Sondazhi: 3 në 4 studentë blejnë provimet në Shkodër

Pas arrestimit të pedagogut, studentët e Universitetit të Shkodrës kanë publikuar një sondazh, ku 3 në 4 prej tyre kanë deklaruar se kanë blerë me para provimet, qoftë dhe një herë të vetme. Sipas anketës së realizuar nga Këshilli Studentor i universitetit “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ulëtin e ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%. Përmes një deklarate, Këshilli Studentor bën të ditur se “sa i takon pyetjes së parë në lidhje me korrupsionin në Universitetin e Shkodrës, rezultatet tregojnë shifra vërtet shqetësuese, ku pyetjes se a keni dhënë qoftë dhe vetëm njëherë para (lekë) për të marrë një lëndë i janë përgjigjur po 74% e studentëve, pra thuajse 3 në 4 studentë kanë dhënë para për të blerë provimet. Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ulëtin e ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%”, – thuhet në deklaratë. Përsa i përket përmirësimit të kushteve në sallat dhe auditoret e universitetit “Luigj Gurakuqi”, 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të tij shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Nga ana tjetër, fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve të të cilit shprehen se kushtet janë përmirësuar. Sivjet në këtë fakultet janë realizuar disa investime në infrastrukturë. Lidhur me rolin e medias në uljen e korrupsionit, 40.3% e studentëve të Universitetit të Shkodrës shprehen pro këtij fakti, ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka pasur ndikim në këtë drejtim. Në pyetësor studentët e Shkodrës kanë shfaqur ankesa edhe punën e sekretarive mësimore, të cilat nuk respektojnë oraret. Në pyetësor morën pjesë 300 studentë, 50 për secilin fakultet të Universitetit të Shkodrës.

 

REZULTATET SIPAS FAKULTETEVE DHE NË TËRËSI

Shënim/Universiteti i Shkodrës=USH; Fakulteti i Drejtësisë=FD; Fakulteti Ekonomik=FE; Fakulteti i Shkencave të Natyrës=FSHN; Fakulteti i Shkencave Shoqërore=FSHSH; Fakulteti i Shkencave të Edukimit=FSHE; Fakulteti i Gjuhëve të Huaja=FGJH.

Rezultatet e pyetjes së parë: A keni dhënë para (lekë) qoftë dhe vetëm njëherë, për të marrë një lëndë?

FAKULTETI  Përgjigjur “PO” Përqindja % Përgjigjur “JO”  Përqindja %

FD 44 88 6 12

FE 33 66 17 34

FSHN 40 80 10 20

FSHSH 41 82 9 18

FSHE 35 70 15 30

FGJH 29 58 21 42

TOTAL: 222 studentë janë përgjigjur PO dhe 78 studentë janë përgjigjur JO,

74% përgjigjur PO dhe 26% përgjigjur JO.

Rezultatet e pyetjes së dytë: A janë përmirësuar kushtet ku zhvilloni procesin mësimor?

FAKULTETI Përgjigjur “PO” Përqindja % Përgjigjur “JO” Përqindja %

FD 7 14 43 86

FE 5 10 45 90

FSHN 20 40 30 60

FSHSH 19 38 31 62

FSHE 26 52 24 48

FGJH 22 44 28 56

TOTAL: 99 studentë janë përgjigjur PO dhe 201 studentë janë përgjigjur JO,

33% përgjigjur PO dhe 67% përgjigjur JO.

NJë përgjigje për "Sondazhi: 3 në 4 studentë blejnë provimet në Shkodër"

  1. Joni TR  18/06/2012 në 10:17 am

    Qe te kuptohemi ketu, Edukimi i larte akademik i duhet mbase as 30& te popullates qe del nga bankat e sistemit shkollor parauniversitar. Pjesa tjeter po humb kohe dhe para, (si nen dore si haptas). Ne Shqiperi duhet te kuptohet cfare eshte edukimi, jo thjesht nje mundesi perfitimi per “sektorin privat” apo nje mundesi korrupsioni qe subvensionon rroga e kushte tragjike (gjithmone jemi ne europe, edhe pse ne periferi). Por edukimi i larte nuk mund te jete as nje lloj “fabrike” qe prodhon me apo pa korrupsion mijera te rinj te edukuar qe do te punojne ku?! Ky ishte dhe eshte problem ne Greqi, Itali Spanje e madje edhe Angli.
    Sistemi parauniversitar duhet te ndahet ne drejtim te pergjithshem, dhe ne drejtime tekniko/profesional. Ato qe ne fund jane per universitet, dhe duan te jene per universitet do te shkojne aty, te tjeret nuk do humbin kohe dhe para kot. Nqs neser hapet nje park industrial ne Shkoder, sa punetore specialiste ka rrethi i Shkodres? Sa shofere/mekanike/elektriciste/tornitore/saldatore/specjaliste prodhimi masiv ushqimor apo sa agronome, veterinere guida turistike e keshtu me rradhe. cili nga keta del nga universiteti i shkodres? apo i kujtdo fakultet tjeter kudo tjeter!
    prinderit sakrifikojne dhe cojne femijet ne shkolle te larte me shprese per ndonje pune ne banke apo ndonje enderr per gjyqesor, larg qofte “gazetari”. asnje plan koherent asnje lloj realizmi, te gjithe bejne sikur nuk shohin.
    Kemi per ta vuajtur shume kete, shiko greket e italine dhe spanjen, dhe mendo ku do dalim ne pas ca vitesh.

Komentet janë mbyllur