Matematika, zbardhen përgjigjet e testit për 49 mijë maturantë

Ministria e Arsimit nxjerr çelësin e përgjigjeve dhe skemën e vlerësimit për provimin e Matematikës. Plot 49 mijë maturantë nga i gjithë vendi i janë nënshtruar dje provimit të dytë të Maturës, testin e të cilit e vlerësuan si të nivelit mesatar. “Gjëra që i prisnim, që i kishim punuar, nuk ishin gjëra jashtë atyre që kemi punuar”, – thotë një maturante e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë. “Ishin gjëra të thjeshta, që i kishim punuar gjatë gjithë tre viteve që kemi bërë dhe nuk hasëm vështirësi fare”, – shprehet një tjetër.

Ecurinë e zhvillimit të provimit të dytë të Maturës, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, e ka ndjekur nga afër në disa shkolla të Qarkut Shkodër. Kreu i Arsimit, ndërsa ka vlerësuar mënyrën si është administruar procesi deri më tani, ka bërë të ditur për maturantët se kuotat e reja të pranimit do të miratohen javën e ardhshme. “Kam parë këtu në Shkodër një proces administrimi model dhe shumë të rregullt. Kam takuar nxënësit, i kam uruar dhe dua t’u bëj me dije që javën e ardhshme do shpallim kuotat për universitetet dhe ato do jenë të shumta. Çdo maturant që ka arritur rezultate do të ketë mundësi për të studiuar në shkollat tona të larta. Dua të uroj jo vetëm maturantët e gjithë vendit, por dhe të falenderoj drejtoritë arsimore, drejtoritë e shkollave dhe gjithë mësuesit që janë të përkushtuar dhe të motivuar maksimalisht për të përballuar dhe administruar një proces të vështirë, siç është Matura Shtetërore. Kam besim dhe dua të siguroj nxënësit që procesi i Maturës Shtetërore është me integritet, me barazi dhe u jep shanse jo vetëm nxënësve shumë të mirë, por dhe atyre jo aq të mirë, që të shprehin ato që kanë mësuar në fletën e provimit ”, – u shpreh ministri Tafaj. I pyetur për kontestimet e disa maturantëve për provimin e Letërsisë, ministri i Arsimit tha se është zgjeruar shpjeguesi dhe janë përfshirë të gjitha variantet e mundshme. “Ky është marrë nga korrigjuesit që janë të trajnuar, por prezent në korrigjim kanë qenë dhe hartuesit e tezave”, – sqaroi ministri.

Për vlerësimin e testit të Matematikës, Agjencia Kombëtare e Provimeve shpjegon se për secilin lloj testi është paraqitur një model zgjidhjeje. Nxënësi do të vlerësohet me pikë të plota për çdo zgjidhje tjetër të saktë, pavarësisht nga modeli i paraqitur. Nxënësi do të vlerësohet me pikë për përgjigjet e pjesshme edhe kur nuk ka arritur në zgjidhjen e plotë.

Për vitin e ri akademik, Ministria e Arsimit ka planifikuar 26 072 kuota pranimi vetëm për studimet e ciklit të parë me kohë të plotë. Vetëm në Universitetin e Tiranës, që është edhe më i preferuari për studentët, do të pranohen 6200 studentë të rinj. Rektori Dhori Kule thotë se numri i pranimeve ka ardhur në rritje, sidomos në degët e teknologjisë, por nuk ka humbur interesi për ato klasike, si mjekësia, apo ekonomiku. Ministria e Arsimit pritet të publikojë ditën e hënë rezultatet e provimit të parë të Maturës. Ndërkohë që në datën 30 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimeve me zgjedhje.

 

 

I pyetur për kontestimet e disa maturantëve për provimin e Letërsisë, ministri i Arsimit tha se është zgjeruar shpjeguesi dhe janë përfshirë të gjitha variantet e mundshme. “Ky është marrë nga korrigjuesit që janë të trajnuar, por prezent në korrigjim kanë qenë dhe hartuesit e tezave”, – sqaroi ministri.

 

 

Shpjegim për vlerësimin e testit të Matematikës

• Për secilin lloj testi është paraqitur një model zgjidhjeje.

• Nxënësi do të vlerësohet me pikë të plota për çdo zgjidhje tjetër të

saktë, pavarësisht nga modeli i paraqitur.

• Nxënësi do të vlerësohet me pikë për përgjigjet e pjesshme edhe kur nuk

ka arritur në zgjidhjen e plotë.

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login