Naser Kelmendi/ Obama e fut në listën e armiqve të Amerikës

Naser Kelmendi – me origjinë kosovare dhe me nënshtetësi boshnjake, biznesmen dhe i përfshirë në marrëdhëniet politike të shumë vendeve të rajonit – u rishfaq pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka vënë në listën e zezë.
Përkrah emrit të liderit të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan Sajed Vazir Shah, Kelmendi llogaritet si personi më i rrezikshëm në Europë për interesat amerikanë.
Banka Federale e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të tij në Mal të Zi. Kërkesa është dërguar përmes Interpolit, ndërsa vendimin formal për fillimin e ngrirjes do ta sjellë komisioni i Bashkimit Europian.
Malin e Zi, Kelmendi ka thënë se e konsideron si atdhe të dytë. Ai nuk e ka fshehur se ka ndihmuar financiarisht referendumin për pavarësinë e këtij vendi në vitin 2006. “Fushatën e kam ndihmuar me pak para. E kam bërë me dëshirë. Kur ka qenë lufta në Kosovë, shqiptarët e Kosovës janë pritur shumë mirë në Mal të Zi dhe për këtë kam ndjerë detyrime ndaj Malit të Zi, si moral ashtu edhe material”, ka deklaruar kohë më parë Kelmendi.
Gazetari Mustafa Canka, autor i shumë teksteve për aktivitetet e Kelmendit në Ulqin, thotë: “Ai ka pasur këtu njërën nga bazat e tij dhe mendoj se pikërisht kjo u intereson zyrtarëve amerikanë – lidhja e tij me strukturat politike. Natyrisht se nuk bëhet fjalë për politikanë lokalë, por për ata të nivelit shtetëror”.
Në Bosnjë janë të njohur edhe tre djemtë e Naser Kelmendit – Elvisi, Liridoni dhe Besniku. Në vitet e fundit, së bashku me babanë e tyre, kanë “grumbulluar” disa kallëzime penale në Prokurorinë e Kantonit të Sarajevës, të cilat kanë të bëjnë me vrasje, tentim-vrasje dhe sjellje të dhunshme.
Që nga viti 2009, mediat kanë shkruar hapur se Kelmendi është njëri nga tregtarët më të mëdhenj të drogës në Ballkan, por ai vetë e ka mohuar fuqishëm. “Kurrë në jetë nuk jam marrë me drogë dhe as që më ka interesuar”, ka thënë Kelmendi në njërën nga intervistat e rralla që ka dhënë.
Ose Kelmendi nuk thotë të vërtetën, ose Barack Obamës i janë dhënë informacione të gabuara, në bazë të të cilave e ka futur në listën e zezë. Sido që të jetë, banorët e Sarajevës nuk janë të befasuar me këtë hap të presidentit amerikan.

Policia e Serbisë e ka cilësuar si organizator dhe financues kryesor të trafikut të heroinës, që nga Turqia dhe Shqipëria arrin në Pejë dhe më pastaj, përmes Rozhajës, në Novi Pazar dhe nga aty në Europën Perëndimore. Kelmendin me Serbinë e ka lidhur edhe një pasion, për të cilin ka folur hapur. “I dua femrat”, ka thënë Kelmendi për të përditshmen malazeze “Vijesti”.
Ai ka lindur në Pejë, në vitin 1958. Disa vite para represionit të Millosheviçit në Kosovë, policia serbe e ka regjistruar për akte dhune. Në vitin 1976, kur ishte 19 vjeç, është dënuar me një vit e gjysmë burgim për tentativë-vrasje. Sipas të dhënave të Komunës së Sarajevës, në vitin 1998 ka qenë qytetar me të drejta të plota i Bosnjë-Hercegovinës.
Pak nga të dhënat e biografisë së tij mund të pranohen si të sigurta dhe të vërteta. Në Kosovë thuajse e kanë harruar, por, megjithatë, vendosja e emrit të tij në listën e zezë amerikane nuk mund të injorohet.

*Përpunuar sipas një shkrimi të Radio Free Europe.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Naser Kelmendi/ Obama e fut në listën e armiqve të Amerikës"

  1. Siri Hanaj  22/06/2012 at 6:22 pm

    Te thena e te “dhena” kontrdiktore. Te verteten kush duhet ta nxjerre??/. Te presim, c’do te thone, a po argumentojne organet perkatese Amerikane??.

You must be logged in to post a comment Login