Misioni i Çekisë, të ndalë Ronaldon! Portugalia beson te gjysmëfinalet

24 orë pushim ka bërë ky Europian, dhe menjëherë i është ndjerë mungesa, ndonëse jemi ende në mesin e tij. Pas përfundimit të fazës në grupe, ku u njohëm me 8 skuadrat çerekfinaliste, tashmë jemi në atë fazën pikante, aty ku nuk të lejohet më të gabosh, përndryshe të presin valixhet në derën e hotelit. Çekia, Greqia, Gjermania, Portugalia, Spanja, Italia, Anglia dheFranca(sipas grupeve dhe rendit kualifikues), do ta ndezin edhe më këtë verë të zhuritur me spektaklin që do të ofrojnë përplaset “big”. E para në listë është Çeki-Portugali, dy ekipe të uritura, ku e para të vetmin trofe kampion e ka regjistruar në vitin 1978 në turneun e zhvilluar në ish-Jugosllavi, ndërsa portugezët e Kristiano Ronaldos iu afruan shumë në vitin 2004. Atëherë luhej në Portugali, por vendësit u befasuan nga “Kali i Trojës” së Oto Rehagelit, që u aplikua me sukses në skemat e Greqisë.

Por sot, dy ekipet kanë mundësi të mira për të kaluar më tej. Pavarësisht se me një Ronaldo në superformë, portugezët bëhen të frikshëm, skuadra çeke nuk kërkon që ta cilësojë të humbur sfidën. Portieri Petr Çeh është i vetëdijshëm se portugezët janë favoritët, me ose pa Ronaldon. “Ata janë ndër 10 ekipet më të mira të botës. Është një skuadër plot me personalitet dhe me lojtarë të jashtëzakonshëm që luajnë mirë. Kundër Holandës, ata ishin të shkëlqyer në fazën sulmuese. Ata kanë lojtarë me eksperiencë, skuadra është pjekur dhe është shumë e fortë,” thotë numri 1 i Çelsit. Por Çeh e di se rreziku numër një vjen nga këmbët e Kristiano Ronaldos. Ai shënoi dy gola ndaj Holandës, ndërsa arriti të bëjë edhe rolin e sulmuesit anësor duke i shpëtuar gjithnjë pozicionit jashtë loje. “Ai ka një goditje të fuqishme dhe gjuan si me të majtën ashtu edhe me të djathtën, ai mund të godasë në çfarë do pozicioni. Madje, është shumë mirë edhe në gjuajtjet me kokë,” thotë Çeh.

Ndërsa trajneri i Çekisë, Mikal Bilek, beson se skuadra e tij është rritur mjaft ndeshje pas ndeshjeje, ndonëse e nisi europianin me një humbje shokuese 4-1 me Rusinë. “Në këta dy vite e gjysmë, ne kemi ditur gjithnjë si të menaxhojmë situatat kritike dhe si të dalim prej tyre. Madje, të tilla kemi pasur disa. E kemi parë veten nën presion gjatë gjithë kohës, lojtarët e kanë parë veten në kriza dhe ndeshje të vështira, por më pas kanë arritur të tregojnë një moral të lartë dhe forcë të madhe,” shtoi 47-vjeçari.

Nga ana tjetër, është Portugalia. Paulo Bento beson se do të jetë një ndeshje e vështirë, por beson se nëse skuadra do të luajnë ashtu siç di të bëjë ajo, atëherë një vend mes katër më të mirave është i garantuar. “U kualifikuam për në çerekfinale në mënyrë të shkëlqyer dhe falë unitetit që kemi shfaqur në këto tre ndeshje. Në mënyrën sesi kemi luajtur, jam shumë krenar. Megjithatë, ndaj Çekisë ne nuk e cilësojmë veten favoritë dhe e dimë se do të jetë shumë e vështirë. Duhet të vijojmë ritmin tonë dhe të shpresojmë se do të arrijmë gjysmëfinalet.”

 

 

Çerekfinalet

 

21 qershor

Çeki – Portugali          20:45

22 qershor

Gjermani – Greqi        20:45

23 qershor

Spanjë – Francë           20:45

24 qershor

Angli – Itali                 20:45

 

 

Komentet janë mbyllur