Neonazisti dhunon të miturën shqiptare, familja kërcënohet të mos denoncojë

Sipas gazetës ‘Tovima’, një grup anëtarësh të partisë neonaziste Agimi i Artë e kanë kërcënuar familjen shqiptare se, nëse nuk tërhiqet nga padia, do të përballet me zemërimin e partisë së tyre

 

Skena të ngjashme me ato të qyteteve amerikane që mbretëroheshin në vitet ‘60 nga Ku Klus Klan, duket se po përsëriten në Athinën fqinje, ku pasi një neonazist 45-vjeçar akuzohet se ka dhunuar një të mitur 15 vjeç dhe ka pranuar se ka pasur marrëdhënie me të, policia ka vendosur ta lërë të lirë me kusht, ndërsa anëtarët e partisë së tij i bëjnë presion familjes shqiptare që të heqë dorë nga denoncimi.

45-vjeçari baba i tre fëmijëve, ka deklaruar dhe ka pranuar se ka pasur marrëdhënie me vajzën, por se ajo kishte qenë dakord me këtë, madje, sipas tij, ai e kishte kryer këtë “me gjithë bindjet e tij antiemigrante”.  Burri, që njëkohësisht është zyrtar komunal, ishte ngarkuar me një projekt social në shkollën ku studionte minoreneje dhe prej aty i ka propozuar asaj një vend pune. Pikërisht këtu në një zyrë ku ndodheshin vetëm dyshohet se ai e ka dhunuar të miturën dhe më pas i ka ofruar asaj 100 euro për të heshtur, ndërsa gjithashtu i ka kërkuar që të takoheshin sërish bashkë. Ngjarja ka ndodhur në shkurt dhe duket se burri ka pasur edhe kontakte të tjera me të miturën, me anë të presionit, derisa familja e saj zbuloi pak javë më parë se ajo ishte shtatzënë.

“Vajza e mitur ka mbetur shtatzënë dhe është detyruar më pas të strehohet në një klinikë private për të fshehur këtë dhe të bëjë abort”, shkruan gazeta Tovima (Hapi). Të afërmit e saj, pasi kanë mësuar shtatzëninë i kanë kërkuar llogari 45-vjeçarit, tek i cili e dinin se punonte, dhe ai fillimisht ka thënë se kjo mund të ketë ndodhur me një nga djemtë e tij. Familjarët e vajzës e kanë denoncuar, duke mos e besuar këtë version dhe pas deklarimeve të vetë të dhunuarës dhe provave të mbledhura, policia ka arrestuar burrin katër ditë më parë, por ai është liruar, pasi ka paguar një garanci prej 30 mijë eurosh.

Pikërisht pas këtij momenti anëtarë të Agimit të Artë, parti e pestë parlamentare pas zgjedhjeve të fundit në Greqi, kanë shkuar në shtëpinë e të miturës dhe kanë kërcënuar atë dhe familjen e saj që të tërheqë denoncimin ose të lehtësojë padinë ndaj 45-vjeçarit. Gazeta Tovima (Hapi) thotë se ka kontaktuar me familjen e të dhunuarës dhe ka mësuar se ata po kërcënohen dhe se madje janë paralajmëruar se do të sulmohen edhe në gjykatë.  Sipas Tovima-s, një grup burrash mes të cilëve edhe dhunuesi, kanë kërcënuar familjen e vajzës duke i thënë se “Nëse shqiptarët nuk e mbyllin çështjen, atëherë ata do të përballen me zemërimin e Agimit të Artë”. Ndërkohë Ekathimerini raporton një shtim të ndjeshëm të numrit të sulmeve ndaj emigrantëve në zonat e ndryshme të Greqisë.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login