Gjinushi: PS “të shkundet”, Rama u përdor nga LSI

Tiranë Pas mospjesëmarrjes në 21-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, e ka shprehur hapur se ishte i pakënaqur nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Një proces i tillë, sipas Gjinushit, tregoi se kryetari i opozitës, Edi Rama, nuk duhet më t’i besojë kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. “LSI përdori opozitën për të bërë presion mbi Berishën, jo për të arritur konsensus, por për të arritur në një pazar. I vetmi besim që mund të kesh te LSI është që është e pabesë. Nëse ka ende të majtë që i mbanin shpresat tek ai, tek ajo forcë që i ka shitur sistematikisht nga 2005-a, sigurisht që kjo është vetëm një alibi për LSI”, – tha Skënder Gjinushi, kreu i PSD. Kryetari i socialdemokratëve i mbetet qëndrimit të tij konstant se e majta ka nevojë reale për një bashkim. Në këto kushte, Gjinushi ka komentuar edhe rikthimin e Fatos Nanos në skenën politike shqiptare. Ky i fundit, përmes lëvizjes së lançuar prej ditësh, kërkon një bashkim të së majtës, me qëllim fitoren e socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. I pyetur nëse Nano do të mund ta luajë këtë rol, Gjinushi u përgjigj: “Tani, patjetër që ka nevojë për një bashkim të forcave që janë jashtë PS, të majta. Sepse PS nën presione të brendshme apo të jashtme nuk ka luajtur siç duhet rolin e vet opozitar. Patjetër që PSD është në favor të kësaj. Pastaj, për zhvillimet brenda PS mendoj që këto që thoni janë zhvillime brenda PS, janë tentativa për ekuilibra të brendshme, për rregullime raportesh të brendshme, ky është një problem i PS-së”. Duke iu përmbajtur logjikës në fjalë, Gjinushi nuk preferon të komentojë më tej rolin e Nanos brenda PS-së. “…Uroj të ketë ndikime pozitive. Pra, PS si parti në përcaktimin e aleatëve të vërtetë dhe jo në aleanca pazaresh si Gjiri i Lalëzit”, tha ai, duke shtuar se është e nevojshme një “shkundje” e Partisë Socialiste. Pak kohë më parë, socialdemokrati Skënder Gjinushi i kërkoi kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të kërkojë falje për ngjarjet e 21 Janarit, pas takimit informal që ky i fundit zhvilloi në Gjirin e Lalëzit me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Sipas tij, në paqëtimin e dy politikanëve, pas disa vitesh përplasjesh parimore, duheshin dhënë shpjegime se cilat ishin arsyet që i kishin ndarë dhe ato që i kanë bashkuar. Por me zhvillimet e fundit politike në vend, Gjinushi, sa duket, nuk i sheh më të nevojshme shpjegimet sa kohe që pas tre raundesh të dështuara politika prodhoi zgjedhjen e një presidenti përmes një procesi të njëanshëm vetëm me votat e mazhorancës.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Gjinushi: PS “të shkundet”, Rama u përdor nga LSI"

  1. Lucio  17/06/2012 at 3:48 pm

    me shume se ka bere loje Meta ne Gjirin e Lalezit, ishte vegel e keqmenaxhuar nga opozita kunder Berishes. Luajaliteti i doktorit dhe tentativa per t’i shkuar deri en fund konsensusit, sollen Meten drejt reflektimit te situates ne terren, aq me teper kur edhe raundi i fundit te presidentit do te digjej brenda nates, nese Meta nuk jipte konsensusin per Nishanin, e semure. Meta do te rrezikonte te mos merrte as ato kater vende ne kuvend po te zhvilloheshin zgjehdjet e parakoheshme dhe nje veshtiresi te madhe per te hyre ne koalicione pas 45 diteshit. Mesa duket alibite e 2017 i referoheshin pikerisht situates pas votimit te katert, qe do te investohej nga “patriotizmi” i Metes. Them qe Meta i ka hapur rrugen integrimit dhe i ka thene jo bojkotit edhe me tej

You must be logged in to post a comment Login