Provimi i Shtetit, MASH shpall 15 programet për Mësuesinë

Ministria e Arsimit shpall programet orientuese të Provimit të Shtetit në Mësuesi. MASH njofton se programet për 15 nënprofesionet e Provimit të Shtetit në Mësuesi janë publikuar në faqen zyrtare të AKP. Mbi bazën e këtyre programeve, specialistët do të hartojnë edhe testet, të cilave duhet t’u përgjigjen të diplomuarit në Mësuesi, për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit. Përveç programit për të gjitha nënprofesionet e Provimit të Shtetit në Mësuesi, MASH ka publikuar edhe programet orientuese për nënprofesionet: Kimi, Arte figurative, Biologji, Histori, Gjuhë angleze, Matematikë, Gjuhë frënge, Instrumente muzikore, Edukim fizik, Informatikë, Gjuhë shqipe-Letërsi, Shkenca sociale, Gjeografi, Gjuhë italiane dhe Fizikë.
Ministria bën të ditur se veçoria e këtij provimi është se për çdo mësues, pavarësisht nga lënda, një pjesë e tezës do të jetë drejtshkrimi dhe përgatitja didaktiko-pedagogjike. Pjesa tjetër do të jetë nga lënda ose lëndët ku kandidatët japin mësim, e ndarë kjo në 40 për qind me 60 për qind. “Provimi do të organizohet ashtu si dhe provimet e tjera të shtetit për profesionet e rregulluara, në mënyrë dixhitale. Në provim do të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë vlerësuar pozitivisht në praktikën profesionale nga komisionet e shkollave dhe drejtorive arsimore rajonale. Vetëm mësuesit që kalojnë me sukses Provimin e Shtetit do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve të ndryshme të vendit. Ky është një standard i ri që synon rritjen e cilësisë së përgatitjes së mësuesve të rinj”, – sqaron Ministria e Arsimit. Aktualisht, mësuesit e rinj që i kanë përfunduar studimet e ciklit të dytë në mësuesi nga viti akademik 2011 e në vazhdim janë duke kryer praktikën profesionale në shkolla të ndryshme të vendit, e cila do të zgjasë 1 vit shkollor, thënë ndryshe 9 muaj. Në përfundim të praktikës profesionale, praktikanti do të vlerësohet nga mentori, drejtori i institucionit të arsimit të lartë publik, si dhe komisioni i vlerësimit të praktikantit. Certifikata e praktikës profesionale do të përgatitet nga DAR/ZA përkatëse. Vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik, praktikanti mund të regjistrohet në Provimin e Shtetit.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login