Gjykata shpall të pafajshme Rezarta Shkurtën, Rozana: Beteja vazhdon në Apel

Tiranë Shoqet e dikurshme, rivale të “përjetshme”. Kjo do ishte shprehja e duhur për reagimet e ashpra të këngëtareve, menjëherë sapo Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshme këngëtaren Rezarta Shkurta, e akuzuar nga prokuroria për plagosje të lehtë me dashje. Mesditën e djeshme, gjykatësi Gerd Hoxha liroi nga akuza këngëtaren Shkurta, duke e shpallur atë të pafajshme për akuzën e ngritur nga prokuroria. I menjëhershëm ishte reagimi i të dëmtuarës, këngëtares së njohur Rozana Radi, e cila për “Mapo”-n tha se çështja nuk është mbyllur përfundimisht. Në fakt, vendimi i djeshëm i gjykatës ishte fundi i përkohshëm i një beteje gati një vit e gjysmë mes Rezarta Shkurtës dhe drejtësisë. Pafajësia e paralajmëruar nga këngëtarja pritet të hapë një tjetër betejë tashmë, atë të gjykimit në Apel. Në fakt, me këtë vendim nuk ka qenë dakord e dëmtuara, e cila u shpreh se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje. Të njëjtin qëndrim pritet të mbajë edhe organi i akuzës, i cili në pretencën përfundimtare një seancë më parë kërkoi dënimin e Rezarta Shkurtës me 82 orë punë të detyrueshme në shërbim të komunitetit. Dënimi i pazakontë nuk u miratua nga gjykata, e cila u shpreh me vendim se Shkurta është e pafajshme për akuzën e ngritur nga prokuroria. Por prokurori argumentoi një seancë më parë se nga hetimet rezulton e provuar se Shkurta ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet. Për këtë arsye, prokurori kërkoi dënimin e saj me 82 orë punë në shërbim të komunitetit, çka është e barazvlefshme me dy muaj burg. Në mbështetje të akuzës prokurori renditi një sërë provash, përfshi edhe ekspertimin mjekoligjor të së dëmtuarës, Rozana Radi. Po ashtu në cilësinë e provës u paraqit edhe dëshmia e saj, ku pasi tregonte sherrin me Rezartën dhe bashkëshortin e saj, Ermal Hoxha, nipin e Enver Hoxhës, shprehej se në një moment ka mbrojtur gjoksin e sapobërë, duke lënë zbuluar fytyrën, ku ka pësuar dëmtime të shumta. Por këto prova u rrëzuan nga gjykata, e cila pritet të publikojë edhe argumentet përse vendosi të shpallë të pafajshme këngëtaren Rezarta Shkurta. Ngjarja për të cilën ajo akuzohet, ka ndodhur më datë 6 dhjetor të 2010, pranë digës së Liqenit Artificial, ku vajzat kishin lënë takim pas disa konflikteve të mëparshme.  “Më datë 06.12.2010, rreth orës 03:00, e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës”, pohonte prokuroria. Po sipas saj, duke iu referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim. “Më datë 06.02.2010, rreth orës 03:00, e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi, duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës. Duke iu referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim”. Konflikti mes tyre ka nisur në një program televiziv të zhvilluar në Kosovë me emrin “Vip Shpia”, ku dy këngëtaret kanë qenë protagoniste të show-t. Kur vajzat menduan se ky konflikt ishte duke u qetësuar, fill pas një emisioni televiziv Rozana Radi denoncoi mesazhe kërcënuese të mbërritura në adresën e saj në Facebook nga kolegia dhe shoqja e dikurshme, Rezarta Shkurta.

 

Rezarta: Rozanë, do të hedh në gjyq për prishje imazhi

Qesh mirë kush qesh i fundit. Me këto fjalë e ka komentuar Rezarta Shkurta vendimin e Gjykatës së Tiranës, që i dha pafajësinë pas sherrit me Rozana Radin. Në faqen e saj në Facebook këngëtarja shkuan se do ta hedhë në gjyq Rozanën, duke kërkuar tashmë dëmshpërblim prej saj. “Lajmin po jua jap unë më të freskët seç mund t’jua japin gazetat nesër. Jam e lumtur t’ju njoftoj se për sa i përket akuzave të bëra ndaj meje nga zonjushë Rozana Radi, gjykata sapo dha vendimin e saj, ku më shpall mua të pafajshme. Ndihmesë shumë e madhe për të nxjerrë të vërtetën ka qenë dëshmia e dy policëve në vendngjarje, që kanë deklaruar se Rozana ka qenë e dhunshme dhe në gjendje të droguar. E dashur Rozanë, po ta them publikisht, do të të hedh në gjyq për faktin që u mundove të hedhësh baltë në imazhin tim. Uroj të jesh në gjendje të më paguash dëmshpërblimin”, – shkruan Rezarta Shkurta në Facebook.

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur