Genta rikthehet tek Rubensi, qëndron në shtëpinë e tij

Duket si një telenovelë, por në fakt nuk është kështu. Kjo është e reja më e fundit që kemi nga ish-banorja e “Big Brother 5”, Genta Gjalpi. Vajza duket se e ka falur Rubensin pas akuzave që i bëri për fotot dhe faktin se do ta hidhte në gjyq. Madje, ajo shpesh u shpreh se nuk do donte ta shihte më me sy Rubensin dhe se do t’i qëndronte larg, jo më të kishte kontakt apo të shkonte të qëndronte tek shtëpia e tij. Faktin që ajo ka shkuar dhe ka ndenjur në shtëpinë e Rubensit e dëshmojnë njerëzit, të cilët jetojnë në lagjen e djalit nga Korça. Dëshmitarë në lagjen tek ‘Farmacia greke’ afër zonës së Bllokut, thonë se e kanë parë Gentën shpesh të hyjë e të dalë në apartamentin e Rubensit. Nuk ka qenë aspak e vështirë për komshinjtë që jetojnë aty të identifikojnë Gentën e po ashtu edhe Rubensin pas shumë shkrimeve të publikuara në media, gjatë kohës që Genta ishte brenda shtëpisë së BB5. Hyrjet dhe daljet e Gentës në shtëpinë e Rubensit kanë nisur para dy javësh, pikërisht gjatë kohës që ajo  ka ndenjur herë në Tiranë e herë në Korçë. Pavarësisht se ka thënë që ka shoqe në Tiranë ku mund të rrijë, Genta ka preferuar të gjejë mbështetje pikërisht tek ish-i dashuri i saj. Nga burime të sigurta kemi mësuar se pjesën më të madhe të kohës që ka ndenjur në Tiranë Genta ka qëndruar tek Rubensi. Sapo doli nga “Big Brother”, Rubensi na tregoi se Genta e kishte marrë në telefon, ku edhe kishin pasur një bisedë mes tyre, por vetëm kaq. Megjithatë, kjo lëvizje e Gentës lë shumë për të dyshuar, sidomos pas situatës së krijuar me fotot, për të cilat ajo akuzoi Rubensin, e po ashtu edhe mediat që ia kishin publikuar, sipas saj në mënyrë të padrejtë. E vërteta e tyre do të ngelet mister sipas të gjitha gjasave. Ndërkohë ne kemi komunikuar me Rubensin për ta pyetur për këtë gjë, por ai e ka mohuar dhe ka thënë se nuk do që të merret më dhe të pyetet në lidhje me Gentën. Madje ai është shprehur se edhe kur kanë qëlluar në ambiente të përbashkëta, nuk kanë folur me njëri-tjetrin.  Pavarësisht këtij mohimi fakti mbetet i njëjtë. Burime të sigurta të gazetës, por edhe komshinjtë e shumtë e kanë parë Gentën në hyrjen e apartamentit ku Rubensi ka një kohë të gjatë që rri dhe ku të gjithë e njohin.

Komentet janë mbyllur