial, me bujari do ta pershkruante kete ese te zotit Zheji si klithmen te nje ndergjegje te vrare qe kerkon te shfajesoje kokedhimbjen pasuese te dehjes orgjike pushtetore. Ciniku do ta shihte si perkedhelje narcisiste qe mrekullohet me bukurine reflektuese te ujrave mocalore ku jeton.

  24. R.O  14/06/2012 në 2:21 pm

    Zheji, kjo eshte nje ese e mrekullueshme e pjelle nga nje perbuzje e ketij realiteti te shemtuar shqiptare.
    p.s. Cuditem si te durojne ne nje gazete te djathte.

    • Kapo  14/06/2012 në 6:51 pm

      Sepse e djathta nuk eshte si e majta…Shtypi i djathte ka njerez si Zheji,prandaj R.O e lexon me qejf gazeten ‘Mapo’.

  25. Zapbone  14/06/2012 në 8:02 pm

    Nje pjese e cunguar (me ndergjegje) e paletes horizontale filozofike te Heideggerit e pershtatur bukur. (Bukuria i takon me shume Heideggerit.) Do te jesh me i besueshem te besh nje shkrim tjeter dhe ta ndertosh ne tre shtylla te kohes ashtu sic e trajton dhe heidegeri: Pjesmarres aktiv i se kaluares(Kohes). Degjenerimin, bastardimi i te tanishmes. Dhe e ardhmja, kuptimi i saj. Sigurisht ne frymen e ilustrimit te surrealizmit te shoqerise Shqiptare qe koha per ne ska kohe. Shkrim i bukur. Do te me pelqente qe hipoteken T’uaj intelektuale ta vinit ne sherbim te se mires, te kohes.

  26. pse  15/06/2012 në 12:48 am

    si pershkrimi i mirshenjestruar dhe i rafinuar i mllefit dhe shijes se hidhur qe te shkakton plagosja e nje miku ndoshta… viktimes se fundit te vemjes ndoshta?

  27. R.O  15/06/2012 në 8:13 am

    @Kapo
    Ndoshta Zheji eshte nje arsye e forte per te lexuar Mapo-n. :)

Komentet janë mbyllur