Skandal i ri në gjyqësor, jeta e një 25-vjeçari vlen 1.5 vjet burg

Tiranë Jeta e një 25-vjeçari vlen 1.5 vjet burg për Gjykatën e Kurbinit. Dënimi minimal i Marin Kokës për një vrasje të kryer në vitin 2007 ka alarmuar Prokurorinë e Përgjithshme, e cila i ka kërkuar KLD-së të hetojë vendimin e gjykatës. Ndryshimi i akuzës nga Gjykata e Kurbinit, pas një kalvari të gjatë gjyqësor, sipas prokurorisë, është në shkelje të plotë me ligjin dhe për këtë arsye duhet hetuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Bëhet fjalë për të pandehurin Marin Koka, i cili fillimisht është dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa pas kthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, është dënuar vetëm me një vit e gjysmë burg. Në kërkesën drejtuar KLD-së, Prokuroria thotë se trupa gjyqësore është treguar e njëanshme gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke nisur nga rrëzimi i kërkesës për gjykim të zakonshëm, deri në dhënien e vendimit për një tjetër akuzë nga ajo që ngriti prokuroria. Koka është dënuar në mungesë, jo për akuzën e “vrasje me dashje”, por për “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike” edhe pse, sipas prokurorisë, provat në dosje ishin të njëjta me gjykimin e mëparshëm. Historia nis në vitin 2007, kur në Laç vritet 25-vjeçari Leonard Rama. Pas hetimeve rezultoi se Rama ishte vrarë nga Marin Koka, pasi viktima pa dashje i kishte gërvishtur automjetin teksa kalonte në rrugë me një karrocë. Në përfundim të hetimeve, i dyshuari u dërgua për gjykim në Gjykatën e Kurbinit, ndërsa policia e kishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes me dashje. Në fillim të procesit gjyqësor në vitin 2008, avokati mbrojtës i të pandehurit Marin Koka kishte pranuar akuzën, duke kërkuar gjykim të shkurtuar për klientin e tij. Në shkurt të vitit 2008, Gjykata shpall fajtor të pandehurin dhe e dënon atë me 12 vjet burg për akuzën e vrasjes me dashje të shtetasit Leonard Rama. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, gjykata zbriti një të tretën e dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin me 8 vjet burg. Në tetor të vitit 2008, Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi dënimin e dhënë ndaj të pandehurit. Dy vjet më pas, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit për të ndryshuar këtë vendim, ndërsa vetëm një vit më pas, Kolegji Penal vihet përpara një tjetër kërkese për rishikim vendimi. Një tjetër avokat, vë në dijeni Gjykatën e Lartë se avokati i mëparshëm kishte paraqitur para kësaj gjykate një prokurë me nënshkrim të falsifikuar. Në këtë kërkesë, avokati i ri pretendon se klientit të tij nuk i është realizuar një mbrojtje efektive në gjykim, pasi prokura e lëshuar në emër të Av. Agim Hysi është e falsifikuar, sepse firma në të nuk është e personit të gjykuar, Marin Koka. “Kjo gjë vërtetohet me aktin e ekspertimit të një eksperti të pavarur. Për shkak se mbrojtja nuk ka qenë e zgjedhur prej tij janë marrë për bazë rrethana të pavërteta”- ka pretenduar avokati, duke kërkuar rishikimin e vendimit nga ana e Gjykatës së Lartë. E ndodhur përpara këtyre fakteve, në qershor të vitit të shkuar Gjykata e Lartë pranoi të kërkesën për rishikimin e vendimit dhe në përfundim të shqyrtimit vendosi të dërgojë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Kurbinit. Pas këtij vendimi, çështja u dërgua sërish në Gjykatën e Kurbinit, e cila, sipas prokurorisë, ka shkelur procedurat gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, duke bërë edhe ndryshimin e akuzës ndaj të pandehurit.

 

Prokuroria: Kemi 15 dëshmitarë për vrasjen

 

Sipas ankesës që prokuroria i dërgon Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bëhet me dije se që në nisje të procesit gjyqësor trupi gjykues refuzoi kërkesën e prokurorisë për gjykim të zakonshëm. Në mënyrë të beftë, gjykata ka vendosur të gjykojë të pandehurin me gjykim të shkurtuar, duke refuzuar kështu dëgjimin e 15 dëshmitarëve të akuzës, të cilët do të jepnin shpjegime për vrasjen e ndodhur në vitin 2007. Përveç kësaj, në përfundim të gjykimit trupi gjykues ka ndryshuar akuzën nga vrasje me dashje në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, duke dënuar përfundimisht të pandehurin me 1 vit e gjysmë burg. Ky vendim është ankimuar nga prokuroria, e cila tashmë i kërkon edhe KLD-së të inspektojë këtë çështje, pasi masa e dënimit dhe procedurat e ndjekura nga Gjykata e Kurbinit, sipas akuzës, janë të papranueshme.

 

Komentet janë mbyllur