Kriza, qeveria pranon ‘infektimin’, në kërkim të modelit të ri ekonomik

Pas gjetjes së Presidentit, po kërkohet një model i ri ekonomik. Thellimi i krizës greke, hapat e shpejtë drejt daljes nga euro, që do të jetë determinante pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, rreziku i kthimit të emigrantëve, po e bëjnë gjithmonë e më akute reagimin ndaj pasojave të saj. Më në fund, qeveria e ka pranuar ‘infektimin’ nga kriza, gjithashtu edhe guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani. Në këtë mënyrë, modeli aktual ekonomik nuk po trumbetohet më nga qeveria si model i cili do të vazhdojë të garantojë gjenerimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Prandaj, ka dalë nevoja e një modeli të ri, i cili t’i përshtatet kushteve të krizës. Në një tryezë të përbashkët me përfaqësues të Universitetit të Oxfordit, studiues të të cilit po debatojnë prej më shumë se dy vjetësh një model të ri ekonomik për Shqipërinë në nivelin akademik dhe jo vetëm, kreu i Financave, Ridvan Bode, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, theksuan se kriza në Greqi është në gjendjen më akute të saj, ajo ka kaluar nga ne dhe duhet ta përballojmë. Ata gjithashtu pranuan se qeveria i ka ezauruar stimujt fiskal dhe për këtë në rreshtat e tyre u lexua qartë domosdoshmëria e një modeli të ri rritjeje me në qendër biznesin, pasi vetëm investimet e brendshme dhe të huaja mund të gjenerojnë likuiditet dhe për pasojë rritje ekonomike.  “Tranzicioni për vendet e rajonit tonë nuk ishte aq i dhimbshëm ekonomikisht, pasi baza e nisjes ishte shumë më e dhimbshme, por kriza aktuale dhe marrja e masave për kapërcimin e saj, realisht i ngjan Luginës së Ferrit, nevojës për të kapërcyer”- u shpreh ministri Bode gjatë fjalës së mbajtur në seminarin e nivelit të lartë të organizuar nga Banka e Shqipërisë me universitetin e Oxfordit, “Europa Juglindore, parakushtet për reforma”. Ndërsa Guvernatori deklaroi se do të çlirohet kreditimi i shëndetshëm për bizneset dhe konsumatorët dhe do të ekzekutohet kolaterali për të mos patur rrezikun e rritjes së kredive me problem, pasi sipas tij, situata aktuale në Europë tregon se procesi i integrimit nuk është një shpresë e mjaftueshme qoftë brenda apo jashtë eurozonës, për aq kohë sa zgjedhjet ekonomike e politike të brendshme nuk janë të qëndrueshme në afatin e gjatë. Ndërsa drejtori i Bankës së Irlandës, profesor në universitetin e Oxfordit, këmbënguli se modeli i ri ekonomik duhet të ketë në qendër investimet e huaja. Sipas tij, Shqipëria duhet të forcojë institucionet, të luftojë kundër korrupsionit, të përmirësojë cilësinë e  burimeve njerëzore dhe të  ndërtojë infrastrukturën që do të sjellë rritjen e investimeve të huaja direkte. Ndërsa opozita e ka deklaruar shumë kohë më parë që modeli aktual ekonomik ka përfunduar së dhëni fryte. Për ish- ministrin socialist të Financave, Anastas Angjeli, modeli aktual ekonomik ka dalë boje. Ai gjykon se rishikimi i buxhetit nuk duhet të jetë në kahun e shkurtimit të shpenzimeve, por të rritjes së të ardhurave. Prandaj situata aktuale, sipas tij, është rrjedhojë e keqmenaxhimit të Financave Publike, përpos krizës në eurozonë.

Hida: Rritja e qëndrueshme, liria ekonomike me në qendër biznesin

Mazhoranca në pushtet gjykon se modeli aktual ekonomik ka qenë i suksesshëm, por situata e re e krijuar përballë turbulencave, pasojë e krizës, ka lindur nevojën e një modeli të ri ekonomik që të gjenerojë rritje të qëndrueshme. Deputeti demokrat, anëtar në komisionin kuvendor për Ekonominë dhe Financat, Subi Hida,  u shpreh për gazetën MAPO se “me pak stimuj fiskalë, ndryshon modeli ekonomik”. Por deputeti Hida këmbëngul se sistemi kapitalist ka qenë, është dhe do të mbetet sistemi më i mirë që nxit dhe mban gjallë lirinë ekonomike. “Unë gjykoj që modeli i ri ekonomik duhet të ketë në qendër liri më të madhe ekonomike. Të ulen barrierat dhe të rritet eficenca e administratës e njëkohësisht të rritet eficenca e mbledhjes së të ardhurave nga taksat. Duhet të nxiten investimet dhe në qendër të jetë biznesi që të gjenerojë likuiditete”- tha deputeti Hida. Sipas tij, modeli aktual i ka dhënë kontributet e tij dhe e ka përballuar mirë krizën në eurozonë, e cila ka nisur 4 vite më parë. Hida thotë se ky model ka bërë që vendi, pavarësisht krizës në eurozonë, të ketë një rritje brenda parashikimeve të qeverisë dhe borxhi publik vazhdon të mos jetë rrezik, pasi qeveria po e mban atë nën kontroll. Hida thekson se përballë thellimit të krizës greke, sigurisht që kujdesi për financat publike duhet rritur dhe fokusi duhet të jetë biznesi. “Sa më pak barriera fiskale dhe burokratike për biznesin dhe vëmendje për mbledhjen eficente të të ardhurave”- tha Hida.

 

 

 

Koci: Modeli ekonomik, në qendër bujqësia dhe turizmi

Partia Socialiste gjykon se modeli aktual ekonomik është ezauruar dhe nuk po prodhon rritje. Deputeti socialist, njëkohësisht anëtar në komisionin kuvendor për Ekonominë dhe Financat, Ervin Koci, shprehet për gazetën MAPO se modeli i ri ekonomik për t’i bërë ballë krizës në eurozonë dhe defekteve të keqqeverisjes, sipas tij, duhet të ketë në qendër prodhimin, pra bujqësinë dhe turizmin. “Vendi ynë ndodhet në një krizë ekonomike dhe sociale, që ka ardhur jo vetëm nga turbullirat e eurozonës, por më shumë nga keq-qeverisja e vendit dhe mungesa e përgjegjshmërisë të kësaj qeverie. Situata e sotme financiare e vendit nuk ka hapësira për stimuj fiskal, qeveria i ezauroi këta mekanizma rritjeje për qëllime korruptive para 3-4 vitesh, dhe stimujt monetarë nga Banka e Shqipërisë nuk kanë dhënë asnjë efekt  pozitiv në ekonominë e vendit. I ashtuquajturi “model ekonomik” i qeverisë Berisha ka dështuar në të gjithë treguesit ekonomikë dhe financiarë dhe vendi ynë e ka të domosdoshëm një model të ri ekonomik.”- shprehet deputeti socialist Ervin Koci. Ai sqaron se PS në programin “Për një rilindje shqiptare” ka një kapitull të veçantë për rimëkëmbjen ekonomike, ku ofron për qytetarin shqiptar një model të ri ekonomik që do të bazohet te rritja e qëndrueshme ekonomike, rritja e punësimit, ndryshime strukturore në zhvillimin ekonomik me prioritet absolut të bujqësisë, sektorit prodhues dhe turizmit, një rishpërndarje të drejtë të të ardhurave, që kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Ndërkohë që PS synon, gjithashtu, rialokim të shpenzimeve me orientim luftën kundër varfërisë dhe nxitje të punësimit, liberalizim të tregjeve, duke luftuar monopolet e radhës, administrim racional dhe efektiv të burimeve natyrore, pasurive publike si dhe rritje të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në rajon. “Pa diskutim të gjitha këto për t’u zbatuar do të jenë shoqëruar me rritje të kapaciteteve administrative dhe partneritet me biznesin, duke e parë sipërmarrësin shqiptar si promotor të zhvillimit të vendit. Modeli i ri ekonomik ka si objektiv të rrisë mirëqenien e çdo qytetari shqiptar për një jetë më të mirë e të sigurt”- theksoi Koci.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "Kriza, qeveria pranon ‘infektimin’, në kërkim të modelit të ri ekonomik"

  1. Lucio  17/06/2012 at 1:18 pm

    te mbeshtetesh tek bujqesia dhe turizmi, eshte ajo qe Berisha sugjeron te pakten qe nga 2010 arrore, shega, ullinj e geshtenja. Nje turizem familjar si ky qe eshte instaluar ne zonat bregdetare dhe malore po deshton dita dites. Pra, te ndertosh nje program te mbeshtetur mbi vullnetin e qeverise, i bie te jesh promotore e propagandes qeveritare me shume se opozite e konsoliduar e projektuar per te fituar zgjedhjet e ardheshme. Te kthesh sipermarrjen ne promotore te zhvillimit me nje administrate te rritur, do te thote te perballesh me nje fenomen ne rritje te korrupsionit, qe po bren edhe qeverine e vjeter Berisha. Ne shtator eshte e domosdoshme nje riformatim i qeverise ne te gjitha ministrite e linjes duke lejuar nje konkurrim te denje dhe te mbeshtetur ne meriten e individit me shume se rekomandimin favorizues. Duhet qe emigrantet e kthyer ne Shqiperi te kene mundesi te ofrojne kontributin e tyre ne zonat ku banojne dhe jo te shihen si bartes te kapitaleve te fituara me mund ne emigrim, qe ne te shumten e rasteve jane kursime te te ardhurave se kapitale te projektuara nga sipermarrje te lira ne treg. Nje politike me e lire ne sipermarrjet e fasonit qe rrisin eksportin, madje duke e konvertuar keto favorizime ne teknologji te avancuar te importuar ne vend mbeshtetur ne nje plan serioz punesimi profesional dhe ne vecanti aprendist nepermjet organizatave me te mira te punesimit dhe formimit profesional te licencuara nga dhomat e biznesit te fasonerise

  2. shqiptar  17/06/2012 at 6:38 pm

    kaq te pa pergjegjshem jane keta ekonomiste sa qe flasin per bujqesine me parcelat e vogla te 7501

You must be logged in to post a comment Login